Sa më pak punë, aq më të mëdha gënjeshtrat!

Nga Bardh SPAHIA

Ministrja e shëndetësisë vazhdon të gënjejë pa iu dridhur qerpiku! Kemi rritur me 3 herë numrin e testimeve, – deklaroi në Opinion duke nxjerr akoma edhe më shumë në pah talljen kriminale me numrin e testimeve që nga fillimi i pandemisë i cili edhe pse i rritur me 3 herë vazhdon të jetë më pak se 1000 testime në ditë, – dhe fakt është se gati gjysma e testimeve që raportohen cdo ditë, bëhen nga privati për shkak të qytetarëve që udhëtojnë, e të tjerë, të cilëve shteti nuk u përgjigjet, edhe pse kanë simptoma të Covid-19.

E turpshme që mashtrohet kaq pacipësisht, duke përvetësuar punën e privatit dhe shpenzimet e qytetarëve për ta shitur si “sukses“.

Pse nuk bëhet transparencë cdo ditë, e të thuhet sa tamponë bëhen në shtet e sa në privat? Sepse aty del boja e nuk gënjehet dot më!

Fakt është se janë rritur rastet e infektimeve si në shkolla, ashtu edhe në institucione dhe kjo konstatohet gjerësisht, nga kushdo që ka fëmijë në shkollë, që punon apo ka të afërm që punojnë në administratë.

Ajo që duhej të shqetësonte ministren dhe cdo njeri të përgjegjshëm për jetën e qytetarëve është raporti i frikshem ku rreth 30% e testeve që kryhen në Shqipëri rezultojnë pozitive, ndërkohë që shtete si Italia alarmohen kur ky raport rritet nga 2.7% në 4-5%.

Testimet e gjurmimet janë praktikisht inekzistente dhe denoncohen jo pak raste kur personave me simptoma nuk u bëhet tamponi, por u fillohet trajtimi mjekësor në shtëpi për Covid-19!!! Kjo është situata që po e kalojnë shumë qytetarë, teksa ministrja paturpësisht deklaron, se bëhen aq testime sa ka nevojë!

Njëlloj vijon mashtrimi edhe për mos hapjen e dy spitaleve të tjera Covid-19, të cilët kanë vetëm 4 muret, sepse qeveria nuk ka lëvruar as edhe një qindarkë as për pajisjet e as për pagat që do kërkonte personeli shtesë për dy spitalet. Si mund të jesh gati me dy spitale të reja, kur nuk ke krijuar fonde shtesë për to ???

Gënjeshtra u është bërë si lëkurë e dytë dhe nuk e kuptojnë se sa të neveritshëm bëhen, së pari për ata qytetarë që po trajtohen në banesa, pa as edhe një shërbim nga shteti, e duke paguar nga xhepi trajtimin e kushtueshëm me ilace, përfshi koston 5 mijë lekë të reja për cdo injeksion në banesë!!! Dhe këtë braktisje të qytetarëve Edi Rama e zhurmon me propagandën për maskat!!!

Kjo është shëndetësia “falas“ e Edi Ramës: sa më shumë gënjeshtra, aq më shumë kosto për qytetarët!

Artikulli paraprakReagimi i fortë i mjekut të njohur: Uniformat e reja të Urgjencës si “vija e masave” e kohës së komunizmit!
Artikulli tjetërVjedhje me tenderat e rrugëve, arrestohen disa zyrtarë në Durrës