Sadiku dëshiron rikthimin te Lugano

Jo vetëm Paolo Tramezzani, pasi pjesë e Luganos mund të bëhet edhe Armando Sadiku. Sulmuesi 25-vjeçar, i cili ka një një raport të shkëlqyer me ish-ndihmësin e Gianni De Biasit te kombëtarja shqiptare mund t’i bashkohet pikërisht Tramezzanit në aventurën e tij të re në Superligën zvicerane. Pak ditë më parë, Tramezzani mori drejtimin e klubit të Luganos dhe tashmë ai dëshiron të marrë me vetë në skuadrën e re edhe Armando Sadikun, me të cilin ka punuar për vite me radhë te kombëtarja kuqezi.
Lajmi është konfirmuar nga presidenti i klubit zviceran, Angelo Renzetti, i cili ka bërë të ditur edhe dëshirën e Sadikut për t’u rikthyer te skuadra ku u bë i njohur në futbollin helvet, duke shpërthyer përfundimisht pas asaj aventure pozitive te Locarno. Sulmuesi nga Elbasani është aktivizuar për një sezon e gjysmë te Lugano nga vera e vitit 2012 deri në dhjetor të 2013-ës, duke lënë shenjën e tij te kjo skuadër dhe duke fituar zemrat e tifozëve. Me Luganon, Sadiku zhvilloi në total 47 takime, duke shënuar plot 29 gola. Megjithatë edhe pse Paolo Tramezzani e dëshiron me çdo kusht, ndërsa edhe Sadiku e shikon me sy të mirë një rikthim të mundshëm të tijin te Lugano gjithçka mbetet në dorë të klubit të Zyrihut.
Do të jetë Ancillo Canepa presidenti aktual i skuadrës ku militon 25-vjeçari që do të vendosë për të ardhmen e Sadikut. Angelo Renzetti presidenti i Luganos në intervistën e tij theksoi se, te Lugano do ta prisnin krahapur, bomberin shqiptar, por në të njëjtën kohë, ai shtoi se pavarësisht dëshirës së lojtarit, gjithçka do të varet nga strategjia e Zyrihut”.
Duhet parë nëse ata do të kenë nevojë për Sadikun, pasi për momentin kryesojnë bindshëm Challenge League dhe e kanë të sigurtë ngjitjen në Superligë. Nëse duan ta vendosin në vitrinë lojtarin në mënyrë që atij t’i rritet vlera në merkato, ne jemi gati ta marrim në formë huazimi për 6 muajt e ardhshëm, deklaroi Angelo Renzetti. Aktualisht Lugano pozicionohet në vendin e 8-të të Superligës zvicerane në kuotën e 18 pikëve dhe kjo skuadër ka vërtetë nevojë për një golashënues të lindur si Sadiku, në mënyrë që të mos ta vendosë në diskutim qëndrimin mes të mirave të futbollit helvet.

Artikulli paraprakÇmenduri e kinezëve
Artikulli tjetërDështimi i “doktrinës Obama”