Pence: Ndërtoni qeveri të besueshme

Nënpresidenti amerikan, Mike Pence, dje në Podgoricë tha se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Perëndim. Ai i bëri këto komente gjatë vizitës në Mal të Zi, dy muaj pasi ai u bë vend anëtar i NATO-s, me gjithë kundërshtimin e Rusisë.
Nënpresidenti Pence arriti të martën në Mal të Zi, në përmbyllje të vizitës së tij në Evropë, që synonte rikonfirmimin e përkushtimit të Shteteve të Bashkuara për sigurinë në Evropën Lindore, përballë Rusisë.
Nënpresidenti Pence nënvizoi përkushtimin e Washingtonit ndaj lidhjeve euro-atlantike, një përkushtim që për shumëkënd ishte në pikëpyetje për shkak të qëndrimeve të Presidentit Trump, i cili e kishte cilësuar NATO-n si të “vjetruar” dhe kishte argumentuar në favor të marrëdhënieve më të mira me Rusinë.
“Ne besojmë se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Perëndim”, tha nënpresidenti Pence, gjatë fjalimit në takimin e Kartës së Adriatikut, ku po marrin pjesë vendet anëtare të NATO-s, si Mali i Zi, Kroacia e Shqipëria, si dhe Bosnja e Maqedonia. Udhëheqës nga Kosova, Serbia e Sllovenia do të jenë të pranishëm në takim.
Ai u tha pjesëmarrësve që të punojnë për të realizuar ëndrrën e Evropës së lirë dhe në paqe.
“Të jeni të sigurt se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin Ballkanin Perëndimor derisa merrni hapat për qeverisje të mirë, reforma demokratike dhe sundimin e ligjit. Do të vazhdojmë të mbështesim marrëveshjen e Daytonit dhe parimet që paraqet ajo. Jemi të përkushtuar për bisedimet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës për normalizimin e plotë të marrëdhënieve”, tha ai.
Nënpresidenti Pence tha se Shtetet e Bashkuara do të jenë në partneritet me qytetarët e rajonit për të forcuar shoqërinë civile, shtypin e lirë dhe të pavarur dhe një ekonomi që hap mundësi për të gjithë.
“Dhe nuk duhet të harrojmë kurrë se siguria është themeli i përparimit tonë dhe Shtetet e Bashkuara, mund t’ju siguroj, do të vazhdojnë të punojnë në partneritet me secilin prej jush për sigurinë në Ballkanin Perëndimor dhe përtej”, tha ai.
Nënpresidenti Pence tha se do të vazhdojë forcimi i lidhjeve të forcave të armatosura të vendeve të rajonit me forcat e armatosura të Shteteve të Bashkuara dhe për të forcuar mundësitë e tyre që të veproni përkrah NATO-s dhe forcave të tjera perëndimore për të zvogëluar varësinë nga trashëgimia sovjetike e ruse.
“Por, siç e ka bërë të qartë Presidenti Trump, mbrojtja juaj kërkon përkushtimin tuaj, po aq sa tonin. Mbrojtja kolektive është themel thelbësor për aleancën e NATO-s dhe Presidenti Trump e ka bërë të qartë se Shtetet e Bashkuara presin që aleatët tanë dhe ata që duan t’i bashkohen aleancës, të përkushtojnë të paktën 2 për qind të GDP-së për mbrojtjen kombëtare. Ky investim është i domosdoshëm për të mbajtur zotimin tonë se sulmi mbi njërin është sulm mbi të gjithë”, theksoi ai.
Nënpresidenti Pence tha bota është bërë sot më e rrezikshme që nga rënia e komunizmit, duke theksuar se terrorizimi është rreziku më i përhapur në botë.
“Terrorizmi na kërcënon të gjithëve, që nga Ballkani Perëndimor, në Evropën Perëndimore dhe Shtetet e Bashkuara. Ka më pak se një vit që kur disa vende tuajat penguan planet e frymëzuara nga ISIS-i për sulme të bashkërenduara në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni. Shtetet e Bashkuara janë mirënjohëse për ndihmesën tuaj në fushatën globale për të mundur ISIS-in dhe luftën kundër terrorit në Afganistan. Sakrificat tona në fushën e betejës vetëm na bashkojnë dhe forcojnë përkushtimin tonë ndaj lirisë”, tha ai duke nënvizuar se, “Presidenti Donald Trump dhe Shtetet e Bashkuara nuk do të pushojmë derisa të çrrënjosim ISIS-in në mënyrë që të mos mund të kërcënojë më njerëzit tanë, aleatët tanë apo mënyrën tonë të jetesës”.
Ai tha derisa forcat amerikane dhe aleatët po dëbojnë ISIS-in nga Iraku, vendet e Ballkanit do të përballen me rreziqet e luftëtarëve të huaj që kthehen në shtëpi nga Lindja e Mesme me qëllim që të shkaktojnë kaos, prandaj duhet kujdes ndaj këtij kërcënimi.
Nënpresidenti Pence arriti në Mal të Zi nga Gjeorgjia, e cila u përball me një luftë të shkurtër me Rusinë në vitin 2008 rreth enklavës së saj të ndarë në Osetinë Jugore. Ai vizitoi edhe Estoninë ku ju tha udhëheqësve të vendeve të Balltikut se mund të llogarisin në mbështetjen e Shteteve të Bashkuara nëse përballen me agresion nga Rusia.
Ai tha në Podgoricë se Rusia po provon të rishkruajë kufijtë ndërkombëtarë me forcë.
“Në Ballkanin Perëndimor Rusia ka punuar për të destabilizuar rajonin, të dëmtojë demokracitë tuaja dhe t’ju ndajë nga njëri-tjetri dhe nga pjesa tjetër e Evropës”, tha ai duke iu referuar zhvillimeve të tetorit të vitit 2016 në Mal të Zi.
Mali i Zi, një ish-Republikë jugosllave me rreth 680 mijë banorë dhe një ushtri prej 2 mijë trupash, u bashkua me NATO-n në qershor, tetë muaj pasi akuzoi spiunët rusë për organizimin e një përpjekjeje për grusht shteti për të penguar anëtarësimin.
Moska i hodhi poshtë akuzat duke i cilësuar ato si “histeri antiruse” dhe paralajmëroi se do të hakmerret ndaj “orientimit armiqësor” të Malit të Zi.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës, refuzojnë çdo përpjekje për të përdorur forcën, kërcënimet apo frikësimet në këtë rajon dhe përtej. Ballkani Perëndimor ka të drejtë të vendosë të ardhmen e tij”, tha nënpresidenti Pence.
Ai tha se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë ta mbajnë Rusinë përgjegjëse për veprimet e saj dhe u bëjnë thirrje aleatëve evropianë që të bëjnë një gjë të tillë dhe për këtë arsye Presidenti Trump do të nënshkruajë ligjin që forcon sanksionet ndaj Rusisë.
Ai tha se Shtetet e Bashkuara preferojnë marrëdhënie konstruktive me Rusinë mbi themelet e bashkëpunimit të ndërsjellë dhe interesit të përbashkët
Por Presidenti dhe Kongresi janë bashkë në mesazhin ndaj Rusisë se marrëdhëniet e mira dhe heqja e sanksioneve nënkupton që Rusia të heqë dorë nga veprimet që kanë çuar tek sanksionet.

“Trump do të qëndrojë me ju, ndiqni të ardhmen europiane”

Në fjalën e mbajtur në Podgoricë, zëvendëspresidenti amerikan, Pence ka shpalosur para liderëve të rajonit politikën e SHBA ndaj Evropës dhe Ballkanit dhe ka inkurajuar liderët të bëjnë si duhet detyrat për të cilat janë besuar nga qytetarët.
“Më ka dërguar Trump për të përcjellë angazhimin e veçantë për Ballkanin Perëndimor. Trump do të qëndrojë me ju ndërsa ndiqni të ardhmen tuaj evropiane, SHBA ju mbështet, se çdo rrugë do të forcojë Evropën. Me Trump politika e SHBA do të jetë prosperiteti i Amerikës në fillim, por Amerika e para nuk do të thotë Amerika e vetme, lidhja SHBA-Evropë do të jetë jetike, ne jemi më të fortë së bashku sesa të ndarë”, tha ai.
Ai porositi liderët të lënë mënjanë zemërimet. “Punoni së bashku, forconi ekonomitë, luftoni korrupsionin, ndërtoni qeveri të besueshme e të përgjegjshme, rrisni besimin te njerëzit, detyra juaj kërkon kurajë”, tha ai.
Samiti i Kartës së Adriatikut është një takim i përvitshëm që organizohet mes liderëve e ministrave të Jashtëm të Shqipërisë, Bosnjës, Kroacisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë, ndërsa këtë vit do të marrin pjesë edhe Kosova, Serbia dhe Sllovenia, në statusin e vëzhguesve të takimit.
Një muaj më parë, Mali i Zi u bë anëtar me të drejta të plota i aleancës politiko-ushtarake euroatlantike, ndërsa mbeten jashtë NATO-s vendet si Bosnja, Maqedonia, Serbia dhe Kosova.

Pence, i dërguari i Trump për Ballkanin

Zv.presidenti amerikan, Mike Pence mbërriti të martën pasdite në Mal të Zi, ku u mirëprit në aeroportin e Podgoricës nga Kryeministri Dusko Markoviç. Kjo është vizita e parë e një zyrtari të lartë amerikan në rajonin e Ballkanit, që pas zgjedhjes së Presidentit Donald Trump.
Pence mbërriti në Mal të Zi i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Karen, në vazhdën e turit të tij europian që nisi me vizitën në Estoni e më pas me ndalesën në Gjeorgji. Ndikimi rus në Ballkanin Perëndimor mbetet shqetësimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara, Mike Pence, thotë se masat diplomatike që ka marrë Rusia në përgjigje të sanksioneve të reja amerikane nuk do të ndikojnë te përkushtimi i Shteteve të Bashkuara ndaj sigurisë për vete dhe aleatët e tyre.
Pence i bëri komentet në Gjeorgji, një ndër ndalesat në kuadër të turneut të tij në tri vende aleate.
Zv.presidenti Pence thotë se turneu i tij është një sinjal i qartë i mbështetjes së Shteteve të Bashkuara për vende që kanë përqafuar vlerat e Perëndimit. “Presidenti Trump më ka dërguar në këtë turne me një mesazh shumë të qartë për vendet balltike, për popullin gjeorgjian dhe më pas për Malin e Zi, se Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë përkrah vendeve liridashëse në botë. Dhe ashtu siç e ka thënë Presidenti, këtë do ta bëjmë jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra”.
Zv.presidenti amerikan foli edhe për sanksionet e reja që ka miratuar Kongresi si ndëshkim ndaj Rusisë. Pence tha se sanksionet e reja që do të hyjnë në fuqi së shpejti, sapo të marrin firmën e Presidentit Trump, dërgojnë një “mesazh shumë të qartë” se veprimet e Rusisë në Ukrainë dhe mbështetja që Moska u jep Iranit dhe Sirisë “duhet të ndryshojnë”.

Artikulli paraprakSërish skandal me koncesionin e Spitallës parashikuar për Olsin
Artikulli tjetërShteti jashtëligjor i Edi Ramës