Shifrat e abuzimit skandaloz

Tritan SHEHU

Qeveria vendos pa asnjë argument teknik e shkencor që mosha e atyre që përfitojnë nga i ashtuquajturi Check-Up të zgjerohet deri me 70 vjeç.
Kjo bëhet kur mbas dy vitesh që kjo procedurë, e aplikuar vetëm në vendin tonë, pa rentabilitet financiaro-klinik, me hapësira të mëdha keq përdorimësh të fondeve, me një kosto shumë të lartë për sistemin tonë shëndetësor etj, “funksionon” pa u dhënë asnjë konkluzion shkencor, klinik, financiar apo statistikor ky.
Deri më sot nuk është paraqitur asnjë publikim profesional, asnjë kumtese apo diskutim i vlefshëm, nuk ka as edhe një analizë të mirëfilltë për këtë iniciativë të kushtueshme.
Në fakt nuk publikohen as numrat e të ekzaminuarve që janë shumë më poshtë shifrës prej rreth  470 000 qytetarë, për të cilën paguhet detyrimisht rreth 6 M euro në vit nga buxheti, si dhe as përfundimet klinike të tyre.
Në këto kushte, përsëri në mënyrë okulte, pa asnjë argument financiar e klinik, dekretohet zgjerimi i hapësirës së moshës.
Natyrshëm del një pyetje, nqs nuk shtohet vlera e pagesës ndaj kompanisë, si ndodh që ajo ta marrë përsipër këtë shtesë gratis!?
Në fakt e vërteta është e thjeshtë: Duke qenë se numri i aplikimeve për Check-up nga qytetarët është shumë më i vogël se ai për të cilin buxheti paguan, gjë që nuk mund të mos krijojë probleme serioze, vendoset arbitrarisht zgjerimi i moshave, veçse për të fshehur dështimin.
Kësaj i thonë “shto miell e shto ujë”.
Në fakt kjo procedurë ekzaminimesh me këtë logjikë mund të zgjerohet edhe në drejtime të tjera ….!
Kjo është shëndetësia falas….. pa përfitim për qytetarët…me shpenzimet e buxhetit!

Artikulli paraprakRemitancat shënojnë rënie
Artikulli tjetërShpërthen në flakë makina te “Komuna e Parisit” në Tiranë