SHBA, kundërpërgjigje për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhje

Presidenti amerikan, Barack Obama, tha se Shtetet e Bashkuara do të “ndërmarrin aksion” kundër Rusisë për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale.
Në intervistën për Radion Publike Kombëtare, të publikuar mbrëmë vonë, zoti Obama tha se kishte folur “direkt” me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, për këtë çështje.
“Mendoj se nuk ka dyshim se kur një qeveri e jashtme përpiqet të ndikojë në integritetin e zgjedhjeve tona… ne duhet të ndërmarrim aksion dhe do ta bëjmë këtë, në kohën dhe vendin që ne do ta zgjedhim. Diçka nga kjo do të jetë e qartë dhe e publikuar, diçka ndoshta jo. Por, zoti Putin është tejet i vetëdijshëm për ndjenjat e mia për këtë, pasi unë fola direkt me të për këtë”, tha Barack Obama.
Këto komente u bënë derisa Shtëpia e Bardhë i ka shtuar sugjerimet se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, personalisht i ka urdhëruar sulmet kibernetike dhe rrjedhjen e e-mail-eve të demokratëve, në përpjekje për ta ndihmuar Donald Trumpin, që të triumfojë ndaj rivales demokrate, Hillary Clinton.
Më herët, zëvendëskëshilltari për siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Ben Rhodes, i tha rrjetit “MSNBC” se, “nuk mendoj se gjërat në qeverinë ruse të kësaj rëndësie ndodhin pa dijen e Vladimir Putinit… kur ju bisedoni për ndërhyrje kibernetike sikur kjo, ne flasim për nivelet më të larta të qeverisjes”.
Këto komente të tij u bënë pas raporteve aktuale në media ku janë cituar zyrtarë të paemëruar të inteligjencës amerikane, që kanë thënë se vlerësimet e CIA-s kanë përcaktuar se synim i Rusisë ishte me të vërtetë ta ndihmojë presidentin e zgjedhur, Donald Trump, që t’i shkaktojë disfatë rivales demokrate, Hillary Clinton, në zgjedhjet e 8 nëntorit.
Presidenca e Rusisë dhe Donald Trump i kanë hedhur poshtë këto akuza.
Në muajin tetor, Barack Obama, e ka autorizuar drejtorin e sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe Departamentin e Sigurisë së Brendshme, për ta publikuar deklaratën ku thuhej se ata janë “të sigurt” se qeveria e Rusisë i ka “udhëhequr” sulmet kibernetike kundër e-mail-eve të Komitetit Kombëtar Demokratik dhe fushatës Clinton, pos të tjerash.
E-mail-et e rrjedhur nga këto ndërhyrje janë parë gjerësisht se e kanë dëmtuar zonjën Clinton në zgjedhje.
Në deklaratën e muajit tetor nuk është përmendur presidenti rus, Vladimir Putin, ose nuk ishte sugjeruar se përpjekjet e dyshuara ruse kishin për qëllim ta ndihmonin Trumpin, i cili ka shprehur përkushtim për synim të afrimit me Moskën, pas tensioneve të ashpra ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, për shkak të konflikteve në Ukrainë dhe Siri.
Komentet e zotit Rhodes u bënë më pak se 24 orë pasi në një raport të rrjetit “NBC News” thuhej se zyrtarët e inteligjencës së Shteteve të Bashkuara besojnë me “nivel të lartë të sigurisë” se Putini personalisht ishte i involvuar në përpjekjet ruse për ndërhyrje në zgjedhje.
Dmitry Peskov, zëdhënës i Putinit, u tha gazetarëve se Kremlini konsideron se raporti është “marri qesharake”.
Duke mos e dënuar në mënyrë të qartë, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha se ishte “i tronditur” nga raporti dhe shtoi se “në pikëpamjen time, budallallëku dhe dështimi absolut i një përpjekjeje për ta bindur dikë për këtë është i qartë”.
Më vonë agjencia “Reuters” i ka cituar tre zyrtarë të paidentifikuar të Shteteve të Bashkuara që kanë thënë se Putin i ka mbikëqyrur sulmet kibernetike të agjencive të inteligjencës ndaj zgjedhjeve amerikane dhe e ka ndryshuar qëllimin – nga diskreditimi i demokracisë së Shteteve të Bashkuara në dhënien e ndihmës për Trumpin.

Artikulli paraprakRusia, SHBA të japë prova për ndërhyrjen në zgjedhje
Artikulli tjetërKompanitë e teknologjisë së lartë ndryshojnë qëndrim