KESH, 2.4 milionë euro humbje në 6 muaj

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, KESH, mbylli gjashtëmujorin e parë të vitit 2017 me 328 milionë lekë (2.47 milionë euro) humbje si pasojë e rënies së të ardhurave nga prodhimi i paktë i energjisë elektrike.
KESH pati mbyllur vitin 2016 me afro 1.2 miliardë lekë fitime (rreth 9 milionë euro), fitime këto të siguruara nga prodhimi veçanërisht i lartë i energjisë elektrike për vitin e shkuar. Por reshjet veçanërisht të larta të viteve 2015 dhe 2016 u pasuan me thatësirë në vitin 2017 duke sjellë rënie të prodhimit dhe të të ardhurave.
KESH publikon të dhënat e veta financiare çdo tre muaj në faqen e vet të internetit, një praktikë që nisi vitin e kaluar me kërkesë të Bankës Botërore për më shumë transparencë nga sektori i energjisë elektrike. Kompania tjetër shtetërore OSHEE, e cila ka gjithashtu detyrim të publikojë bilancin çdo tre muaj, e ndërpreu këtë publikim në mënyrë të pashpjegueshme në shtatorin e vitit 2016, kur publikoi bilancin e nëntëmujorit të atij viti.
Problemet kryesore financiare të KESH lidhen me barrën e rëndë të kredive që kjo korporatë mori në bankat e nivelit të dytë gjatë krizës energjetike të vitit 2011, si dhe me një sasi të stërmadhe asetesh që përbëhen nga fatura të vjetra të papaguara të energjisë elektrike, të cilat u vendosën në bilanc si të ardhura të arkëtueshme në vitin 2011, pavarësisht se shanset për arkëtimin e këtyre faturave janë të vogla.
KESH akumuloi përgjatë viteve të shkuara kredi overdraft nga bankat e nivelit të dytë për një total prej gati 30 miliardë lekësh. KESH ka edhe qindra milionë euro kredi të tjera afatgjata, të cilat nuk është në gjendje t’i shlyejë për shkak se çmimi me të cilin shet energjinë elektrike te OSHEE është i ulët dhe i pamjaftueshëm për të mbuluar kostot e këtyre kredive.
Gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti, prodhimi i energjisë elektrike në Shqipëri qe 3 miliardë kWh, me rënie prej 26 për qind, njoftoi INSTAT të premten. Nga këto, KESH prodhoi 2 miliardë kWh, nga 2.8 miliardë që pati prodhuar të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Prodhimi i energjisë ka qenë i paktë këtë vit edhe nga sektori privat, i cili aktualisht përbëhet nga disa dhjetëra hidrocentrale të vegjël e të mesëm dhe që realizon një të tretën e prodhimit të energjisë elektrike në vend. Sipas INSTAT, prodhimi privat ra nga afro 1.3 miliardë kWh që qe në gjashtëmujorin e parë 2016 në 980 milionë kWh këtë vit ose 25 për qind. Rënia në praktikë është edhe më e lartë nëse marrim parasysh që këtë vit ka nisur operimin hidrocentrali privat i Banjës.

Artikulli paraprakRritet kostoja e ndërtimeve në Tiranë
Artikulli tjetërAmbasadorja e SHBA në OKB: Koreja e Veriut po kërkon luftë