Rritja stratosferike e çmimeve të apartamenteve në Tiranë

Rritja e çmimeve të apartamenteve në Tiranë, e paralajmëruar nga ndërtuesit pak muaj më parë, ka filluar. Banka e Shqipërisë bëri të ditur në raportin e politikës monetare të tremujorit të parë se indeksi i çmimit të banesave shënoi një shtrenjtim me 11.3%.
Sipas ndërtuesve, arsyet e rritjes së çmimeve lidhen tërësisht me shtimin e ngarkesës fiskale (taksa e ndikimit në infrastrukturë dhe ajo e banesës për stokun e pashitur) dhe jo me faktorë të kërkesës.
Kostot e ndërtuesve janë rënduar nga aplikimi i taksës së banesës mbi inventarët. Tani ndërtuesit paguajnë taksën e banesës për objektet e përfunduara, të cilat ende nuk janë shitur. Në Tiranë, ndërtuesit posedojnë stok për shkak të kërkesës të dobët, ndaj tatimin e kanë përfshirë në çmimet finale të banesave.
Përpos kësaj takse, në fillim të këtij viti, taksa e ndikimit në infrastrukturë është rritur në 8% të çmimit të shitjes nga 4% e kostos që ishte më parë. Dyfishimi nga 4 në 8%, por edhe ndryshimi i bazës së llogaritjes nga kosto në çmimin e shitjes ka rritur ndjeshëm barrën fiskale. P.sh. një ndërtues, që shet apartamente me 900 euro/m2 dhe ka kosto ndërtimi prej 500 euro/m2, më parë paguante taksë infrastrukture 20 euro/m² (500 euro/m2*0.04), ndërsa tani do të duhet të paguajë 72 eur/m2 (900 euro/m2*0.08), apo 3.6 herë më shumë.
Ende nuk ka ndërtime të reja këtë vit pohojnë ndërtuesit, por stoku që do të vijë, do të sjellë rritje të menjëhershme të çmimit, faturë të cilën e merr blerësi në kryeqytet.
Por, ndërtuesit paralajmërojnë se paralelisht do rriten dhe çmimet e banesave të ndërtuara tashmë, ndonëse me ritme më të ulët se ato të reja.
Me vendosjen e taksës së re “absurde”, sipas ndërtuesve, të banesës mbi apartamentet e pashitura në Tiranë, iu shtua më shumë barra tregut. Kështu vlerëson Hajredin Fratari, kreu i Konfindustrisë dhe ndërtues. Ai shton se në asnjë vend të botës nuk paguhet për banesat e pashitura ende.
“Një ndërtues mund të ketë një sasi të lartë të apartamenteve të pashitura, nga tkurrja e kërkesës. Përpjekja e rritjes së taksave nga ana e Bashkisë së Tiranës për apartamentet e pashitura në mënyrë që të nxitet shitja, ka rezultuar e gabuar. Përkundrazi, ka paralizuar tregun”, tregon z. Fratari.
Ndërsa dyfishimi i taksës në infrastrukturë (nga 4% e kostos në 8% mbi vlerën e shitjes) pritet të shtrenjtojë çmimin e tyre.
“Më parë paguhej 7-8 euro/m², ndërsa me ndryshimet e reja rreth 50 euro/m² në periferi dhe në qendër do të jetë më e shtrenjtë”, pohon Fratari.
Taksa e ndikimit në infrastrukturë aplikohet vetëm në vendet e Ballkanit, analizon Fratari, për shkak se vendet në zhvillim kanë nevoja të investojnë në zhvillimin e infrastrukturës.
Si drejtues i Konfindustrisë, ai tregon për “Monitor” se nuk është kundër politikave të taksave, por sipas tij arkëtimi i tyre duhet të përdoret për destinacionin e duhur.

Artikulli paraprakAvokati: Nuk e përjashtoj se gjyqtarët u kërcënuan
Artikulli tjetërPushteti i horrave