Sa kushton të shkosh në hapësirë

BBC

Hapësira ka qenë prej kohësh e paarritshme për shumicën e njerëzve. Kanë kaluar më shumë se 60 vjet nga dita kur lëshimi në hapësirë i Sputnik 1 shënoi fillimin e epokës së hapësirës. Që nga ajo ditë, njerëzit kanë ecur në Hënë, roverat robotë kanë shëtitur sipërfaqen marsiane dhe një numër i jashtëzakonshëm sondash hapësire kanë eksploruar botë të reja të sistemit tonë diellor. Sonda e fundit e dërguar për eksplorim ka qenë Pluto. Megjithatë, industria e hapësirës ka qenë gjithmonë e monopolizuar nga qeveritë, pasi vetëm ato i kanë xhepat aq të thellë sa për të financuar projekte kaq të mëdha.

Por gjatë viteve të fundit, kompanitë si SpaceX apo Virgin Galactic, janë përpjekur ta komercializojnë eksplorimin e hapësirës me një shpenzim prej më shumë se 13 miliardë dollarësh gjatë dekadës së fundit. Këta investitorë mund të bëjnë të mundur realizimin e ëndrrave utopike si: pushime në Hënë, miniera hënore apo udhëtime drejt Marsit. Këto janë ëndrra që një ditë edhe njerëzit e zakonshëm do të mund t’i realizojnë dhe të përjetojnë eksperienca jashtë botës që njohim.

Vetëm muajin e fundit, një raport i financuar pjesërisht nga NASA sugjeronte se një bazë e përhershme hënore mund të përfundojë deri në vitin 2030 dhe investitorët privatë do të jenë vendimtarë në realizimin e këtij projekti. Teksa tregu i hapësirës rritet gjithmonë e më shumë dhe bëhet më i hapur ndaj konsumatorëve të përditshëm, a duhet që investitorët e guximshëm të nxitojnë për të kapur yjet?

Chad Anderson mendon se po. Ai është drejtues i përgjithshëm i operacioneve europiane tek “Space Angels Network” një rrjet investimi, i cili lidh investitorët potencialë të hapësirës me industrinë tregtare të hapësirës. “Hapësira është një industri që aktualisht vetëm mund të imagjinohet”, thotë ai dhe kjo të thotë se njerëzit që investojnë në ditët e sotme do të kthehen në novatorë të kësaj epoke, duke i dhënë formë dhe drejtim kësaj industrie të re. “Në vitin 2012, kishim vetëm 20 investitorë të hapësirës, ndërsa tani numri ka arritur deri në 60”, vazhdon Anderson.

“Tani jemi në një epokë të artë të eksplorimit të hapësirës”, thotë Kevin Cook i Fondacionit të Hapësirës, një organizatë jofitimprurëse, e cila ka për qëllim të rrisë ndërgjegjësimin në lidhje me të gjithë aspektet e industrisë së hapësirës. Disa sektorë të industrisë së hapësirës janë themeluar mirë që tani. Në fakt mund të themi se jetojmë në një botë që ka arritur ta transformojë hapësirën.

Në ditët e sotme, industria vlen më shumë 300 miliardë dollarë. Pjesa më e madhe e këtyre parave shërben për të ushqyer zhvillimin e satelitëve dhe sondave të ndryshme eksploruese. Kjo është edhe pjesa kryesore e tregut të hapësirës, që investitorët që tani e kanë pikasur si një shans të jashtëzakonshëm biznesi tepër fitimprurës, thotë Anderson.

Por ndërkohë që organizatat përqendrohen në këto tregje më të sigurta, rritja e investimeve private individuale po ndihmon gjithashtu financimin e sipërmarrjeve më të pazakonta të hapësirës, siç është ndërtimi i minierave hapësinore si dhe turizmi ndërplanetar. Anderson i quan ato projekte të “qiellit të zi” dhe thotë se shumica e investitorëve individualë, rreth 80 për qind e tyre, kërkojnë me ngulm që t’i investojnë paratë e tyre aty. Kjo është diçka që individët mund ta bëjnë, sepse ndryshe nga qeveritë dhe kompanitë e mëdha, ata kanë lirinë e nevojshme për të zgjedhuar vetë se ku duhet të investojnë.

Një nga këta investitorë guximtarë është edhe Dylan Tylor. Ai ka blerë një biletë për skajin më të largët të hapësirës në bordin e balonave të lartësisë së madhe, të cilat janë duke u zhvilluar tani në kompaninë World View Enterprises me seli në Arizona. Motivimi i tij është i thjeshtë: “Nuk ka lidhje me fitimin. Unë dua të ndihmoj industrinë, dua ta shoh të zhvillohet çdo ditë e më shumë”, thotë ai. Ndër shumë kompanitë në të cilat Taylor ka investuar ndodhet edhe Golden Spike në Kolorado, kompania e krijuar nga shkencëtari planetar Alan Stern. Qëllimi i tyre është që të krijojnë një shërbim transporti privat dhe tregtar të hapësirës nga Toka në Hënë. “Nëse arrin ta ëndërrosh, atëherë mund të realizohet”, shton Tylor. “Ky projekt do të ndryshojë botën”.

Investime joshëse

Megjithatë, investitorët potencialë duhet të mendohen me kujdes përpara se të investojnë paratë e tyre në sipërmarrjet e “qiellit të zi”. “Janë individët guximtarë, ata që nuk kanë frikë të humbasin vendin e punës, që financojnë projekte vërtet inovative”, shpjegon Jose Mariano Lopez. Lopez shpreson që këta investitorët guximtarë të investojnë në kompaninë e tij në Barcelonë Zero2Infinity, e cila shpreson që, kundrejt pagesës, t’i dërgojë njerëzit në skaj të hapësirës nëpërmjet balonave gjigante të mbushura me helium gjatë viteve të ardhshme.

Tylor dhe të tjerët si ai e krahasojnë epokën e sotme të sipërmarrjeve të “qiellit të zi” me epokën e internetit të fillimit të viteve 1990. Ai e konsideron veten e tij njëlloj me investitorët e parë të kompanive të internetit. “Njerëzit në atë kohë mendonin se ishin të çmendur”, shpjegon Tylor, por kompanitë si Amazon dhe eBay kanë lindur pikërisht në atë periudhë.

Pavarësisht rreziqeve, përfitimet pontenciale të këtyre investimeve janë tepër joshëse, gati të paimagjinueshme. “Unë ndihem si Peter Thiel i ditëve të sotme”, shpjegon Anderson, duke iu referuar sipërmarrësit amerikan, i cili shpiku kompaninë e pagesave online Paypal. “Mënyra më e mirë për të siguruar një kthim të mirë të investimit është të bësh diçka teknikisht 10 herë më të mirë se çdo gjë e ngjashme që ndodhet në treg ose të krijosh diçka tërësisht të re”. Imagjinoni SpaceX, Google apo Facebook, pra krijoni diçka të re në treg dhe nëse ai dilni me sukses, bota do të jetë e juaja.

Në fakt, disa sektorë akoma më ekzotike të industrisë së hapësirës kanë filluar që tani të gjenerojnë të ardhura. Kompania e shfrytëzimit mineral të asteroidëve, Planetary Resources, është duke fituar shuma të mëdha para nëpërmjet kontratave që ka siguruar me kompanitë dhe individët, edhe pse duhet të kalojë ende shumë kohë përpara se kompania të shkojë në një asteroid për ta eksploruar. E themeluar nga Eric Anderson dhe Peter Diamandis, në listën e këshilltarëve të nivelit të lartë të kësaj kompanie ndodhet një ish-astronaut i NASA-s dhe James Cameron, i njohur më mirë si regjizor Avatar, filmi që ka për bazë eksplorimin mineral planetar të Hënës.

Mesazhi i Planetary Resources për investitorët është i thjeshtë: mendohet se në një asteriod ekziston material ekonomikisht i çmuar i mjaftueshëm për të transformuar pasurinë e të gjithë botës. “Është e vështirë të imagjinosh sasinë e jashtëzakonshme të burimeve natyrore që ekziston në sistemin tonë diellor”, thotë Anderson. “Investimet mund të sjellin kthime shumë të mëdha dhe shansin për të mbështetur specien tonë teksa burimet natyrore të Tokës janë duke shteruar”, shton ai.

Premtimi për të dërguar njerëzit në hapësirë është një tjetër zonë interesi për investitorët individualë, edhe pse nuk dihet ende nëse mund të konsiderohet e zgjuar të investosh në turizën hapësinor dhe sipërmarrje të tilla. Këto janë tregje tërësisht të reja. Është e vërtetë se që tani ka rreth 1 mijë individë që kanë paguar biletat për fluturimin drejt hapësirës, por nuk dihet nëse kjo do të jetë e mjaftueshme për të krijuar shërbimin tregtar të transportit hapësinor. “Askush nuk e di nëse ekziston vërtet kërkesa për transport hapësinor”, thotë Anderson. “Nuk e njohim ende potencialin e këtij tregu, por ndoshta kjo është pikërisht ajo që e bën më intrigues”.

Natyrisht si në çdo investim tjetër, ekzistojnë rreziqe. Të ardhurat do të ketë padyshim, por do të ketë edhe humbës. Disa kompani do të dështojnë. Paralelizmi që përshkruan Tylor në lidhje me bumin e internetit në fillim të viteve 1990 është i vërtetë: kompanitë e suksesshme u kthyen në superfuqi, por shumë të tjera dështuan. Investitorët do të duhet të shpresojnë se zgjedhja e tyre do të jetë e duhura.

E ardhmja është ende e paqartë, por Tylor beson fuqimisht se, ekziston një potencial premtues. “Hapësira do të kthehet së shpejti në 10 për qind të të gjithë ekonomisë botërore”, thotë ai. Kjo shifër del nga kombinimi i tregut aktual të testuar të satelitëve hapësinorë, mundësisë së realizimit të projekteve të “qiellit të zi” si dhe nga shumë variablat ende të panjohura dhe të paimagjinueshme që mund të sjellë kjo industri. Prej shumë e shumë kohësh hapësira mund të prekej vetëm nga shkencëtarët dhe inxhinierët. “Sot, mund të shohësh si kjo industri rritet si një biznes i hapur për të gjithë”, thotë Anderson. “Ende nuk i njohim të gjitha mundësitë që mund të shpalosë për ne hapësira”.

Pushime në hapësirë

Nëse jeni lodhur nga pushimet në plazh, shëtitjet me anije, qytetet antike apo hotelet luksoze, ndoshta një udhëtim në hapësirë do tju intrigonte më shumë. Pas një sërë vonesash me pengesash të hasura rrugës, disa prej kompanive kryesore të duket se janë në prag të realizimit të pushimeve në hapësirë. Gjithçka ju nevojitet është para (shumë para), kurajo dhe pak durim. Pyetja tashmë është: cilën kompani të turizmit hapësinor duhet të zgjidhni? Në mungesë të versionit kozmik të Tripadvisor, BBC ka bërë një vlerësim të ofruesve të këtij shërbimi në bazë të kostos, faciliteteve dhe një sërë faktorësh të tjerë.

VIRGIN GALACTIC

Ata thonë se deri më sot vetëm 553 persona kanë shkuar në hapësirë dhe se kompania është gati ta bëjë atë të prekshme për të gjithë pjesën tjetër të botës. SpaceShipTwo e Virgin Galactic pritet të mbajë gjashtë pasagjerë në bord dhe pilotë. Kur anija kozmike të arrijë 15 kilometra lartësi, ajo do të lëshohet si raketë përmes atmosferës në mbi 100 kilometra në hapësirë.

Pasi motorët të fiken, anija kozmike do të lundrojë në trajektore të paracaktuar duke ju ofruar 5 deri në 6 minuta fluturim në mungesë të forcës së gravitetit. Në këtë pikë, do tju lejohet të pluskoni brenda në kabinë dhe të shikoni jashtë hapësirën përmes dritareve gjigante nga ku do të duket edhe Toka. Më pas vjen momenti për t’u rikthyer në tokë dhe fluturimi juaj përfundon.

Anija kozmike e Virgin quhet SpaceShipOne. Në vitin 2004 ky dizajn inovativ fitoi çmimin Ansari X prej 10 milionë dollarësh për fluturime të suksesshme nga anije kozmike të ndërtuara nga sektori privat. Virgin Galactik filloi menjëherë të merrte rezervimet e para nga njerëzit që donin të vizitonin hapësirën dhe fluturimet e para turistike janë premtuar çdo vit që pas vitit 2008, por pa rezultat konkret.

Në tetor të vitit të kaluar, gjatë një fluturimi prove, SpaceShipTwo u rrëzua në Shkretëtirën Mojave, si pasojë e një difekti në sistemin që ndihmon anijen kozmike të ulet. Një nga pilotët humbi jetën. Sipas hetimit të kryer nga Bordi Kombëtar i Mbrojtjes së Transportit të Shteteve të Bashkuara pas incidentit, shkaku rezultoi të ishte një gabim njerëzor dhe se ndihmës piloti e kishte ndezur në mënyrë të parakohshme sistemin e uljes së anijes. Edhe pse anija kozmike është zëvendësuar, incidenti ka bërë që kompania të hezitojë në publikimin e një date të saktë të fluturimit të parë me pasagjerë. Një fluturim në hapësirë me SpaceShipTwo pritet të kushtojë plot 250 mijë dollarë dhe lista e pritjes është shumë e madhe.

XCOR

Kompania ju premton një eksperiencë që do tju ndryshojë jetën. Të lidhur vendin tuaj shumë afër pilotit, fluturimi me anijen kozmike Lynx do të jetë vërtetë një udhëtim i jashtëzakonshëm nga fillimi në fund. Lynx niset nga një pistë aeroporti dhe ngjitet në shpejtësi për të arritur shpejtësi tre herë më të madhe se e zërit. Në 58 kilometra mbi tokë, piloti fik motorin dhe ju pluskoni drejt hapësirës. Pas disa minutash mungese të forcës së gravitetit, avioni rihyn në atmosferë. Teksa ulet duke performuar disa rrathë akrobatikë, do të përjetoni adrenalinën në shpejtësi maksimale përpara se të ngadalësoni për t’u ulur sërisht në pistë. Edhe pse vendi për të pluskuar brenda në kabinë nuk është shumë i kënaqshëm, kompania premton se do të qëndroni ulur në krye të kabinës bashkë me pilotin

Sipas vlerësimeve paraprake, Xcor nuk posedon burimet e Virgin dhe ende nuk ka bërë fluturime prove. Anija kozmike Lynx është ende në ndërtim e sipër në një magazinë të vogël afër Portit Ajror dhe Hapësinor në Mojave të Virgin. Megjithatë, Xcor ka bërë progres të konsiderueshëm gjatë pesë viteve të fundit për të zhvilluar teknologjinë e nevojshme që do të kthejë në realitet fluturimin në hapësirë. Gjatë muajve të ardhshëm, ndoshta edhe vite, anija kozmike do të jetë përfunduar dhe testuar. Vetëm atëherë do të kuptojmë nëse dizajni i kësaj kompanie është i aftë të realizojë fluturimet në hapësirë që do të kushtojnë deri në 150 mijë dollarë.

WORLD VIEW

World View premton se do ta çojë inovacionin në lartësi të reja. I keni parasysh tollumbacët e fryrë që lëshohen të pluskojnë të lirë në hapësirë? World View premton të njëjtën gjë, por me një person të kapur pas tollumbacit. Të ulur rehatisht brenda një kapsule hapësinore sëbashku me pesë pasagjerë të tjerë dhe dy pilotë, ky tollumbac gjigant do t’ju çojë rreth 30 kilometra mbi atmosferën e sipërme.

Të rrethuar nga dritare panoramike, ju do të keni mundësinë të kaloni rreth dy prej tyre duke e parë tokën nga lart teksa pluskoni mbi planet, madje edhe me akses në internet brenda kapsulës, në mënyrë që të postoni foto në kohë reale në Facebook. Të gjithë miqtë tuaj do tju kenë zili. Më pas do të uleni sërisht në tokë me një ulje relativisht të ulët. Në bord keni edhe një parashutë në rast se gjërat shkojnë keq.

World View ka një eksperiencë të gjatë eksperimentesh të fluturimeve në hapësirë. Teknologjia e balonave të lartësisë së madhe është në fakt e vërtetuar, pa përdorimin e raketave në bord dhe kjo mund të jetë një eksperiencë më joshëse për ata që kërkojnë një udhëtim më të ngadaltë dhe të qetë.

Nëse doni patjetër të ndiheni si astronaut, atëherë duhet të vlerësoni mirë lartësinë që ofron secila kompani. Ka shumë argumente për lartësinë që duhet të kalosh për të hyrë në hapësirë, por 100 kilometra mbi tokë është kufiri i pranuar gjërësisht nga shkencëtarët dhe shumica e kompanive po përpiqen të arrijnë pikërisht këtë lartësi. Me balonën gjigante do të përjetoni një pamje spektakolare të tokës, por nuk do të përjetoni mungesën e forcës së gravitetit. Udhëtimi kushton 75 mijë dollarë dhe premton një eksperiencë të jashtëzakonshme, por jo hapësirën e vërtetë.

SPACE ADVENTURES

Kompania synon të hapë kufirin e hapësirës për të gjithë qytetarët privatë. Space Adventurers premton opsione nga më të ndryshmet, që nga mungesa e gravitetit në bord, fluturimet parabolike suborbitale e deri tek udhëtimet në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor. Qëllimi më ambicioz dhe i jashtëzakonshëm që po i jep agjensisë më shumë para nga qytetarët kuriozë është mundësia për të vizituar Hënën.

Pas një trajnimi disa mujor do të niseni nga porti hapësinor rus në Baikonur të Kazakistanit me raketën Soyuz. Kozmonautët profesionistë do ju dërgojnë në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor ku do të kaloni plot 10 ditë. Ndërkohë, një anije e dytë kozmike më e përshtatshme për udhëtimet hënore do të lëshohet drejt hapësirës. Duke u shkëputur nga Stacioni, Soyuz do të bashkohet me anijen e modulit hënor për të formuar një anije më të madhe kozmike, duke i bërë kështu gjashtë ditët e mbetura të udhëtimit tuaj më të rehatshme.

Kur të jenë kontrolluar të gjithë sistemet, komandanti në bord do të ndezë motorët dhe do tju çojë jashtë orbitës së Tokës për t’u afruar në trajektoren përreth Hënës. Nuk do të keni mundësi të hyni në orbitën e Hënës dhe as të zbrisni nga anija, por do të shikoni një pamje që qeniet njerëzore nuk e kanë parë që në vitin 1972. Natyrisht një eksperiencë e tillë është jashtëzakonisht e kushtueshme, të paktën 50 milionë dollarë dhe vetëm miliarderët kanë patur mundësi të aplikojnë.

Artikulli paraprakDeklaratat e Lu për Frrokun dhe Shullazin 5 muaj më parë
Artikulli tjetërPolitika e dështuar e sanksioneve