Barbarët shkulin “Shqiponjën”, simbol i 100 vjetorit të Pavarësisë, mashtrim me zgjerimin e rrugës!

Qeveria thotë se Shqiponja, simbol i ngritur në 100 vjetorin e Pavarësisë është hequr për shkak të punimeve për zgjerimin e rrugës. Në fakt, ky ëhstë një mashtrim sepse asnjë punim nuk mund të nisë sa kohë nuk është zgjidhur problem kryesor me 600 familjet që kanë objektet e tyre në këtë segment ku parashikohet të zgjerohet rruga.
Asnjë hap pas nga Bashkia e Tiranës dhe qeveria lidhur me projektin e Unazës së Madhe që dëmton rreth 400 godina, familje dhe biznese në zonën e Astirit në kryeqytet.
Madje sot është hequr dhe simboli i Shqiponjës, me pretkestin për t’u hapur rrugë punimeve.
Banorët janë të vendosur në protestën e tyre, ata kanë dalë sot për të tetën ditë me radhë në rrugë, duke bllokuar kalimin e mjeteve. Nuk kanë munguar as tensionet mes tyre dhe drejtuesve të mjeteve, të cilët kërkojnë të kalojnë rrugën, pavarësisht barrikadës njerëzore që kanë ndërtuar banorët.
Në përplasjen mes drejtuesve të mjeteve dhe banorëve ka mbetur i lënduar dhe një prej operatorëve të mediave, ndërsa në vendngjarje nuk ka asnjë punonjës policie për të bërë të mundur neutralizimin e situatës. Banorët thonë se kanë marrë urdhër të lejohen të kalojnë vetëm ambulancat, ndërsa kërkojnë mbështetjen e të gjithë banorëve të kryeqytetit. ”Të gjithë për një qëllim”, është motoja e banorëve.
Zgjidhja e vetme që iu është dhënë banorëve është pagimi i qerasë nga ana e bashkisë për një vit, një propozim të cilën ata njëzëri e kanë konsideruar qesharak, pasi sipas tyre mundi dhe djersa me të cilën kanë ndërtuar banesat, po hidhet poshtë brenda një dite.

Artikulli paraprakProtestuesit paralajmërojnë Ramën: Vetëm me gjak e ndajmë këtë punë
Artikulli tjetërHapen dyert e mortit në familjen e administratorit të vrarë, Rama kalon para banesës dhe nuk ndalon