Rritet kërkesa për faliment, në 6 muaj 32 çështje në Shkallën e Parë

Në Gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë, numri i kërkesave për faliment ka ardhur në rritje. Sipas të dhënave zyrtare të kësaj gjykate, çështjet e reja të mbërritura për shqyrtim për periudhën janar – qershor 2016 ka mbërritur në 10. Në total, numri i çështjeve të mbartura edhe nga viti i kaluar që kanë objekt falimentin numërohet në 32.
Së fundmi, kjo gjykatë është shprehur edhe për deklarimin e pretendimeve për dy raste, ai i Italcrome (që ka vepruar në Burrel) dhe Al.p.in shpk (naftë dhe gaz), për të cilat pritet të publikohet lista e verifikimeve të pretendimeve të kreditorëve. Po sipas të dhënave zyrtare të Gjykatës së Shkallës së Parë gjatë periudhës janar–qershor 2016 janë regjistruar në total 11,012 çështje civile nga të cilat 6,047 janë të ardhura të reja, ku pjesa më e madhe kanë të bëjnë me shkaktim dëmi, padi pronësie, padi kontraktuale, kundërshtim veprimi përmbarimor etj.
Gjatë vitit 2015, numri i çështjeve me objekt falimenti arriti në 64 në total. Së fundmi në Kuvend ka mbërritur për disktutim projekligji për Falimentin dhe ai për disa ndryshime në Kodin Civil. Janë rreth 200 nene që do të përcaktojnë të gjithë zinxhirin nga do të kalojë falimenti e ku për herë të parë në historinë e legjislacionit për falimentimin që është miratuar pas viteve ’90, parashikohet një radhë e posaçme preferimi për shlyerjen e detyrimeve para dhe pas rishpërndarjes.
Një plan veprimi për reduktimin e huave me probleme, i hartuar nga Banka e Shqipërisë në korrik të vitit të kaluar, parashikonte që një projektligj i ri për falimentin të shkonte në Kuvend në tetor të vitit 2015. Por, dorëzimi u shty vazhdimisht dhe vetëm tani drafti e ka “gjetur” rrugën për në komisionet kuvendore.
Mësohet se, kompani të fuqishme kanë qenë kundër bërjes së një ligji, i cili do t’i çonte ato drejt falimentimit të pashmangshëm. Me kompleksitetin që kishte legjislacioni i vjetër, biznesmenët e fuqishëm në shumë raste merrnin në banka kredi të mëdha, nuk i paguanin ato dhe zvarritnin pafund procesin në gjykata. Me ligjin e ri shmangen skemat abuzive, pasi fillojnë hetimet për organet drejtuese të kompanive, por po ashtu ka një nen, i cili qartëson vjeljen e detyrimeve të kreditorit edhe për pasuritë që nuk janë lënë kolateral.
Përveç pjesës së “kapjes” së sistemit nga bizneset, një pikë tjetër që po zvarriste këtë proces ishte edhe ikja e disa kompetencave nga duart e drejtuesve të administratës. Një nga këto institucione kyçe janë tatimet. Që një kompani të shpallte falimentin, duhet të bëhej ose me kërkesë të vetë firmës, ose me kërkesë të Drejtorisë së Tatimeve, nëse kishte tre vite rresht që dilte me humbje kapitali, ose dy vite që të kish kaluar me status pasiv. Me ligjin e ri lind e drejta për të kërkuar falimentin edhe pala kredituese, duke i hequr kështu tatimeve monopolin për të çuar ose jo një ndërmarrje në mbyllje.

Artikulli paraprakShtyrja e heqjes së vizave për Kosovën
Artikulli tjetërBanka e Shqipërisë: Biznesi dhe konsumatori s’po dalin nga pesimizmi