Sërish gaz lotsjellës në kufirin greko-maqedonas

Policia maqedonase ka përdorur sërish gaz-lotsjellës për të penguar disa qindra emigrantë të cilët janë përpjekur të kalojnë ilegalisht kufirin. Refugjatët fillimisht u munduan që të krijojnë një hapësirë për të kaluar, por në vendin e ngjarjes mbërritën menjëherë forca të shumta sigurie të cilët përsëritën veprimet e disa ditëve më parë.

Gjatë protestave nuk pati incidente madhore, por disa prej azil-kërkuesve patën komplikacione për shkak të gazit lotsjellës. Ata u ndihmuan fillimisht nga refugjatët që ndodheshin pranë, e më pas janë trajtuar nga mjekët e organizatave humanitare që ndodhen në kampin e Idmenit.

Nga ana tjetër, ashtu sikurse kishin paralajmëruar, autoritetet greke kanë zhvendosur 700 azil-kërkues nga që ndodheshin në portin e Pireut drejt qendrave të posaçme të qëndrimit që janë ngritur së fundmi nga qeveria e Athinës.

Në këtë mënyrë, numri i emigrantëve që ndodhen të bllokuar në këtë zonë ka rënë nga 4.500 persona në 3.800. Megjithatë, zyrtarët kanë komunikuar se kjo shifër është ende mjaft e lartë dhe se procesi i zhvendosjes së refugjatëve do të vijojë edhe përgjatë ditëve të ardhshme. Greqia po përgatitet për sezonin turistik të verës ndaj po merr masa për të sjellë drejt normalizimit portin e Pireut.

Më herët, autoritetet komunikuan se do t’u japin dy javë kohë emigrantëve që të largohen në mënyrë vullnetare drejt qendrave të tjera të strehimit, duke theksuar se nëse ky afat nuk do të respektohet, ata do të detyrohen që të përdorin forcën. Shumica e azil-kërkuesve refuzojnë që të largohen pasi i druhen një depërtimi të mundshëm në Turqi.

Artikulli paraprakMbi 2200 biznese kanë bërë kërkesë për t’u çregjistruar 4 muajt e fundit
Artikulli tjetërBizneset, ankesa pa fund për tatimet në Gjykatën Administrative