Sërish skandal me koncesionin e Spitallës parashikuar për Olsin

Ministria e Ekonomisë ka shpallur ditët e fundit fituesin e koncesionit për ndërtimin, zhvillimin, mirëmbajtjen dhe operimin e Zonës së Teknologjisë dhe Zhvillimit Ekonomik (ZTZHE) të Spitallës, në Durrës.
Zona e lirë ekonomike do të ketë një sipërfaqe prej 101,2 hektarësh dhe do të jepet për 99 vjet me një qira simbolike prej 1 euro, konsorciumit të kompanive “Pelikan” shpk, “The Best Construction” shpk dhe “Vëllezërit Hysa” shpk.
Konsorciumi i kompanive, i cili do të përfitojë nga taksa preferenciale, parashikon të ndërtojë një fabrikë për pasurimin e ferrokromit, një investim prej 39 milionë eurosh që mund të punësojë deri në 2500 punonjës.
ZTZHE në Spitallë është një prej tri zonave të lira ekonomike të shpallura nga Ministria e Ekonomisë që në gusht të vitit 2015. Dy zonat e tjera janë në Koplik dhe Vlorë.
Dhënia me koncesion e zonës ekonomike në Spitallë ka histori të gjatë. Në vitin 2008, qeveria Berisha njoftoi zhvillimin e një parku industrial prej 805 hektarësh, me koncesion 35-vjeçar. Plani nuk u zbatua asnjëherë.
Në janar 2015, qeveria e Rama e zvogëloi sipërfaqen e zonës në 500 hektarë, me një çmim simbolik prej 1 euro dhe një koncesion prej 35 vjetësh. Në korrik të vitit 2015, kohëzgjatja e koncesionit u shtri deri në 99 vjet.
Përkundër thashethemeve rreth investitorëve turq apo maqedonas, tenderi, i hapur nga qeveria, mori vetëm dy oferta nga kompani kineze pa ndonjë eksperiencë të mëparshme në këtë fushë. Një nga dy ofertuesit publikoi një foto në internet ku kishte dalë së bashku me vëllain e kryeministrit Rama. Ky tender u anulua në shkurt të vitit 2016 nga Kryeministri Rama për të “shmangur spekulimet politike”:
“Unë dëgjova një akuzë për një proces transparent, me procedurë ndërkombëtare, për Zonën Ekonomike të Spitallës dhe vetëm për faktin që im vëlla ishte shoqëruar me një shokun e tij që nga emigracioni në Amerikë, që është sipërmarrës dhe është i lidhur me kompaninë që mund të ishte fituese, unë i kërkova ministrit anulimin”.
Ndërmarrjet kineze, megjithatë, morën një përgjigje zyrtare nga ministrja Milva Ekonomi ku shkruhej se, “dokumentet e tyre nuk plotësonin kushtet e vendosura nga Ministria e Ekonomisë”. Më pas në prill 2016 sipërfaqja e zonës u reduktua më tej në 200 hektarë.
Në shkurt 2017, një tender i dytë u njoftua nga ministrja Ekonomi për 101.2 hektarë, i cili tani është fituar nga konsorciumi shqiptar.

Fiton kompania me ofertë 53 milionë euro më pak

Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka surprizuar jo pak me vendimin e saj, për të shpallur kompaninë fituese që do të zhvillojë zonën industriale në Spitallë të Durrësit. Sipas ministrisë, konsorciumi fitues është bashkimi i përkohshëm i kompanive “Pelikani”, “Vëllezërit Hysa” dhe “Best Construction”, me një vlerë financiare prej 38,4 mln eurosh. Kjo shumë rezulton dyfish më pak se oferta që kompania e dytë në garë, kishte ofruar për investim, rreth 92 mln euro.
Kjo vendimmarrje e ministrisë, shton dyshimet se shpallja e fituesit, lidhet me afera korruptive të njerëzve me pushtet, që qëndrojnë pas këtij konsorciumi. Por vlera financiare nuk është elementi i vetëm që e komprometon këtë vendim.
Mësohet se kompania e shpallur fituese, ka në plan që në zonën e Spitallës, të ndërtojë një fabrikë të pasurimit të ferrokromit. Ky fakt bie në kundërshtim me llojin e aktivitetit që parashikohet për zhvillimin e kësaj zone. Nëse do të gjejë zbatim, ky projekt do të ketë një ndikim të madh negativ në mjedis, pasi Spitalla është vetëm 2 km larg zonës turistike të Gjirit të Lalzit apo Hamallajt.
Plan-projekti dhe vlera financiare, janë dy elemente thelbësorë që përcaktojnë fituesin në një garë, por mesa duket, ministria dhe Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, nuk i kanë marrë këto në konsideratë, duke ngritur pikëpyetje lidhur me këtë vendimmarrje. Dyshimet shtohen më tej kur Komisioni i Vlerësimit të Ofertave ka marrë vendim për të shtyrë me dy herë afatin për shpalljen e fituesit, pa dhënë asnjë arsye për ta argumentuar.
E nëse do të flitet më tej për kriteret e tjera lidhur me kohën e përfundimit të investimit, numrin e të punësuarve, planin e biznesit etj., vendimmarrja e Ministrisë së Ekonomisë do të duhet të anulohet, pasi është në shkelje të hapur të ligjit. Ky vendim absurd që shpërfill interesin për komunitetin dhe buxhetin e shtetit duket se do të përfundojë në Prokurori.

Dy kompanitë që garuan për koncesionin

Ofertën më të madhe e ka dhënë kompania “Edil Al-IT” me seli në Tiranë. Kjo firmë kërkon të zhvillojë këtë zonë me një investim rreth 89 milionë euro, ndërsa synonte të hapte 12 mijë vende të reja pune. Zarfi i dytë është ai i kompanisë “Pelikan” sh.p.k. Investimi i firmës nga Durrësi është për 10 vite, deri më 2027-n dhe ka një vlerë prej 38.9 milionë eurosh. “Pelikan” sh.p.k. thotë se do të hapë 2,500 vende të reja pune. Objekti i kontratës është ndërtimi, zhvillimi, mirëmbajtja dhe operimi i zonës së teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik, në Spitallë, Durrës, për një periudhë 99-vjeçare. Zona shtrihet në afërsi me Portin e Durrësit, më të madhin dhe më të rëndësishmin në Shqipëri, pranë qytetit të dytë për nga zhvillimi ekonomik në Shqipëri, Durrësit, vetëm 30 km larg aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza”, 37 km nga kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana. Në kriteret e përzgjedhjes së fituesit, propozimi teknik për ndërtimin e zonës vlerësohet me 25 pikë, ndikimi mjedisor 10 pikë, ndikimi social 15 pikë, koha e përfundimit të investimit 10 pikë dhe kapaciteti financiar dhe mundësia e financimit të projektit (plani i biznesit) me 40 pikë. Përpjekjet fillestare në vitin 2015 për dhënien e 500 hektarëve në Spitallë, një zonë afër Durrësit dështuan pasi kompanitë kineze, “Zhejiang Haiteng Investment Co” dhe “Bejing Dongrun Tongbao Technology Co” shfaqën mangësi.

Skandali që përfshiu vëlla Olsin me firmën fantazmë nga Kina

Hije skandali u zbuluan dy vite më parë nga mediat për Zonën Ekonomike të Spitallës, lidhur me tenderin e zhvilluar që kap vlerën e 1.5 miliard dollarëve. Për tenderin janë paraqitur dy kompani të huaja: firma italiane “RENDur4” sh.p.k., e cila nuk ekziston në regjistrat italianë, ç’ka e skualifikon automatikisht nga gara dhe konsorciumi kinez, bashkimi i dy kompanive “Zhejiang Haiteng Investment Co., Ltd” dhe “Bejing Dongrun Tongbao Technology Co.Ltd”.
Në website “Zhejiang Haiteng Investment Co., Ltd” është një kompani shumë e vogël dhe për përmasat e Shqipërisë, me në kapital prej 2,7 milionë eurosh (ose 20 milionë juan) dhe në historikun e aktivitetit të saj ka blerë aksione të një prodhuesi të vogël farmaceutik. Kjo kompani rezulton që nuk ka as faqe interneti.
Ndërsa firma “Bejing Dongrun Tongbao Technology Co.Ltd” ka në aktivitetin e saj mirëmbajtjen e shtëpive të pleqve në Kinë.
Pra, asnjë nga firmat kineze në konsorcium:
1- nuk kanë kapacitetin financiar të investojnë 1,5 miliardë dollarë, siç pretendohet në njoftimin e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes;
2- nuk kanë asnjë eksperiencë për zhvillimin e Zonave të Lira Ekonomike;
3- nuk kanë asnjë eksperiencë ndërkombëtare;
4- nuk kanë çertifikimet e nevojshme për aktivitet Free Trade Zone në Kinë.
5- nuk paraqitën në tender asnjë garanci bankare për investimin e tyre.
Sipas burimeve, kompania “Zhejiang Haiteng Investment Co., Ltd” i ka shkruar vetë termat e referencës, të cilat ministri Ahmetaj i paraqet si sugjerime nga Universiteti i Harvardit. Emri i vëllait të Edi Ramës, Olsi Rama, lidhet direkt si përfaqësuesi de facto i këtyre firmave dhe fituesi real i Zonës së Lirë Ekonomike të Spitallës.
Në web-in e një kompanie kineze thuhet se Olsi Rama është i dërguari zyrtar i qeverisë shqiptare në këto negociata, së bashku me këshilltarin tregtar të ambasadës Krivis Meci dhe Gëzim Mançe (ky i fundit është parë shpesh në takime me Ahmetajn) përfaqësues për investimet në Shqipëri.
Gëzim Mançe, së bashku me Xiaohe Zhou (pronarin e firmës kineze “Zhejiang Haiteng Investment Co., Ltd”, me Olsi Ramën në Kinë, janë paraqitur në tenderin e Ministrisë së Ekonomisë).

Artikulli paraprakShqipëria nën pushtetin e flakëve
Artikulli tjetërPence: Ndërtoni qeveri të besueshme