Rritja e normave të interesit dhe rifinancimi, rreziqet që kanosi borxhin në dy vitet në vijim

Ekspozimi ndaj rrezikut të rifinancimit dhe normave të interesit në tregun e brendshëm janë burimet kryesore të rrezikut në portofolin e borxhit shtetëror, referon Ministria e Financave në një analizë të posaçme për borxhin. Ekspozimi ndaj rrezikut të kursit të këmbimit megjithëse është relativisht i lartë për shkak të rritjes së borxhit në monedhë të huaj dhe për shkak të portofolit jo shumë të diversifikuar, tenton të zbutet. Kjo bazohet në faktin që mbi 70% e borxhit të huaj është e nominuar në monedhën Euro, e cila ka një volatilitet relativisht të ulët kundrejt monedhës vendase edhe është e targetuar nga politikat monetare të Bankës së Shqipërisë, për shkak të aspiratave të vendit për t’u integruar në Bashkimin Europian. Kushtet aktuale të tregjeve e lejojnë vendin të marr hua në tregun e brendshëm. Tregu i brendshëm është më i lehtë për tu aksesuar, kërkon më pak procedura dhe eviton ekspozimin ndaj rrezikut të kursit të këmbimit. Megjithatë, huazimi i vazhdueshëm në tregun e brendshëm ka implikime, të cilat rrjedhin nga niveli relativisht i lartë i borxhit që rifinancon qeveria në harkun kohor të një viti (mbi 350 miliard lekë), nga baza e ngushtë e investitorëve që përbëhet në më shumë se 58% nga sistemi bankar dhe nga tregu jo plotësisht i zhvilluar i instrumenteve financiare, për shkak të mungesës së një tregu sekondar të mirëfilltë, analizon ministria e Financave.
Duke marrë parasysh këta faktorë rezulton se kërkesa e lartë për financim nga ana e qeverisë në tregun e brendshëm shoqëruar me nivelin e lartë të kredive që nuk performojnë mirë mund të uli kreditimin e sektorit privat, i cili është faktor mjaft i rëndësishëm përsa i përket rritjes ekonomike të vendit, uljes së papunësisë strukturore, si edhe rritjes së produktivitetit dhe konkurueshmërisë në rajon e më gjerë. Nga ana tjetër, rritja progresive e borxhit që duhet shërbyer në monedhë të huaj është në nivele të konsiderueshme dhe sigurimi i valutës në tregun e brendshëm valutor është i kufizuar dhe mund të krijojë implikime në ruajtjen e qëndrueshmërisë së kursit të këmbimit të monedhës vendase kryesisht kundrejt monedhës Euro. Tregu i jashtëm ofron burime të palimituara të financimit dhe është lehtësisht i aksesueshëm nga Shteti Shqiptar. Sigurimi i financimit nëpërmjet burimeve të huaja është një alternativë shumë e mirë për të mos ezauruar burimet e brendshme dhe për të stimuluar kreditimin ndaj sektorit privat. Por ministria e Financave parashikon se, huamarrja në tregjet e huaja mund të ketë implikime që lidhen me faktorë që janë jashtë kontrollit dhe influencës së politikave fiskale dhe monetare të vendit tonë, të tilla si normat e interesit dhe kursi i këmbimit që varen kryesisht nga politikat fiskale të vendeve të tjera dhe politikat monetare të BQE dhe Rezervës Federale. Këta faktorë mund të përshkallëzojnë rritjen e kostove të borxhit, zgjerimin e defiçitit dhe si rrjedhojë edhe rritjen e pavullnetshme të borxhit. Nga ana tjetër, rritja e stokut të borxhit kur nuk shoqërohet me rritje të eksporteve ose rezervave valutore mund të vërë vendin në vështirësi për të likuiduar detyrimet në valutë, duke rrezikuar qëndrueshmërinë e monedhës vendase dhe indikatorëve të tjerë makroekonomikë.

Artikulli paraprakTurqia pret turistët nga Shqipëria
Artikulli tjetërEuropiani vuan për gola