Shkollat, si po i zhvat qeveria prindërit

Histori që ndodh vit pas viti, prindër e nxënës që denoncojnë pagesat që ju kërkohen për arsye të ndryshme nga institucionet arsimore.
Pak ditë më parë, disa prindër denoncuan publikisht kërkesën për dhurimin e 200 lekëve për fëmijë me qëllim mbjelljen e pemëve nga Bashkia Tiranë. Më herët, dhjetëra prindër të tjerë ishin ankuar se u ishin kërkuar fonde për të ndihmuar të prekurit nga përmbytjet e nëntorit të shkuar. Ndonëse bëhet fjalë për shuma jo të mëdha, ankesat e nxënësve dhe prindërve janë të vazhdueshme.
Duke marrë shkas nga këto raportime, ne vendosëm të hulumtonim sa kushton arsimimi i detyrueshëm i fëmijëve në shkollat publike në Tiranë. Për këtë ne pyetëm dhejtëra prindër dhe bëmë një vlerësim të përgjithshëm të shpenzimeve më të zakonshme të cilat i kemi përmbledhur më poshtë.
Për kopshtet prindërit paguajnë:
160 lekë në ditë ose rreth 3 700 lekë të reja në muaj për ushqim;
Rreth 1 000 lekë, që kërkohen si dhurim “vullnetar”, për të paguar rojen e “turnit të tretë” si dhe shpenzime të tjera administrative;
4000 lekë paketa e kancelarisë ose një pagesë që mbulon mjetet e punës së fëmijëve. Kjo pagesë mund të dorëzohet në kopsht ose prindi mund t’i blejë vetë, pasi i është dhënë lista, por shpenzimi mbetet pak a shumë i njëjtë.
Çdo muaj prindi duhet të çojë në kopsht letra të lagura, letra të thata dhe sapun që do të përdoren nga ose për fëmijën e tij ose siç quhet ndryshe “paketa e higjienës”;
Bashkia kërkon një muaj pagesë paraprake prej 5 000 lekë si garanci që prindërit do të përmbushin detyrimet e tyre deri në përfundim të vitit, pagesë që duhet t’u kthehet në fund të vitit;
200-300 lekë për aktivitete (shuma ndryshon në varësi të kopshteve apo aktiviteteve).
Shpenzimet bazë të shkollës 9-vjeçare dhe shkollës së mesme:
2600-5000 lekë për librat e shkollës (sipas klasave) për ciklin 9-vjeçar dhe deri në 6 500 lekë për shkollat e mesme;
5000-6000 lekë për çantën e shkollës;
3000 lekë për mjetet shkollore që kërkohen në fillim të vitit shkollor;
1500 lekë për përparese për shkollën fillore ose 2 000 lekë për uniformën për shkollat 9-vjeçare e gjimnazet që e zbatojnë;
2000-3500 lekë për uniformën e detyrueshme të fizkulturës, sipas ciklit të studimeve dhe të ardhurat;
1000 lekë kontribut për shkollën në fillim të shkollës.
500 lekë për produkte kancelarie në muaj;
50–150 për vërtetime të ndryshme;
për aktivitetet kostot ndryshojnë-50 lekë për vizitë në Kopshtin Zoologjik, 100 lekë për vizita në muze, 200 lekë për vizitë në Dajt, 800-2500 lekë (në bazë të largësisë) për çdo ekskursion, 1000–1500 lekë për festën e Vitit të Ri dhe po aq për dhuratë për mësuesen për 7 Marsin, minimalisht 7 000 lekë për mbrëmjen e Maturës.
Pra, në fillim të çdo viti shkollor çdo prind duhet të harxhojë për një fëmijë nga 15 000 lekë për shkollat fillore e deri në 200 000 lekë për shkollat e mesme. Këto shpenzime nuk marrin parasysh pagesat që nxënësit bëjnë për transportin, librat jashtëshkollorë, printimin e materialeve shtesë për projektet shkollore, pagesat e shërbimit të internetit për familjet që nuk kanë lidhje në shtëpi apo printimin e fletëve të provimeve.
Këto shuma shumëfishohen në rastin e familjeve me më shumë se një fëmijë. Duke patur parasysh që sipas INSTAT në vitin 2016 çdo familje ishte mesatarisht 4 persona, shumë familje kanë dy fëmijë në shkollë. Nga ana tjetër, INSTAT, në Anketën e Buxhetit të Familjes, ka gjetur se si shpenzimet familjare për arsimin janë mesatarisht rreth 3000 lekë në muaj.
Siç mund të vërehet nga të gjithë, pagesa e kontributit prej 1000 lekësh është një pagesë fikse që kërkohet rregullisht nga çdo institucion arsimor e me të cilën mbulohet pagesa e “rojes së turnit të tretë” dhe një pjesë shpenzohet sipas nevojave të shkollës. Kjo pagesë kërkohet si “dhurim vullnetar” në mënyrë të paligjshme, por prindërit janë të indinjuar që nuk ka buxhet për materiale kancelarie apo mjete sanitare, dhe jo rrallë për domosdoshmëri të tilla si llampa ndriçimi, lyerje të shkollës apo ngrohje kur kaldajat dalin jashtë funksionit, për të cilat përdoret pjesërisht kjo pagesë.
Prindërit që intervistuam deklaruan për Exit.al se ata e kryejnë pagesën për t’u krijuar fëmijëve disa kushte minimale në shkollë, por edhe nën trysninë e fëmijëve që nuk duan të dallohen nga shokët e tyre që e paguajnë.
Ina Kasimati, jo vetëm nënë, por edhe qytetare e angazhuar thotë se është e kënaqur me kujdesin që tregon personeli i kopshtit që ndjek djali i saj, por pohon se kontributi i prindërve, të cilin s’ka pranuar ta japë, përdoret për të kryer funksione që i takojnë institucioneve. Përveç ruajtjes, roja i turit të tretë paguhet nga prindërit edhe për shërbime shtesë, si paraqitja 2 orë para orarit zyrtar që të kujdeset për ngrohjen paraprake të mjediseve.
Zonja Kasimati nuk është e vetmja që u ankua për paketën mujore të higjenës që kërkohet prej tyre. Në një vend normal, institucioneve të edukimit do të duhet t’u garantoheshin kushtet higjenike, ngrohje përgjatë gjithë kohës të mësimit, ndërkohë që tek ne garantohen jo më shumë se 4 orë, apo siguri për 24 orë, pa patur nevojë që prindrit të paguajnë turnin e tretë të rojes.
A.C., nënë e dy fëmijëve në shkollë fillore, thotë se këtë vit prindërit u përballën me një situatë absurde kur, së bashku me librat, iu desh të blenin edhe fletoren përkatëse të punës, ndërkohë që Ministria e Arsimit i njoftoi më vonë se këto fletore nuk do të përdoreshin në proces mësimor. Ky njoftim i vonuar, përveç dëmit ekonomik, ka sjellë edhe një boshllëk në mësime, sepse sipas prindërve fletoret janë një ndihmesë e madhe për fëmijët.
Avokatja Mirela Jorgo Çela na thotë se, për të kompensuar cilësinë e munguar të shkollimit që u ofrohet fëmijëve, përveç shpenzimeve të zakonshme të ciklit 9-vjeçar, prindërit duhet të shpenzojnë për kurse jashtë shkollore në lëndë të veçanta, veçanërisht për gjuhët e huaja, që shkojnë 1000 lekë të reja për çdo seancë mësimore.
Zonja Çela nuk është aspak e kënaqur me eksperimentet që Ministria e Arsimit kryen me nxënësit, duke iu referuar klasës eksperimentale në shkollën 11 Janari ku studion i biri. Këto klasa nuk kanë kurrikula të përcaktuara dhe nxënësit detyrohen të mbajnë shënime e të improvizojnë. Kjo ka shkaktuar një përkeqësim të ecurisë së klasës dhe ajo, së bashku më prindër të tjerë, janë ankuar në drejtorinë e shkollës, por pa asnjë rezultat.
Prindër të tjerë pohojnë se, nëse fëmija ndjek aktivitete të tjera jashtëshkollore si kanto, balet apo sporte, barra ekonomike rritet më tepër. Shumica prej tyre pranojnë se e kanë të vështirë të përballojnë të tilla aktivitete jashtëshkollore, ndërkohë që vetë shkollat nuk ofrojnë mundësi në këtë drejtim.
Siç u tha në nisje të artikullit, ka edhe pagesa të tjera, për të cilat prindërit pretendojnë se iu kërkohen pa të drejtë nga shkollat me urdhër të qeverisë, Ministrisë së Arsimit apo Bashkisë. Kontributi mbi përmbytjen apo mbjelljen e pemëve mund të mos u rëndojë shumë xhepave të prindërve, por nisma të tilla të shpallura si vullnetare duhet të vijnë nga vetë komuniteti, minimalisht nga Bordi i Prindërve, dhe duhet të bëhen transparente se kush do t’i menaxhojë fondet e si do të shpenzohen.

Fëmijët që nuk paguajnë taksën e Veliajt diskriminohen

Në fund të fundit, shkolla është institucion edukimi dhe nuk duhet të edukojë brezat e rinj me idenë se të japësh 200 lekë nuk kushton gjë, por me idenë e përgjegjësisë shoqërore e kërkimit të llogarisë mbi çdo qindarkë që u merret. Në këtë mënyrë, edhe sigurohemi që ndihma shkon aty ku ishte nisur, edhe shmangen abuzimet.
Kjo gjë është po aq e vlefshme për nismën e shkollave për t’iu bashkuar Bashkisë Tiranë, duke u kërkuar kontribut familjeve të fëmijëve për mbjelljen e pemëve. Ky veprim u bë i njohur nga disa prindër, midis të cilëve sociologu Ergys Mërtiri, i cili vuri në dukje se nisma të tilla, të stisura nga Bashkia Tiranë nën petkun e “dhurimeve vullnetare”, i vendosin prindërit në pozitë të vështirë para fëmijëve, që nuk duan të mënjanohen nga shokët e tyre, duke mos paguar.
Përgjigja e Kryebashkiakut Erion Veliaj nuk vonoi. Ajo erdhi gjatë një seance të Këshillit Bashkiak, ku u përpoq të bënte pikërisht atë për të cilën zoti Mërtiri e akuzoi. Duke e konsideruar një praktikë të tillë të shëndetëshme dhe edukuese, e cila praktikohet në mënyrë të pavarur nga fëmijët e moshave të ndryshme në Perëndim, zoti Veliaj e trajtoi kundërshtimin e pagesës në rastin më të mirë si mungesë ndërgjegje qytetare e në rastin më të keq, si dashakeqësi politike ndaj tij. Çfarë zoti Veliaj fshehu dhe keqinformoi në predikimin e tij është fakti se, në Perëndim, këto nisma ndërmerren pikërisht në mënyrë të pavarur nga nxënësit dhe familjarët e tyre dhe për përdorimin e fondeve ka llogaridhënie dhe transparencë.
Por në raportimet mediatike mbi këtë përplasje, duket se nuk i ka rënë ndër mend askujt se, për mbjelljen e pemëve nga nxënësit e shkollave ka një projekt me rastin e Vitit të Skënderbeut i zbatuar nga Ministria e Mjedisit dhe Ministria e Arsimit i titulluar “Kurorat e gjelbra të shkollave”. Ky projekt, paraqitur vetëm dy javë më parë, synon të mbjellë rreth 550 mijë pemë, të cilat do t’u sigurohen falas shkollave në të gjithë vendin.
Krahas taksës së gjelbërimit, para shtesë edhe për pemët e Lalit

Bashkitë mbledhin taksë gjelbërimi, të ardhurat e së cilës janë pikërisht për mbjelljen e pemëve.
Ndërkohë, në Tiranë prindërit paguajnë një taksë për ndërtimin e shkollave, e detyruar me forcë dhe e përfshirë në faturat e ujit, pikërisht nga administrata e Bashkisë.
Kujtojmë edhe që paga mesatare në vend është 38 500 lekë në muaj, ndërkohë që nevojat për shpenzime për person janë rreth 19 900 lekë në muaj, sipas raportimeve të INSTAT-it, për vitin 2017.
Duke marrë parasysh sa më sipër, barra ekonomike e shkollimit të fëmijëve është e madhe në gjithë Shqipërinë, por veçanërisht familjet që jetojnë në Tiranë. Ndaj do të ishte politikë më e mirë publike që Bashkia të përqendrohet në përmirësimin e infrastrukturës dhe kushteve të shkollave dhe jo të verë në sedër nxënës e prindër me fushata mbledhje “vullnetare” fondesh për mbjellje pemësh, fonde për të cilat nuk ka asnjë herë transparencë dhe llogaridhënie se ku shkojnë dhe si administrohen.

Exit.al

Artikulli paraprakFjalimi i Trump që tronditi demokratët
Artikulli tjetërGabriel Jesus mohon rinovimin