Europiani vuan për gola

Faza e grupeve të Europianit u arkivua dhe tashmë është koha e bërjes së bilanceve për aspekte të ndryshme të lojës siç është driblimi. Në këtë pikë, ajo që kryeson është Anglia me 19.7 të tilla e ndjekur nga Gjermania, Sllovakia dhe Rumania. Përsa i përket futbollistëve, ai që kryeson është Gareth Bale me 13 driblime në 3 ndeshje. Uellsiani është ai që kryeson edhe përsa u përket gjuajtjeve në portë me një mesatare prej 4 gjuajtjesh për ndeshje.
Në këtë fazë të parë të Europianit janë shënuar 69 gola, me një mesatare prej 1.92 golash për ndeshje, kuota më e ulët në fazën e grupeve të këtij kompeticioni që nga viti 1992, kur mesatarja ishte 1.75 gola për ndeshje. Ukraina ishte e vetmja skuadër që nuk shënoi gola në këtë Europian, ndërsa Shqipëria, Suedia dhe Austria ia dolën mbanë të shënonin vetëm 1 gol.
Kompaktësia taktike e skuadrave vërtetohet edhe nga një e dhënë tjetër. Vetëm 10.1% e golave kanë ardhur si pasojë e aksioneve të kundërsulmit, 40.6% e tyre janë realizuar nga goditjet standarde.
Ibrahimoviç ishte ai që bëri bujë për rendimentin shumë të dobët në sulm në këtë Europian, asnjë gol dhe vetëm 1 gjuajtje në portë në 270 minuta, por as Italia nuk ka bërë më mirë. Në 3 ndeshje, Italia gjuajti 24 herë në portë dhe shënoi 3 gola, vetëm Irlanda e Veriut dhe Islanda kanë bërë më pak tentativa se Italia në portat kundërshtare, respektivisht 17 dhe 21 gjuajtje në portë.
Italia së bashku me Rumaninë dhe Shqipërinë mbajnë vendin e parë, përsa u përket kartonëve të verdhë; 10 të tilla secila, por skuadra jonë kombëtare ka në bilancin e saj edhe 1 karton të kuq.
Përsa u përket numrit të faulleve, Rumania është e para me 52 të tilla, e ndjekur nga “të kaltrit” e Contes me 49.

Artikulli paraprakRritja e normave të interesit dhe rifinancimi, rreziqet që kanosi borxhin në dy vitet në vijim
Artikulli tjetërMaradona mesazh Argjentinës: Nëse nuk fitoni, mos u ktheni