Sfidat e 30 viteve të ardhshme

Bryan Lufkin

Gjatë muajve të fundit, BBC ka analizuar disa nga problemet më të mëdha me të cilat përballet raca njerëzore në këto momente si përdorimi i tepërt i tokës të shfrytëzuar nga popullsia, e ardhmja e energjisë bërthamore, hendeku i madh ndërmjet të pasurve dhe të varfërve si dhe shumë të tjera. Por cilat janë sfidat e mëdha me të cilat do të përballemi në të ardhmen? Pas 30 vitesh, çfarë problemesh mund të jetë në axhendën botërore? Është e pamundur të parashikohet, por disa shenja tregojnë se si mund të ecin trendet e shkencës dhe teknologjisë.

Modifikimi gjenetik i njerëzve
Debatet ndërmjet shkencëtarëve kanë filluar vitin e kaluar për një teknologji të re që të lejon të manipulosh ADN-në njerëzore. Quhet Crispr (shqiptohet ‘krisper’) dhe ka për qëllim ndryshimin e ADN-së për të zhdukur sëmundjet si kanceri. Fantastike, ë? Por po sikur të marrë një kthesë të rrezikshme etike dhe të kthehet në një projekt eugjenik për të krijuar “super-bebe”, duke përzgjedhur embrionet që prodhojnë bebe me një nivel të caktuar inteligjence apo që kanë karakteristika fizike të caktuara?
Edhe pse është një teknologji që nuk përdoret aq shumë sa për t’u kategorizuar si “sfidë madhore”, bëhet fjalë përsëri për një arritje që do të evolojë dhe duhet të përgatitemi për pasoja nga më të ndryshmet që mund të sjellë me vete. Kjo është një arsye më shumë për t’u siguruar që ekspertët e etikës të kenë një post nëçdo laborator, universitet dhe koorporatë që merret me manipulimin e ADN-së. Askush të mos lejohet të luajë rolin e Zotit!

Popullsi akoma më e plakur
Jo vetëm që do të përballemi me një numër tëshpërthyer të popullsisë së botës, por njerëzit do të jetojnë më gjatë se kurrë më parë gjithashtu. Kjo është gjë e mirë, por gjithë ata të moshuar do të kenë nevojë për përkujdesje-në fakt, numri i 100-vjeçarëve do të rritet mbi 50 herë më shumë – nga 500 mijë në ditët e sotme, deri në 26 milionë në vitin 2100. Nga Mbretëria e Bashkuar, tek Japonia dhe Kina, shoqëritë me numër të madh popullsie mbi moshën 65-vjeçare do të jenë mëse të zakonshme. Gjatë dekadave të ardhshme, teksa vërehet kjo rritje, do të na duhet një përkujdes më i madh për të moshuarit, madje Japonia ka filluar të planifikojë modelet robotikë që do të shërbejnë të moshuarit në të ardhmen.

Qytetet e humbur
Nuk ka nevojë të jesh ekspert për të kuptuar në një vend si Miami se si po ndryshojnë qytetet në shekullin XXI. Rritja e nivelit të deteve po shkakton gradualisht zhdukjen e disa prej tyre. Të ushqyera nga ndryshimi i klimës, jo vetëm që përmbytjet po bëhen gjithnjë e më të shpeshta, por edhe dizajni i ndërtesave po influencohet nga modelet e reja të klimës. Përveç digave më të shumta dhe më të mëdha, qytete tani kërkojnë ndërtesa të reja me katin e parë të ngritur nga toka. Megjithatë, kjo është vetëm një mënyrë parandalimi, pasi nëse trendet aktuale vazhdojnë, mund të na duhet të përballemi me humbjen e plotë të disa qyteteve, ishujve dhe rajoneve të ulëta si Bangladeshi. Impakti ekonomik në këto rajone do të jetë i thellë dhe refugjatët e klimës do të kthehen në diçka të zakonshme. Që tani është rritur presioni mbi qytetet me rritjen e popullsisë urbane. Nëse ndryshimi i klimës shkakton edhe emigracionin në masë, atëherë infrastruktura ekzistuese, shërbimet dhe ekonomia do të tendoset deri në pikën e thyerjes.

Evolucioni i mediave sociale
Mediat sociale kanë ndërlikuar mënyrën se si komunikojmë gjatë dekatës së fundit dhe nuk ka ndërmend të shkojnë gjëkundi, duke qenë se shumica e njerëzve i marrin lajmet dhe informacionet prej saj. Si mund të duket media sociale pas 30 vitesh, dhe cilat do të jenë kërcënimet që do të sjellë atëherë? Së pari, një botë pa privatësi për askënd. Ky është një nga problemet që kemi filluar ta shohim edhe sot.
Përveç dobësimit të dëshirës tonë për anonimitet dhe privatësi, media sociale sjell me vete edhe problemin e bulizmit kibernetik. Shumë organizata bamirësie dhe OJF nëpër botë janë mobilizuar në luftën kundër trolleve në internet, por ende nuk dihet nëse forcat e zbatimit të ligjit dhe kompanitë e mediave sociale do të arrijnë ndonjëherë ta zgjidhin këtë problem, apo do të vazhdojë të përkeqësohet.
Më pas vjen edhe problemi i ditës sonë të informacionit. Nëse status kuo i “fake news” të dyshimta që qarkullojnë nëpër rrjet mbetet i pandryshuar, si do të ndikojë në mënyrën si njerëzit shohin botën? Nëse individët kalojnë muaj, vite dhe dekada të ekspozuar ndaj burimeve të dyshimta të informacionit, atëherë shoqëria civile dhe debati konstruktiv është i dënuar me vdekje.
Thënë kjo, duke ditur sa shpejt media sociale ka ardhur në botë, një optimist mund të sugjerojë se problemi mund të zgjidhet shpejt. Pas 30 vitesh mund ta gjejmë veten, duke u marrë me probleme të media sociale që sot as nuk i magjinojmë. Në fund të fundit, Facebook-u është vetëm 13vjeç. Të shohim si do të jetë tranziti nga adoleshenca në moshën e pjekurisë.

Tensione të reja gjeopolitike
Vitin e fundit kemi parë një tronditje të madhe të balancës delikate të gjeopolitikës. Kjo mund të ngrejë një pikëpyetje të madhe mbi stabilitetin global të dekatave të ardhshme. Lëshime të raketave nga Korea e Veriut. Mijëra refugjatë që kalojnë kufirin për t’ju larguar konflikteve të armatosura. Haker që ndërhyjnë në zgjedhjet e shteteve të huaja. Rritja e nacionalizmit, e shumë të tjera.
Kryetitujt e viteve të fundit janë dominuar nga dramat politike, që kanë shkaktuar një tronditje të paprecedent gjeopolitike, probleme nga më të ndryshmet që nga Korea e Veriut dhe programi bërthamor, tek lufta e Sirisë dhe largimi i Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Europian. Nëse shtojmë këtu edhe paparashikueshmërinë e fuqisë bërthamore dhe teknologjive të ndryshme të rrezikshme në duar të dyshimta, është e lehtë të kuptohet rëndësia e mirëmbajtjes së diplomacisë.

Siguria e automjeteve
Pavarësisht urbanizimit të shpejtë, trenave super-sonikë dhe teknologjitë fantastiko-shkencore si Hyperloop, makinat që përdorim sot nuk do të zhduken, në fakt gjatë dekadave të ardhme mund të ketë akoma më shumë makina në rrugë. Tekonologjia e makinave pa shofer është duke u përmirësuar dita-ditës dhe shumë kompani tëmëdha teknologjie në bashkëpunim me kompanitëe prodhimit të automjeteve kërkojnë agresivisht të fusin në treg makinat pa shofer gjatë viteve të ardhshem. Megjithatë, me apo pa shofer, numri i makinave do të rritet në mënyrë të jashtëzakonshme. Në vendet si Kina me një rritje të paprecedent të shtresës së mesme të popullsisë, nevojat infrastrukturore dhe mjedisore që rritet me numrin e automjeteve në qarkullim, do të kthehen në sfida të mëdha. Si mund rritet siguria e makinave, të luftohet ndotja dhe të garantohet që makinat pa shofer të mos jenë kërcënim në rrugë?

Reduktimi i burimeve
Teknologjitë e reja dhe pajisjet që karakterizojnë shekullin XXI kërkojnë të gjitha metale të ralla. Për shembull, një smartphone i zakonshëm kërkon mesatarisht 60 “përbërës” të ndryshëm për t’u ndërtuar. Kjo po i mundon shumë burimet natyrore të planetit. Në Kinë, aty ku gjenden 90 përqind e metaleve më të rrallë në botë, është parashikuar që minierat do të shterohen plotësisht gjatë dy dekadave të ardhshme. Zëvendësuesit e mirë të këtyre materialeve janë të vështirë të gjenden.

Botët e tjera
Si do të garantojnë sigurinë e aktiviteve të tyre kompanitë e turizmit hapësinor? Si do ta gjejmë mënyrën për të dërguar njerëzit në Mars, apo në ndonjë planet tjetër për të jetuar, siç na ka sugjeruar edhe Stephen Hawking? Udhëtimi hapësinor duket se është qëllimi i agjencive hapësinore dhe miliarderëve të ditëve të sotme, por teksa bëhet më i arritshëm përtë gjithë të tjerët, një gamë e madhe sfidash të reja do të dalë në sipërfaqe. Hapësira e largët ka filluar të duket më pak si diçka e paarritshme dhe më shumë si destinacion i ardhshëm turistik. Tani që po vërshojnë para nga të gjitha anët për t’i dërguar njerëzit në hapësirë, logjistika, siguria dhe diplomacia që fshihen pas sfidave të ardhshme do të kërkojnë më shumë kujdes.

Rritja e fuqisë së trurit
Është bërë e zakonshme të përdoren droga të ndryshme për të rritur fuqinë e trurit (qoftë kafe, apo diçka më e fortë si modafinil) dhe shumica e botës së zhvilluar tani e përdorin smartphonin si një lloj memorie të jashtme të trurit të tyre, por le ta çojmë teorinë disa dekada më vonë. Imagjinoni ilaçe farmaceutike që na bëjnë të mendojmë më shpejt nga sa është e mundur tani dhe implante teknologjike që nandihmojnë të përqendrohemi përtej kapacitetit njerëzor për orë dhe ditë të tëra. Imagjinoni tani që të gjitha këto janë aktulisht, duke u studiuar në laboratore të shumtë nëpër botë. Pyetja që lind është: Çfarë do të ndodhë me ata që nuk t’i blejnë dot këto ilaçe? A mundet kjo teknologji ta rrisë akoma më shumë pabarazinë dhe të lejojë të pasurit të bëhen akoma më të pasur? Më pas vjen edhe problemi ligjor dhe etik. Është e pranueshme të pish një kafe përpara se të hysh në provim, por a është e pranueshme të përdorësh një implant ose drogë?

Përgatiti
KLARITA BAJRAKTARI

Artikulli paraprakParaja është e paparashikueshme
Artikulli tjetërPse “fake news” fiton