Shkarkohet Giampaolo, Pioli trajner i Milanit

Stefano Pioli është emëruar trajner i ri i Milanit. Ai ka nënshkruar kontratë dyvjeçare dhe do ta pasojë Marco Giampaolon, i cili u shkarkua mbrëmë. Ndërkohë, tifozët “Rossoneri” e kanë shprehur menjëherë pakënaqësinë e tyre për trajnerin e ri.

Milani ka njoftuar se ka emëruar Stefano Piolin për trajner të ri. 53 vjeçari ka nënshkruar kontratë dyvjeçare me gjigantin italian, ndërsa do ta pasojë të shkarkuarin Marco Giampaolo.

Ky i fundit e pagoi fillimin e dobët të sezonit me “Rossoneri” duke u larguar pas vetëm shtatë ndeshjesh.

Ky është shkarkimi më i shpejtë i një trajneri në histori të klubit.

Pioli do ta drejtojë Milanin për herë të parë të dielën tjetër në ndeshje me Leccen.

Ndërsa, disa tifozë të Milanit e kanë shprehur dëshpërimin dhe mospajtimin e tyre për emërimin e Piolit, duke kërkuar nga ai të largohet ende pa e drejtuar as në stërvitje ekipin e ri.

Marco Giampaolo e ka thyer një rekord në Milan, duke zgjatur vetëm 111 ditë në pozitën e trajnerit të kuqezinjve, pasi dje u konfirmua shkarkimi i tij nga ai post.

Ish-trajneri i Empolit dhe Sampdorias u shkarkua mbrëmë, ndërsa Stefano Pioli besohet se do të konfirmohet së shpejti si trajneri i ri i gjigantit italian.

Me përjashtim të trajnerëve të përkohshëm, Giampaolo është trajneri që ka shërbyer si trajner për kohën më të shkurtë në histori të Milanit.

Ai e kishte drejtuar skuadrën e Milanit vetëm për shtatë ndeshje, duke rezultuar në tre fitore dhe katër disfata. Skuadra e tij i shënoi gjashtë gola dhe i pranoi nëntë, të gjitha në Serie A.

Milani njoftoi mbrëmë në një komunikatë për media se e ka shkarkuar Giampaolon nga pozita e trajnerit, duke e falënderuar atë për punën dhe duke i uruar sukses në të ardhmen.

“AC Milan njofton se e ka liruar Marco Giampaolon nga detyra e trajnerit të ekipit të parë. Klubi i është mirënjohës Marcos për punën e kryer dhe i uron të gjitha të mirat në karrierës e tij profesionale”, thuhet në njoftimin e klubit kuqezi.

Giampolo e zëvendësoi Gennaro Gattuson në stolin e gjigantit italian gjatë verës, pas tri sezoneve të mira në krye të Sampdorias.

Megjithatë, katër humbje në shtatë ndeshjet e para në ligë dhe mbi të gjitha paraqitjet e dobëta në cdo ndeshje i kushtuan atij me humbjen e pozitës në Milan.

Artikulli paraprakShpërthen rrjeti ndaj Ramës: “Te lagjia ime kanë ngelë vetëm qentë se njerëzit kanë ikë”…
Artikulli tjetërMustafi reagon ashpër ndaj tifozëve të Arsenalit: Më kritikojnë edhe kur s’luaj