Rruga e Kombit, 65 milionë euro nga taksat tek koncesionari

Agjencia e Prokurimit Publik njoftoi dje se, qeveria shqiptare do të subvencionojë me 64.9 milionë euro konsorciumin “Catalyst” që tashmë është shpallur fitues për të administruar me koncesion Rrugën e Kombit.
Përveç taksës që do të marrë nga automjetet, koncesionarit do t’i paguhet kjo vlerë në 13 vitet e para të kontratës si pagesë direkte nga buxheti i shtetit, si një kompensim për trafikun e munguar në autostradë.
Kjo pjesë e rëndësishme e kontratës që kaloi në mungesë të plotë të transparencës nga autoriteti kontraktor dhe qeveria shqiptare i ngarkon qytetarët me një taksë të dyfishtë. Së pari, taksa do të paguhet në mënyrë të drejtpërdrejtë nga përdoruesit e rrugës dhe së dyti, do të paguhet nga të gjithë taksapaguesit shqiptarë, pasi 4-5 milionë euro nga taksat e tyre do t’i paguhen koncesionarit në një vit fiskal, i cili në të vërtetë nuk ka asnjë angazhim për të plotësuar investimet e paplotësuara në aks, por vetëm do të realizojë mirëmbajtje rutinë.
Ekspertët e sektorit, më herët kanë dhënë alarmin për këtë fakt për shkak se Rruga e Kombit po paguhet shtrenjtë nga qytetarët dhe se ndërtimi i saj ka ndikuar rritjen e borxhit publik të vendit me të paktën 2% të PBB-së.
Kur Ministria e Transporteve shpalli fituesin e koncesionit, koncorciumin e përfaqësuar nga kompania turke “Vendeka”, nuk e sqaroi se, tarifa e subvencionit nga buxheti do të ishte vjetore dhe për një periudhë 13-vjeçare. “Oferta e paraqitur nga bashkimi i përkohshëm i shoqërive i kryesuar nga ‘Vendeka Bilgi Teknolojileri Ltd’ ka paraqitur ofertën që përmban kërkesë për subvencion në shumën 5,600,000 euro.
Oferta e paraqitur nga bashkimi i përkohshëm i shoqërive i kryesuar nga ‘Catalyst Viva Das General Constructing LLC’ ka paraqitur ofertën që përmban kërkesë për subvencion në shumën 4,995,000 euro”, thuhej në njoftimin e ministrisë, pa specifikuar vitet që do të paguhej ky subvencion. (Transportet shpallin turqit të preferuar për koncesionin e Rrugës së Kombit).
Komisioni i Prokurimit Publik ka anuluar vendimin që shpalli turqit fitues duke lënë fitues automatikisht kompaninë e dytë në garë “Catalyst”, vendim që u ankimua sërish nga Ministria e Transporteve. Oferta në fuqi, ajo e “Catalyst”, kërkon kompensim nga buxheti 64.9 milionë euro. Investimi fillestar i propozuar është në shumën 43,409,518 euro dhe investimi në vazhdimësi në mirëmbajtje dhe operim të rrugës në shumën 217,562,056 euro.
Sipas ekspertëve, standardi maksimal ndërkombëtar për mirëmbajtjen e 100 kilometrave kërkon një tarifë 2.5 euro. Rruga e Kombit, në të gjithë gjatësinë e saj, është 116 kilometër, ndërsa vetëm gjysma e saj ka përfunduar (60 kilometër Rrëshen-Kalimash). Ekspertët pohojnë se tarifa e koncesionit, përveçse është shumë e lartë, duhet që të përfshinte me patjetër ndërtimin e pjesës së mbetur të saj, zgjerimin e aksit Milot-Rrëshen dhe ndërtimin e dy by pass-eve.
Nga ana tjetër, drejtuesit paguajnë taksë qarkullimi mbi karburantin me 27 lekë për litër, që kryesisht ka funksion të gjenerojë fondet për mirëmbajtjen. Kështu, vetëm nga taksa e qarkullimit, buxheti i shtetit vjel 19 miliardë lekë ose afërisht 150 milionë euro, shumë kjo e mjaftueshme për mirëmbajtjen e rrugëve.

“Monitor”

Artikulli paraprakTë fundit për eksportet, rajoni me shifra dyshifrore
Artikulli tjetërKoncesionari i plehrave kërkon leje për nisjen e masakrës