Shkëmbi: Ja pse shkova te Liria

Një nga futbollistët më të spikatur të vendit tonë, Bledi Shkëmbi prej disa ditësh ka nisur një aventurë të re. Ai tashmë ka marrë drejtimin e skuadrës së Lirisë së Prizrenit, që konkuron në kampionatin e superligës së Kosovës. Dhe pse detyra që ka marrë përsipër është e re, ai është optimist se skuadra e tij do të jetë mes katër më të mirave të kampionatit kosovar, që do të startojë këtë fundjavë. Në intervistën e dhënë gazetës sonë, futbollisti i mirënjohur analizon dhe ndeshjet e ish-skuadrës së tij, Skënderbeu, ku nuk fsheh optimizmin se skuadra e tij e zemrës do të shkojë shumë larg, jo vetëm në marrjen e titullit kampion, por ajo do të përfshihet dhe në grupet kualifikuese të Europa League.
-Ku ndodhet aktualisht Bledi Shkëmbi…?
Prej disa kohësh kam marrë drejtimin e skuadrës së Lirisë së Prizrenit, e cila prej vitesh konkuron në kampionatin e Superligës së Kosovës.
-Pse zgjodhët Lirinë e Prizrenit …?
Oferta e marrë nga drejtuesit e klubit të Lirisë së Prizrenit ishte shumë serioze. Unë prej kohësh kisha menduar të nis një karrierë të re. Drejtuesit e kësaj skuadreje kanë një projekt ambicioz për të ardhmen.
-Në skuadrën tuaj keni marrë dhe disa futbollistë të kampionatit të Superligës së Shqipërisë…. ?
Po është e vërtetë. Në skuadrën e Lirisë janë përfshërisë disa futbollistë të kampionatit të Superligës, ku mund të përmendim: Vrapin, Sefën, Koten, Maganin dhe Basriun. Jam optimist se këto futbollistë do të ngrejnë dukshëm nivelin e lojës te skadra e Lirisë.
-Për aq kohë sa jeni vënë në drejtimin e skuadrës së Lirisë, keni konstatuar ndryshime mes futbollit kosovar me atë të Shqipërisë?
Sigurisht që ndryshime ka. Infrastrukutra në Shqipëri është mjaft e mirë. Ndërsa në Kosovë po punohet që ajo të përmirësohet. Ajo që konstatoj është se në Kosovë ka shumë dëshirë për të punuar dhe jam optimist se në një periudhë të shkurtër ata jo vetëm që do të rrisin cilësinë sportive, por do të ndryshojnë dhe infrastrukturën.
-Cili është objektivi juaj në këtë kampionat?
Të jemi mes katër skuadrave më të mira të kampionatit dhe pse ajo parashkohet të jetë i fortë dhe i vështirë. Skuadrat kanë bërë merkato dhe lëvizjet e fundit. Skuadrat e Prishtinës, Trepca 89, Drita e Gjilanit dhe këtë edicion konsiderohen skuadra jo vetëm të forta për dhe të denjta për të fituar trofe.
-Skënderbeu jo vetëm pika e dobët e juaj, por tashmë e të gjithë vendit, po ju kënaq me ecurinë e saj në Europa League…. ?
Sigurisht që po. Skuadra ka zhvilluar ndeshje me dinjitet, duke merituar dhe kualifikimin e deritanishëm. Kjo ecuri e skuadrës sonë nuk më çudit aspak, pasi jo vetëm shorti deri-diku favorizues, por loja e saj ka shënuar rritje të dukshme në të gjithë treguesit e saj.
-Cilën ndeshje vlerësoni më të bukur…?
Të giitha. Është e vështirë të bësh dallim, se cila ka qenë ndeshja më e mirë. Skuadra meriton vlerësimin maksimal, për atë çfarë ka treguar në fushën e lojës. Kur fiton një skuadër, analizohen anët pozitive të sajë.
-A keni konstatuar ndonjë të metë që mund të ketë kjo skuadër?
Natyrshëm që mund të ekzistojnë dhe ndonjë të metë, por teksa shprehem për gazetën tuaj në mendje me vjen ajo shprehja se: “Fituesi nuk gjykohet” derisa skuadra i ka kaluar me sukses ndeshjet, nuk ka arsye ta analizosh ndryshe.
-Në prag ndeshja e dytë me Dinamon, aq më tepër që ju jeni një njohës shumë i mirë i kampionatit kroat…?
Rezultati i ndeshjes së parë është favorizues për skuadrën tonë. Jam optimist se skuadra jonë do të shkojë në ndeshjet e grupeve. Nuk duhet harruar emri që ka skuadra kundërshtare që në gjirin e saj ka futbollistë cilësorë. Thuhet që në krahasim me dy vitet e kaluara, kjo e sivjetmja ka ndryshuar, por unë besoj te forca e skuadrës sonë, sepse dhe ne kemi kapacitete që mund të bëjmë më të mirën.
-Keni ndonjë parashikim se deri ku mund të shkojë skuadra korçare …?
Skuadra e Skënderbeut do të jetë në garë për fitimin e të gjitha trofeve të kampionatit shqiptar, por unë kam dhe një parandjenjë se do të arrijë dhe ndeshjet në grupe. Kjo nuk është një gjë e re për skuadrën e Skëndërbeut që tashmë është mësuar me të gjitha.

Bisedoi
Nderim Goci

Artikulli paraprakKërcënohet Mbappe
Artikulli tjetërDurrësi dhe Saranda me furnizimin më të ulët me ujë këtë vit