Ruleta e fatit, logo e re e ekonomisë kombëtare

 

“Monitor”

Në parashikimin e tij të fundit për të ardhmen e ekonomisë shqiptare, Fondi Monetar Ndërkombëtar mundohet të mos e shuajë optimizmin e shqiptarëve për përparim ekonomik të dukshëm, deri në vitin 2022.
Por, sa më shumë lexon mes rreshtave të raportit (publikimi i javës së kaluar) kupton që motori i ekonomisë është veç një rrotë që i ngjan ruletës së fatit dhe ngazëllimi se gjërat mund të bëhen mirë, ngjan me shpresën e lojtarit përpara se të ulet të luajë e që mendon se sot është dita e tij me fat, por që në fund…
Të gjitha pjesët e raportit lidhen me një pyetje të përbashkët: A ndodhet Shqipëria në “episodin” që të mund të kthejë ringritjen ekonomike të lartë. FMN thotë “Po”, por nëse ndodhin më parë disa gjëra, që për momentin duken se është çështje fati.
FMN e mban shpresën si fillim te faktorë të jashtëm; është rikthimi i rritjes së ekonomisë globale dhe ndoshta përshpejtimi i procesit integrues nga BE. E meqë këtu, shqiptarët nuk kanë në dorë t’i ndryshojnë gjërat, edhe e ardhmja ekonomike nuk mbetet në dorë të tyre, ndonëse çdo ndryshim pozitiv jashtë reflektohet edhe brenda.
Por më përcaktuesit janë faktorët e brendshëm. FMN rendit reformat strukturore dhe sjelljen politike.
Të dy këta faktorë, sot në Shqipëri janë të paqëndrueshëm, të deformuar dhe plot risk. Le të japim një shembull të fundit nga shkrimi special në këtë numër të revistës “Monitor”. Aty raportohet se në vitin 2017, bizneset që kanë normën më të lartë të fitimit janë bizneset e lojërave të fatit.
Ky lloj biznesi prej kohësh në vendin tonë mban kryesimin dhe lidhet drejtpërsëdrejti me faktin se ka shumë dëshpërim mes qytetarëve dhe pak shpresë se jeta e tyre mund të përmirësohet më shpejt. Dëshpërimi ka arritur deri në atë pikë sa, megjithëse FMN thotë se, kursimet janë pakësuar për shkak të normës së ulët të interesit, të ardhurave të ulëta dhe rënies së remitancave, shqiptarët “guxojnë” t’i harxhojnë paratë e fundit, duke luajtur me fatin, se u mungon një mundësi tjetër më e mirë dhe e sigurt siç është puna.
Por, a mundet të përparojë një ekonomi me strukturë të tillë, ku në majë të piramidës qëndron biznesi i lojërave të fatit? Nuk ka ndodhur në asnjë rast e nuk mund të ndodhë edhe në Shqipëri. Përkundrazi ka ndodhur bjerrja ekonomike dhe shoqërore. Dhe për sa kohë kjo nuk do të ketë reforma strukturore, ashtu siç shpreson FMN, përparimi i ekonomisë mbetet lojë fati e rrezikshme.
Edhe faktori politik sot në Shqipëri nuk jep shembuj se do të ndihmojë ringritjen e shpejtë e të sigurt. Shqiptarët po provojnë edhe këto ditë të fundit të debatit politik se ka një ndërgjegje të ulët politike dhe shmangie të madhe e të qëllimtë nga përgjegjësia për t’i korrigjuar gjërat gabim. P.sh., koncesionet në Shqipëri kanë kapur vlerën e 2 miliardë euro dhe pothuajse të gjitha janë të dyshimta për përftimet dhe të atakuar me të drejtë për afera korruptive.
Të dyja, mazhoranca dhe opozita, secila në kohën e vet në pushtet kanë trazuar letrat për këtë çështje. Por në asnjë rast, debati politik i përbashkët nuk është ndalur të pikasë si duhen rregulluar gjërat, që për koncesione që janë lidhur, të mund të riparohen dëmet, dhe për të rejat të tregohet kujdes. Përkundrazi ka një avancim dhe injorim vrastar për të mos dëgjuar të tjerët, që po e mahis problemin. Ky lloj cinizmi politik po i përmbyt edhe “ekspertët e cinizmit”, siç ka qejf qeveria t’i vlerësojë zërat jashtë gardhit politik, të cilët thonë se koncesionet dhe disa politika të tjera fiskale dhe ekonomike janë lojëra të dyshimta, si lojëra e fatit që nuk tregojnë se kush fiton…por vetëm kush humbet.
Duke i shtuar këtë analizë, raporti i FMN-së bëhet më i qartë për ne sa kohë do të kemi një ekonomi ku lulëzojnë lojërat e fatit dhe ku qeveria është lojtari i saj më i madh, momenti i kthesës është ende larg. Ndërsa shqiptarët… ata po ikin, që ta kërkojnë fatin e tyre larg këtij vendi, ku ruleta është logo e re e ekonomisë kombëtare.

Artikulli paraprakRama merr edhe zyrtarisht kompetencën për leje ndërtimi
Artikulli tjetërJeruzalemi dhe qëndrimi i Trump