Rritet numri i të infektuarve në Shkodër, Ademi: Kam kërkuar shtimin e numrit të testeve, qeveria nuk pranoi

Kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi shprehet se ka kërkuar nga qeveria shtimin e numrit të testeve, por kjo kërkesë nuk është marrë parasysh.

Ademi thekson se, për shkak të kësaj neglizhence është rritur ndjeshëm nurmi i të infektuarve në qytet. Ajo u bën thirrje qytetarëve që të respektojnë masat e marra për Covid-19.

Reagimi

Nata e kaluar, fatkeqësisht ka shënuar një tjetër rritje të numrit të të infektuarëve, të konfirmuara nga testimi në Shkodër. Dy persona, të moshës 65 dhe 75 vjeç janë dërguar me urgjencë në Tiranë pas përkeqësimit të gjendjes së tyre shendetësore.

Vazhdojmë të kemi një rritje progresive të rrezikshme për qytetin tonë!

Janë disa nga shenjat e dukshme të neglizhencës së qeverisë në menaxhimin e pandemisë.

Dy javë më parë, në emër edhe të qytetarëve shkodranë kemi kërkuar shtimin e numrit të testeve si dhe informacion lidhur me:

-Numrin e personave që kanë kryer testet.

-Numrin e personave që kanë telefonuar Urgjencën Kombëtare në numrin 127.

-Numrin e individëve që orientohen të qëndrojnë në shtëpi me shenja të dyshuara të epidemisë.

-Numrin e personave që janë orientuar sipas protokollit shëndetësor për analiza paraprake pas shqetësimeve që kanë patur, si dtë dyshuar me COVID-19.

Asnjë nga këto kërkesa nuk u morën parasysh, duke mos bërë as minimumin e transparencës me qytetarët në një moment shumë të vështirë për Shkodrën e Shkodranët. Pa folur për mungesën e mbështetjes për individët dhe familjet në nevojë në të gjithë territorin e vendit.

Këto ditë, lutja ime është për të gjithë është e njëjtë: Të ndihmojmë secili veten me sjelljen tonë të kujdeshme! Distancimi e qëndrimi në shtëpi pakëson rriskun për pasojat për familjet tona, fëmijët e prindërit, për nënat e baballarët, gjyshërit, për të afërmit, për shoqërinë tonë, për jetën e qytetit tonë.

Bashkia Shkodër, do të vazhdojë mbështetjen ushqimore dhe materialet higjienike çdo ditë për individët dhe familjet më në nevojë në territor.

Përballja është e vështirë, por jo e pa mundur! Shëndeti është mbi gjithçka!

Artikulli paraprakPronari i biznesit infektohet me Covid-19, dyshohet për persona të tjerë të prekur
Artikulli tjetërBasha: Një lajm i gëzuar shërimi i Prof. Dhimitër Krajës! Qeveria të rrisë testimet, duhet garantuar siguria e ekipeve mjekësore