Shehu mbështet Rezolutën e KiE për krimet e ISIS

Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu ka mbështetur Rzolutën e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, të miratuara sot në Strasburg, e cila i cilëson krimet e ISIS si krime kundër njerëzimit dhe genocid. Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, deputeti demokrat thekson se, vendime të tilla synojnë t’i japin fund krimeve ndaj njerëzimit, ndërsa sjell edhe fjalën e tij mbështetëse të mbajtur në Asamble. “Këta kriminelë të financuar, të organizuar, të grumbulluar në shtetin e tyre të errësirës, nuk tentojnë vetëm të vrasin mijëra njerëz, të shfrytëzojnë pasuritë, të përdhunojnë gratë, të implementojnë skllavërinë, por dhe shumë më tepër, kërkojnë të shkatërrojnë njeriun si qenie njerëzore, civile e pjesë të një shoqërie të të drejtës, të shkatërrojnë të gjithë shoqërinë tonë, kulturën tonë, vlerat tona. Pra përpara nesh nuk kemi të bëjmë vetëm me një grup kriminal, por me një mekanizëm të gjithë të krijuar e organizuar, të terrorit e aksionit, që nuk ka kufij moralë e gjeografikë, që sulmon botën mbarë, që konsideron armik për t’u vrarë ose kthyer në skllav, cilindo që nuk bën pjesë në organizatën e tyre kriminale. Ky është realiteti tragjik i këtij terrorizmi e radikalizmi, është e vërteta që më shumë dhimbje nuk mund ta mohojmë ose të bëjmë si struci që e fut kokën në rërë për të mos parë realitetin. Ne duhet ta njohim për ta përballuar e mundur atë. Në këtë kontekst unë jam krejt dakort me dokumentin e paraqitur, duke vënë në evidencë që krimet e realizuara nga ISIS, në të gjithë dimensionet e tyre, karakteristikat, përfshirjen, elementët etj, krijojnë strukturën e krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit e genocidit, dhe kështu duhet të përballohen e ndëshkohen”, thotë ndër të tjera Shehu në reagimin e tij.

Artikulli paraprakShqipëria, vendi me papunësinë më të lartë në Europën Juglindore
Artikulli tjetërAnketimi, 31% e bizneseve: Klima për investime është përkeqësuar