Rama merr edhe zyrtarisht kompetencën për leje ndërtimi

Në datën 13 dhjetor janë bërë ndryshimet përkatëse në vendimin “Për mënyrën e organizimit dhe të funksionimit të Agjencisë së Zhvillimit të Territorit”. Kjo Agjenci ishte nën Ministrinë e Zhvillimit Urban gjatë mandatit të parë qeverisës të kësaj mazhorance, por që në mandatin e dytë kjo ministri u shkri, duke ndarë kompetencat mes ministrive të reja.
Referuar vendimit përcaktohet se Agjencia e Zhvillimit të Territorit i kalon tashmë Kryeministrit. Po kështu, nëse më herët drejtuesi i kësaj agjencie emërohej, lirohej apo shkarkohej nga detyra me urdhër të kryeministrit, por me propozim të ministrit përkatës tashmë çdo procedurë bëhet nga Kryeministri.

Përgjegjësitë e Agjencisë

Referuar vendimit në fuqi AZHT kryen rolin e sekretariatit teknik të Këshillit Kombëtar të Territorit. Në këtë kuadër ka përgjegjësi për të:
Pranuar dokumentacionin për shqyrtim dhe miratim nga Këshilli Kombëtar i Territorit
Organizuar mbledhje të KKT-së
Përgatitur dhe administruar dokumentacionin që shqyrtohet në to. Agjencia ka kompetencë dhe përgjegjësi për të organizuar, drejtuar dhe bashkërenduar procesin me autoritetet e tjera përgjegjëse në nivel qendror dhe ose vendor me qëllim përgatitjen për shqyrtim dhe miratim të dokumenteve kompetencë e KKT-së sipas parimit të shërbimit me një ndalesë.
Bashkëpunuar me njësi të qeverisjes vendore dhe institucione të tjera përgjegjëse për çështje të planifikimit dhe zhvillimit që janë në kompetencë të KKT-së
Kryer komunikimin me palë të treta
Komunikuar për të shpërndarë dhe për të botuar, sistemin elektronik të lejeve vendimet dhe dokumentet e miratuara nga Këshilli Kombëtar i Territorit
Vënë në zbatim vendimet e Këshillit
Kryer monitorimin e zhvillimeve të territorit nëpërmjet regjistrit të integruar të territorit për të përgatitur raportin përkatës dhe për të informuar Këshillin Kombëtar të Territorit e autoritetet e tjera që kanë përgjegjësi në fushën e planifikimit dhe zhvillimit të territorit
Ofruar mbështetje ndaj njësive të qeverisjes vendore në proceset e tyre të zbatimit të instrumenteve të drejtimit të zhvillimit sipas legjislacionit për planifikimin.

Artikulli paraprakMbeturinat pushtojnë bregdetin e Durrësit
Artikulli tjetërRuleta e fatit, logo e re e ekonomisë kombëtare