Shefi i policisë fut drogë dhe celularë në qeli për të dënuarit

Shefi i Policisë së Burgut të Durrësit, Pirro Puriqi fut drogë dhe celularë në qeli për të dënuarit. Denoncimi është bërë nga një punonjës policie i këtij burgu, i cili i është drejtuar me një mesazh ish-Kryeministrit Berisha. “Shefi i Policisë i Burgut në Narko-Republikën e Noriegës, garanton mallin për të dënuarit! Oficeri dixhital denoncon shefin e Policisë së Burgut të Durrësit, Pirro Puriqi lejon drogë, merr ryshfete, fut celularë në burg. Lexoni mesazhin e tij!”, shkruan Berisha.
“Zoti Berisha unë që po ju shkruaj jam një punonjës i Policisë së Burgut të Durrësit. Shefi i Policisë së Burgut të Durrësit, Pirro Puriqi e ka kthyer Burgun e Durrësit në një Kolumbi të dytë, ky person është kthyer në gangrenën e burgut, pasi e ka kthyer Burgun në një pazar, duke e mbushur plot drogë dhe celularë, është bërë palë me të burgosurit. Një pjesë të burgosurve i merr nga 400 euro në muaj, duke i kryer favore! Me ardhjen e drejtorit të ri uroj të bëhen kontrolle në këtë burg, pasi situata ka shkuar shumë keq, ky person bën ç’të dojë, pasi është lidhur me kriminelë dhe banditë dhe shprehet lart e poshtë që ka mbështetje politike nga Ilir Jashari, ky i fundit është një i burgosur dhe njihet si mik i Taulant Ballës! Ju lutem bëni diçka se po punojmë të stresuar dhe në presion! Duke ju falenderuar, punonjësi i Policisë së Burgjeve Durrës R.I”, shkruan punonjësi i policisë.

Artikulli paraprakVrasja e dyfishtë në Vlorë, Prokuroria hetime jashtë vendit
Artikulli tjetërSafet Gjici përdor futbollin për fushatën e PS