Shpenzimet buxhetore 1.4 miliardë lekë më pak

Ministria e Financave ka bërë gati projektligjin e buxhetit faktik 2015, i cili shumë shpejt do të miratohet edhe në qeveri. Stafi i Financave i raporton qeverisë se të ardhurat e buxhetit të konsoliduar për periudhën 12-mujore të vitit 2015 arritën në 379.2 miliardë lekë, me një rritje vjetore prej 3.4 për qind krahasuar me vitin 2014, ndërsa në raport me PBB-në janë 26.25 për qind nga 26.4 për qind e PBB-së për vitin 2014. Kjo edhe pse në vitin 2015 u rrit tatimi mbi dividendin dhe fitimet e tjera (nga 10 në 15%) dhe akciza e disa produkteve, si dhe taksa e qarkullimit, duke e bërë Shqipërinë një ndër vendet me taksa më të larta në rajon (bashkë me Serbinë). Në nenin 1 të projektligjit “Miratimi i Buxhetit faktik”  paraqiten të dhëna mbi të ardhurat dhe shpenzimet e buxhetit qendror, të buxhetit vendor, të buxhetit të institutit të Sigurimeve Shoqërore, të buxhetit të Fondit Special të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor dhe të buxhetit Agjencisë së Trajtimit të Pronave, si dhe të dhëna mbi deficitin e përgjithshëm të qeverisjes së përgjithshme dhe burimet e financimit të tij, mbështetur në të dhënat zyrtare të sistemit informatik financiar te qeverise. Të ardhurat nga tatimet dhe doganat u realizuan në masën 342.3 miliardë lekë ose 1.4 për qind më shumë krahasuar me një vit më parë. Të ardhurat nga pushteti vendor arritën në 11.7 miliardë lekë nga 12.5 miliardë lekë të planifikuara për këtë periudhë. Të ardhurat nga fondet speciale arritën 71.7 miliardë lekë, me realizim prej 101 për qind dhe me rritje vjetore 12.9 për qind ose 8.2 miliardë leke;. Administrata doganore ka mbledhur 144.1 miliardë lekë ose rreth 6.5 miliardë lekë më pak se një vit më parë, me një rënie prej 7.7 për qind. Administrata tatimore ka mbledhur (përfshirë kontributet) 180.9 miliardë lekë, që do të thotë 10.63 për qind më shumë të ardhura se ato të vitit 2014 ose 17.3 miliardë lekë më shumë. Shpenzimet e përgjithshme të buxhetit, në fund të vitit 2015, arritën në 437.4 miliardë lekë me një nivel realizimi prej 96 për qind ose 19 miliardë lekë më pak se planifikimi. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, shpenzimet buxhetore rezultojnë 1.4 miliardë lekë më pak ose rreth -0.33 për qind më të ulta. Këto shpenzime, në fund të vitit 2015, përllogariten në rreth 30.3 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto (PBB), nga 32.8 për qind që arritën një vit më parë. Në totalin e shpenzimeve buxhetore të realizuara, gjatë vitit 2015, shpenzimet korrente zënë rreth 81 për qind, ndërkohë që shpenzimet për investime zënë rreth 15 për qind dhe detyrimet e prapambetura 4 për qind.  Shpenzimet korrente në fund të vitit 2015, kanë arritur në nivelin 350 miliardë lekë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, këto shpenzime rezultojnë 9.7 miliardë lekë më të larta ose rreth 3.1 për qind më shumë. Shpenzimet kapitale për vitin 2015 janë realizuar rreth 102 për qind e parashikimit vjetor. Brenda këtyre shpenzimeve, investimet me financim të brendshëm janë realizuar në masën 107 për qind të planit vjetor, ndërkohë që investimet me financim të huaj janë realizuar në rreth 99 për qind të parashikimit vjetor. Tejkalimi i shpenzimeve kapitale të brendshme lidhet kryesisht me fondet e përfituara nga Ministritë e Linjës nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve (kryesisht projektet e dixhitalizimit), që rezultojnë të papërdorura në zërin përkatës të buxhetit vendor. investimet në vitin 2015 arritën në rreth 4.4 për qind të PBB-së .

Artikulli paraprakKosovë, GAP thirrje për uljen e numrit të ministrive
Artikulli tjetërNë Shqipëri duhet të punosh 330 orë për të blerë një iPhonë 6