Koncesionari i plehrave kërkon leje për nisjen e masakrës

Kompania “Albtek Energy”, e cila ka marrë me koncesion të formës (Partneritet Publik Privat) përpunimin e mbetjeve urbane në Elbasan kërkon që nëpërmjet tyre të prodhojë energji elektrike.
Kompania ka në planin e saj të biznesit që, nëpërmjet impiantit të përpunimit të plehrave, të prodhojë energji elektrike.
Për të kryer këtë proces, kompania ka aplikuar në Entin Rregullator të Energjisë, i cili nga ana e tij e ka përfshirë shqyrtimin e dhënies së lejes në axhendë.
Landfilli i përpunimit të mbetjeve në qytetin e Elbasanit është një investim me vlerë 22 milionë euro nga kompania italiane “Albtek Energy” sh.p.k. Sipas planeve të kompanisë, nga trajtimi teknologjik i mbetjeve do të përfitohet energji e gjelbër deri në 17 250 Mwh në vit.
Projekti është një impiant i përpunimit të mbetjeve urbane (IPMU) me rikuperim të energjisë (Waste to Energy Plant- WTE) që mundëson prodhimin e energjisë elektrike. Koncepti i këtij projekti është nga të parët në vend, që gërsheton menaxhimin e mbetjeve me përfitim në prodhimin e energjisë.
Burimet nga kompania kanë njoftuar se impianti me një teknologji bashkëkohore do të shmangë ndikimin negativ në mjedis, nga ana tjetër do të ketë një ndikim edhe në ekonominë lokale.
Ky impiant pritet të vihet në funksion para korrikut të këtij viti dhe ku parashikohet të shkatërrohen 5 tonë mbetje spitalore në ditë. Sipas projektit nga ky impiant, qyteti i Elbasanit pritet të përftojë 530 mijë m2 hapësirë të gjelbëruar.
Kontrata koncesionare mes kompanisë dhe qeverisë shqiptare zgjat deri në vitin 2022 dhe ka një kosto prej 3.3 miliardë lekësh. Kontrata të ngjashme për trajtimin e mbetjeve janë bërë edhe në qytetet e Tiranës dhe Fierit.

Artikulli paraprakRruga e Kombit, 65 milionë euro nga taksat tek koncesionari
Artikulli tjetër10 tronditje ekonomike që duhet të presim më 2017