Rudina Hajdari: E vendosur për të çuar në fund idealet e Azemit

Rudina Hajdari nuk e kishte të lehtë t’i drejtohej dje babait të saj, Azem Hajdari 19 vjet pas vdekjes nga qyteti i tij i lindjes. Në ceremoninë e inaugurimit të bustit të Azem Hajdarit në qytetin e Tropojës, përmes një fjalimi sa prekës aq edhe të fortë Rudina Hajdari shprehu zotimin e saj, ndërsa e kërkoi këtë nga të gjithë të pranishmit për të çuar deri në fund idealet e Azem Hajdarit e për të ndërtuar Shqipërinë si gjithë Europa. “Prandaj ne duhet të punojmë sa më fort dhe sa sa më ngushtë me njëri-tjetrin për t’i çuar këto ideale të Azemit deri në fund. Ne duhet të kontribuojmë realisht dhe më me zemër, për shtetin e së drejtës, për zhvillimin dhe prosperitetin europian të shqiptarëve, në Shqipëri, në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi apo Luginë të Preshevës. Projeksioni ynë për integrim euroatlantik, ka të njëjtën mbështetje si në Tiranë, në Prishtinë, në Podgoricë, në Shkup apo në Preshevë. Ky bashkim idealesh dhe perspektive europiane na bën më të fortë dhe roli ynë në rajon do të jetë gjithnjë e më i madh! E frymëzuar nga idealet demokratike për të cilat luftoi dhe ja përkushtoi jetën Azem Hajdari dhe e mbështetur nga të gjithë shqiptarët e mi që më zgjodhën deputete për t’u ulur në karrigen ku ishte ulur babai im, zotohem se do të qëndroj gjithmonë në ballë të përpjekjeve për të mbrojtur dhe mbështetur interesin e kombit tim dhe shqiptarëve kudo”, tha Rudina Hajdari.
“I dashur babai im, Azem Hajdari, mirëseerdhe në vendlindjen tënde, për të qenë këtu përgjithmonë i gjallë mes populli të Tropojës, si një pishtar lirie që nuk shuhesh kurrë! Nuk është rastësi që ky vend ty, të rriti, të brumosi me vlerat dhe cilësitë më të mira e të guxim dhe të dha zemër të luftoje komunizmin. Vështirësitë e relievit, por krenaria e këtyre majave nga njëra anë dhe mjerimi ekonomik i asaj kohe kur ti u rrite e u përballe me një varfëri dhe përpjekje të përditshme për një të ardhme më të mirë, s’të lëshuan kurrë besimin në Zot. Ky vend ty të dha forcën të luftoje dhe të rrëzoje muret e diktaturës më të egër të Europës. Unë qëndroj sot para shtatores tënde, jo thjesht si e bija para babait, por së bashku me ju, jemi për të nderuar heroin e demokracisë, tribunin e lirisë dhe të pavdekshmin, Azem Hajdarin”, u shpreh Rudina Hajdari.
Ajo tha se Azemi ishte dhe mbetet frymëzim për çdo gjeneratë, kudo që ka shqiptarë. Një idhull për çdo të ri dhe të re, për çdo njeri të majtë apo të djathtë, përtej politikës, shqiptaria dhe shqiptarët dhe kushdo në botë të vlerëson si heroin që luftoi me shpirt për Shqipëri të lirë dhe demokratike. “Azemi dhe studentët e dhjetorit, nuk e kishin mësuar demokracinë në shkolla apo universitete. Por, historia e Tropojës, historia e Kosovës, historia e kombit shqiptar ishte baza mbi të cilën ata ngritën idealet e dhjetorit për një Shqipëri të lirë, demokratike dhe të integruar. Në përpjekjet e tij për të realizuar këto ideale, Azemi, për vite me radhë ndeshi shumë pengesa dhe vështirësi, por ai kurrë nuk u përkul, kurrë nuk u ndal në rrugën e tij për demokracinë e Shqipërisë. Demokracia, integrimi i Shqipërisë dhe pavarësia e Kosovës, ishin kryefjala e ligjërimit të tij politik. Tashmë që Kosova është e lirë, e pavarur dhe pavarësisht vështirësive, ajo nuk ndalet në forcimin e institucioneve të veta dhe në konsolidimin e demokracisë. Sfidat që janë sot para Shqipërisë dhe Kosovës mbeten të mëdha”, u shpreh Hajdari.

 

Artikulli paraprakKryemadhi: Politikani guximtar që nuk hoqi kurrë dorë nga betejat e tij
Artikulli tjetërSot jemi më të vendosur se kurrë