SHBA-BE: Reforma në Drejtësi në udhëkryq

Ambasadorët e SHBA dhe BE deklarojnë se Reforma në Drejtësi ndodhet në udhëkryq. Dje ambasadori amerikan Lu dhe ajo e BE, Vlahutin kanë qenë të pranishëm në mbledhjet e grupeve parlamentare të PS dhe LSI.
Mbledhja e Grupit parlamentar e PS-së e zhvilluar me dyer të mbyllura dhe ku ishin të pranishëm edhe ambasadori i BE-së, Romana Vlahutin dhe i SHBA-së, Donald Lu e nisur dje rreth orës 15:00 përfundoi një orë më vonë. Përmes një deklarate për median, ata treguan arsyen e kësaj situate të pazakontë ku ambasadorët marrin pjesë në mbledhjet me dyer të mbyllura të grupeve parlamentare. “Ne pranojmë që është e pazakontë që ambasadorët e huaj të takohen me grupet parlamentare. Mendojmë se jemi në një udhëkryq të pazakontë për Reformën në Drejtësi, i cili kërkon komunikim të pazakontë dhe vullnet politik. Prania ime sot këtu është shenjë e rëndësisë së kësaj reforme për qeverinë e SHBA”, u shpreh ambasadori i SHBA. Nga ana e saj Vlahutin ishte më e drejtpërdrejtë kur foli për afatet, duke kërkuar për të mos humbur kohë dhe miratimin e reformës para mbylljes së këtij sesioni parlamentar. “Nuk mendoj se është fare e pazakontë që partnerët të flasin me njëri-tjetrin. Ne jemi këtu në të vërtetë që Shqipëria të arrijë standardet e nevojshme për Bashkimin Europian dhe që të çelen negociatat për t’u arritur anëtarësimi në BE. Jemi të angazhuar në një dialog si miq dhe partnerë. E drejta sovrane e deputetëve që të votojnë në Parlament është një e drejtë e tyre, sovranitet që atyre ua kanë dhënë zgjedhësit shqiptarë kur i kanë votuar. Kjo është një gjë, të cilën ne e respektojmë plotësisht dhe kurrë nuk do ta pengonim këtë gjë apo të ndërhynim. Por siç e thashë është tejet e rëndësishme që ne të përfshihemi në një dialog si aletatë dhe ta shpjegojmë këtë në kontekstin e vet duke marrë parasysh dhe zgjerimin e BE. Ne e dimë që nga ana jonë kemi disa afate të caktuara kohore dhe dëshironim t’i ritheksonim këto çështje, në mënyrë që të fillohet puna me zbatimin e reformës”.

Artikulli paraprakNishani takime me krerët e shtetit kroat
Artikulli tjetërProkuroria sekuestro 600 mijë euro të djalit 9-vjeçar të Taçit