Sarkozy akuzohet për financim të paligjshëm të fushatës

Gjykatësit francezë kanë ngritur aktakuzë ndaj ish-presidentit Nicolas Sarkozy për korrupsion dhe financim të paligjshëm të fushatës, në lidhje me dyshimet se ai ka marrë fonde nga diktatori i ndjerë libian, Muammar Qaddafi për fushatën e tij më 2007, kanë thënë zyrtarët.
Akuzat vijnë pasi Sarkozy për dy ditë është marrë në pyetje nga policia antikorrupsion në Nanterre, në veriperëndim të Parisit. Gjyqtarët hetues janë duke hetuar mbi dyshimet se regjimi i Qaddafit në mënyrë të fshehur i ka dhënë Sarkozy-së 50 milionë euro për fushatë.
Kjo shumë është dyfishi i shumës së lejuar për financim të fushatës në Francë. Sarkozy, 63 vjeç, ishte president i Francës nga vitit 2007 deri më 2012. Ai vazhdimisht ka mohuar këto akuza.

Artikulli paraprakBelgjika dhe Britania përkujtojnë viktimat e sulmeve terroriste
Artikulli tjetërVuçiç: Perëndimi mbron më shumë pavarësinë e Kosovës