Shëndeti i Klinton dhe tërheqja në një pikë kritike të fushatës

Lisa Lerer, Ken Thomas

Shtëpia e Bardhë u zhyt në skandal. Demokratët u përballën me zgjedhje të ashpra në mes të mandatit dhe Hillary Clinton, më e famshme se bashkëshorti i saj, është kthyer në një makineri fushate që i bën të gjitha vetë. Por udhëtimet pa pushim të vitit 1998 shkaktuan pasoja. Clinton-it iu krijua një mpiksje gjaku pas veshit të saj të djathtë, duke e shtyrë doktorin e Shtëpisë së Bardhë të këshillojë shtrimin e saj në spital dhe një javë regjim shtrati.
E vendosur për të mos hequr dorë nga fushata në vazhdim, Clinton ra dakord për një tjetër alternativë: një infermiere do të udhëtonte me të për të administruar mjekimin dhe për të monitoruar shëndetin e Hillary-t. Ajo e mbajti të fshehtë problemin e saj shëndetësor pothuajse nga të gjithë, por rojet e saj të Shërbimit Sekret u paralajmëruan vetëm për shkak se një dëmtim i mundshëm mund të kërcënonte jetën e Clinton-it.
“Shumë pak njerëz ishin në dijeni në atë kohë”, kujton Dr. Connie Mariano në autobiografinë e saj. “Stafi i saj mendonte se kishte ndonjë tërheqje muskulore të shkaktuar gjatë stërvitjes”.
Rreth dy dekada më pas, dëshira e Clinton-it për të punuar edhe pse e sëmurë – dhe e vendosur për t’i mbajtur problemet shëndetësore sekrete – ka shkaktuar dy ditët më dëmtuese të fushatës së saj presidenciale dhe i ka ofruar një as në dorë rivalit të saj republikan, Donald Trump. Incidenti ka shkaktuar edhe shumë teori konspiracioni konservatore rreth shëndetit të saj dhe kanë ngritur pikëpyetje rreth dëshirës së saj për të qenë e hapur me zgjedhësit.
Videoja e saj ku shfaqet duke u lëkundur dhe penguar gjatë ceremonisë së 11 shtatorit ditën e dielë dhe komentet e saj të debatueshme për mbështetësit e Trumpit gjatë një eventi të mbledhjes së fondeve të premten e kaluar, ndodhën vetëm për shkak se vuan nga pneumonia kronike. Të paktën një pjesë e fajit i atribuohet një fakti të thjeshtë: dëshirës kokëfortë të Clinton-it për të mos ndjekur këshillat e mjekut, familjes dhe miqve.
“Kështu është ajo. Është një kafshë pune. Nuk ka rëndësi kush e këshillon, qoftë edhe bashkëshorti i saj apo vajza. Nuk ka rëndësi”, thotë guvernatori i Virxhinias, Terry McAuliffe, një demokrat i cili ka shërbyer si kreu i fushatës presidenciale të vitit 2008. “Nuk ka për të ndryshuar në këtë pikë të jetës së saj”.
Pas diagnozës së saj të pneumonisë të premten e kaluar, Clinton është zotuar të reagojë, kështu tha për “CNN” ditën e hënë. Publiku dhe shumica e ekipit të saj të fushatës nuk ishin vënë në dijeni. Zëvendëskandidati i saj, senatori i Virxhinias, Tim Kaine dhe menaxheri i fushatës, Robby Mook, refuzuan të tregonin se kur e kishin marrë vesh për herë të parë.
Vendimi për të vazhduar punën ishte një vendim për të cilin Clinton, e cila vuan nga alergjia sezonale që shpesh i kthehet në një kollë të tmerrshme, është penduar shumë tashmë. Demokratja ka marrë disa ditë pushim nga fushata, e detyruar të tërhiqet përkohësisht në një pikë tepër kritike të garës presidenciale.
Zëdhënësi i fushatës, Nick Merrill tha se kandidatja demokrate e ka kaluar ditën e së martës duke lexuar një material informues, duke i telefonuar ndihmësve të saj dhe duke parë Presidentin Barack Obama teksa bënte fushatë për llogari të saj në Filadelfia. Hillary do ta rifillojë fushatën ditën e enjte, tha zëdhënësi.
Duke u përballur me kritika të ashpra rreth mungesës së sinqertetit të saj, Hillary ka rënë dakord të tregojë më shumë rreth problemeve të saj shëndetësore. “Do të kisha qenë më mirë me shëndet po të isha tërhequr pak nga axhenda ime që ditën e premte”, tha Clinton për “CNN”. “Thjesht nuk mendoja se do të ishte diçka kaq e rëndë”.
Mbështetësit e saj po përpiqen ta kthejnë episodin në një simbol nderi dhe një kredencial për Shtëpinë e Bardhë. “Ajo është një grua që punon 20 orë në ditë dhe takon dhjetëra mijëra njerëz. Me këtë jetesë merr mikrobe, viruse e gjëra të tilla dhe mund të sfilitesh nga puna e shumtë”, tha guvernatori demokrat, Dannel Malloy. “Nëse nuk sëmuresh me grip, virus apo pneumoni gjatë fushatës, atëherë nuk je duke punuar sa duhet”.
Por incidenti ndjek modelin e vjetër të Clinton-it që lë pas dorë shëndetin dhe vuan pasojat fizike dhe politike të tij. Gjatë ditëve aktive të saj si sekretare e Shtetit, ajo pësoi tronditje nga një episod kur i ra të fikët në shtëpinë e saj, për të cilën doktori fajësoi dehidratimin dhe një virus në stomak që ajo kishte marrë gjatë udhëtimit në Europë. Gjatë vlerësimeve të mëpasshme, Clinton-i u diagnostikua me një mpiksje gjaku në një enë që ndodhej mes trurit dhe kafkës pas veshit të saj të djathtë.
Për t’u shëruar, ajo kaloi disa ditë në spital dhe mori një pushim prej 1 muaji nga Departamenti i Shtetit për t’u mjekuar. Fizioterapistja e saj, Dr. Lisa Bardack, tha në vitin 2013 se analizat kishin treguar një zhdukje tërësore të pasojave të tronditjes së pësuar. Por episodi u bë epiqendra e një thashethemi politik rreth shëndetit të saj, i cili u përkeqësua me kalimin e kohës me vazhdimin e fushatës presidenciale. Trumpi natyrisht i ka shfrytëzuar këto shqetësime duke vënë shpesh në pikëpyetje qëndrueshmërinë dhe energjinë e Hillary-t.
Kjo i ka tërbuar miqtë dhe mbështetësit e Clinton-it, të cilët tregojnë shumë e shumë histori të saj kur refuzonte të merrte qoftë edhe një ditë pushimi. “Unë jam 20 vjet më e re se Hillary dhe nuk ka ditë në jetën time që të kem punuar më shumë se ajo”, thotë Neera Tanden, ish-ndihmësja e politikës së Hillary-t dhe presidente e Qendrës amerikane të Zhvillimit. “Gjithmonë e kam parë të ngrihet më shpejt dhe të qëndrojë më vonë se unë në darkë”.
Tanden kujton një kohë për Clinton, atëherë senatore e New York-ut, refuzoi të anulonte një deklaratë publike që duhet të mbante edhe pse ishte sëmurë. Stafi i saj kishte planifikuar të sillnin fëmijët për të takuar Hillary-n dhe nuk donte të zhgënjente fëmijët.
“U ndjeva shumë keq. Zëri i kishte ikur dhe dukej qartë se kishte një kollë shumë të keqe”, tha Tanden, e cila tashmë ka një fotografi të vajzës së saj me Hillary Clinton-in atë ditë. “Megjithatë ajo nuk ankohej. Nuk mund t’i zhgënjeja dot gjithë këto fëmijë, tha”.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI

Artikulli paraprakAustria shtyn zgjedhjet e balotazhit për President
Artikulli tjetërTensionet e migrimit në BE