SHBA kategorizojnë Korenë e Veriut si shtet terrorist

Pushtetmbajtësi korean Kim Jong Un mbetet kundërshtari i preferuar i Presidentit të SHBA. Pas toneve gati pajtuese, Donald Trump shprehet sërish ashpër. Po cilat sanksione do të pasojnë?
SHBA e kategorizojnë Korenë e Veriut sërish si mbështetëse të terrorizmit. Kjo duhet të kishte ndodhur prej vitesh, tha Presidenti Donald Trump para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë. Ky hap bën të mundur që kundër Koresë së Veriut të vendosen masa të tjera ndëshkimore. Por nga ana tjetër, ai është në një masë të madhe simbolike, sepse SHBA ndjekin që tani në mënyrë masive sanksione kundër Koresë së Veriut. Se për cilat masa ndëshkimore bëhet fjalë, këtë Ministria e Financave do ta shpallë të martën, tha Trump.
Tensionet midis Koresë së Veriut dhe SHBA janë shtuar muajt e fundit, pas disa testeve raketore dhe atomike të Koresë së Veriut, e cila është e izoluar ndërkombëtarisht në një masë të madhe. Të dyja palët e mbuluan njëra-tjetrën me kërcënime dhe me retorikë lufte. Koreja e Veriut, sipas të dhënave të saj, punon për ndërtimin e raketave, me të cilat mund të arrijë SHBA. Dy herë deri tani ajo ka lëshuar raketa mbi Japoni.

Hap i madh?
Gjatë udhëtimit të tij në Azi, Trumpi u përpoq për të shënuar përparime në konfliktin e Koresë. Kështu Presidenti i SHBA e përshëndeti si “hap të madh” vendimin e Kinës për të dërguar një të ngarkuar të posaçëm në Phenian. Njëkohësisht ai deklaroi se koha për një rrugëdalje nga kriza atomike kalon “shpejt”.
Ndërkohë, i ngarkuari i posaçëm i Pekinit e përfundoi vizitën e tij në kryeqytetin koreanoverior. Agjencia kineze e lajmeve “Hsinhua” bëri të ditur se të dyja palët diskutuan tema “me interes të përbashkët”, midis tyre “çështje në gadishullin korean”. Mbeti e paqartë nëse i dërguari i posaçëm u takua edhe me pushtetmbajtësin Kim Jong Un.

Artikulli paraprakPresidenti i Iranit shpall fundin e Shtetit Islamik
Artikulli tjetërGjermani, Angela Merkel nuk do të dorëhiqet