SHBA denoncon lëvizjet e fundit ruse ndaj mediave amerikane

Ambasadori amerikan në Rusi denoncoi të dielën lëvizjen e Moskës për të detyruar nëntë media amerikane me fonde qeveritare që të regjistrohen si “agjentë të huaj”, si të ekzagjeruar në krahasim me atë që bëri qeveria amerikane kur i kërkoi rrjetit televiziv RT të financuar nga Kremlini për t’u regjistruar si i tillë në Shtetet e Bashkuara.
Ambasadori Jon Huntsman tha se reagimi rus nuk është aspak “reciprok” dhe lëvizja e Moskës drejt masave për agjencitë e lajmeve, nëse zbatohet do ta bënte “praktikisht të pamundur që ato të funksionojnë” në Rusi.
Ai tha se, Ligji për Regjistrimin e Agjentëve të Huaj (FARA) në bazë të të cilit është regjistruar RT, ka si synim nxitjen e transparencës, por nuk kufizon operacionet e rrjetit televiziv në Shtetet e Bashkuara.
Dhoma e Ulët e Parlamentit rus miratoi të mërkurën amendamente për zgjerimin e efektit të një ligji të vitit 2012 që vë në shënjestër organizatat qeveritare, përfshirë median e huaj. Shpallja si agjentë të huaj do t’u kërkonte mediave të huaja që rregullisht të bënin publike objektivat e tyre, detaje të plota të financave, burimet e fondeve dhe personelin.
Ministria ruse e Drejtësisë tha të enjten se kishte njoftuar “Zërin e Amerikës”, Radion “Evropa e Lirë”/Radion Liria dhe shtatë media të veçanta rajonale që veprojnë në Rusi, që mund të prekeshin nga ky ndryshim.
“Nuk është aspak e ngjashme me atë që po bëjmë ne me FARA-n. Është përtej saj. Dhe ne mendojmë se parimet e medias së lirë në çdo shoqëri dhe demokraci të lirë, janë absolutisht kritike për ne. Liria e shprehjes është pjesë e saj. Prandaj për mua ka rëndësi kjo çështje”, tha Ambasadori Huntsman.
Ministria ruse e Drejtësisë tha se, kërkesat e reja pritet të kthehen në ligj “në të ardhmen e afërt”.
Drejtoresha e “Zërit të Amerikës”, Amanda Bennett tha këtë javë se, “Zëri i Amerikës” është, sipas ligjit, një organizatë lajmesh e pavarur, e paanshme dhe e bazuar në fakte”.
Presidenti i Radios “Evropa e Lirë” dhe Radio Liria, Tom Kent, tha se ndryshe nga Sputnik dhe media të tjera ruse që veprojnë në SHBA, mediat amerikane që veprojnë në Rusi nuk kanë qasje në televizionin kabllor dhe në frekuencat e radios.

Artikulli paraprakTurqia, Rusia dhe Irani diskutojnë për Sirinë
Artikulli tjetërKosovë, ndryshime pushteti në disa komuna