Rritet kostoja e ndërtimeve në Tiranë

Kostot e banesave erdhën në rritje edhe në tremujorin e dytë të vitit për të katërtin tremujor radhazi, teksa çmimet e banesave kanë ardhur në rënie për prill-qershor.
INSTAT raportoi dje se indeksi i kushtimit në ndërtim, në tremujorin e dytë 2017 pësoi një rritje vjetore 0.8%.
Ndryshimet vjetore të indeksi i Kushtimit në Ndërtim për Banesa sipas tremujorëve grupi “shpenzime materiale”, ka shënuar rritje me 1,6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, pasuar nga grupi “shpenzime për paga” me 2,5%.
Krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2016, ulja më e madhe vjetore vërehet në grupin “shpenzime transporti” me 1,5%, pasuar nga grupi “shpenzime makinerie” me 0,2%. Në tremujorin e dytë 2017 ndryshimi i indeksit të kushtimit në ndërtim është 0,1%.
Krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2017, rritje kanë shënuar grupet: “shpenzime për paga” me 1,1%, “shpenzime materiale” me 1,0%. Ndërsa grupet “shpenzime transporti” dhe “shpenzime për energji” nuk kanë ndryshuar krahasuar me tremujorin e mëparshëm.
Ndërsa çmimet e banesave thelluan më tej rënien në tremujorin e dytë sipas indeksit të Bankës së Shqipërisë. Rënia e çmimeve ishte 11% sipas matjeve të kryera në Tiranë.
Ekspertët e tregut pohojnë se çmimet e banesave po bien prej fluksit të lartë të objekteve të reja të banimit që po kryhen në Tiranë.
Dhjetëra blloqe të mëdha banimi po ndërtohen në të gjithë Tiranën duke bërë që çmimi i banesave të vihet nën presion në disa zona.
Menaxherët thanë se çmimet u ulën për shkak të fluksit të madh të ndërtimeve të reja që po bëhen në zonë. Nga pritshmëritë se tregu do të ketë një mbiofertë për ndërtime, disa prej ndërtuesve kanë ulur çmimet për banesat e përfunduara nga frika e një flluske të mundshme.
Banka e Shqipërisë, nga ana e saj, ka analizuar se rritja e treguesve paraprijës të numrit dhe vlerës së përafërt të lejeve të ndërtimit, u ndikua kryesisht nga kategoria e ndërtesave për qëllime banimi.
Rritja e numrit të miratuar të lejeve të ndërtimit dhe kontributi pozitiv i investimeve publike sinjalizojnë për vijim të tendencës pozitive të sektorit të ndërtimit edhe në tremujorin e dytë të vitit 2017. Gjithashtu, treguesi i besimit dhe norma e shfrytëzimit të kapaciteteve në ndërtim sugjerojnë se performanca e sektorit ndërtues qëndron në kahun rritës.

Artikulli paraprakMakthi bërthamor, Trump i ka kartat, por duhet t’i luajë shpejt
Artikulli tjetërKESH, 2.4 milionë euro humbje në 6 muaj