Banka e Shqipërisë: Biznesi dhe konsumatori s’po dalin nga pesimizmi

Besimi i bizneseve dhe konsumatorëve ka shfaqur luhatje edhe në tremujorin e dytë të vitit, tha guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko gjatë konferencës për shtyp ku prezantoi zhvillimet e politikës monetare të gjashtëmujorit të parë të vitit. Banka e Shqipërisë mbajti të pandryshuar normën bazë në 1.25%, po ashtu dhe normat ndërmjetëse. Sejko tha se, besimi i ulët mbi perspektivën e ekonomisë po mban nën presion ecurinë e kërkesës së brendshme, duke ndikuar kështu negativisht të gjithë zinxhirin e ekonomisë. Investimet private në gjashtëmujorin e dytë të këtij viti kanë përfituar nga likuiditeti i bollshëm dhe normat e ulëta të interesit, duke shfaqur rritje pozitive. Guvernatori tha se, deficiti tregtar është zgjeruar në gjashtëmujorin e parë, për rrjedhojë, shkëmbimet me jashtë nuk do të kontribuojnë në rritjen ekonomike. Zhvillimet buxhetore u bazuan në të ardhura më të mira dhe shpenzime më të ulëta, por investimet publike janë alokuar nën planifikime. “Ne presim që shpenzimet kapitale të rriten. Një shpërndarje më e mirë e tyre do të ndihmonte ekonominë dhe tregjet”, tha Sejko. Nga ana tjetër likuiditeti paraqitet në kuota të bollshme dhe ecuria e bankave mbetet e qëndrueshme. Kredia për ekonominë u rrit 2.8% deri në prill, por ecuria e tij mbetet nën objektivat e bankës.
Inflacioni vjetor arriti 0.7 në maj dhe po shkon në krahun e pritjeve të Bankës së Shqipërisë. Informacioni i ri nuk i ka ndryshuar pritjet për rritjen e ekonomisë, duke i lënë projeksionet të njëjta për periudhën afatmesme. Banka e Shqipërisë pret përmirësim progresiv të ekonomisë në periudhën afatmesme. Efektet e politikës monetare vijojnë të transmetohen në përshtatje me objektivat e bankës. Ndaj Këshilli i Mbikëqyrjes vendosi të mos ndryshojë normën bazë të interesit dhe normat e tjera ndërmjetëse. Guvernatori tha se ekonomia e Shqipërisë mbetet imune nga Brexit. Ekspozimi tregtar është i papërfillshëm, investimet direkte nga Britania janë në kuota shumë të ulëta dhe bankat shqiptare nuk kanë ekspozim në Britani. Remitancat nga Britania përbëjnë 10% të totalit. Sejko tha se Shqipëria mund të preket nga ndikimet indirekte, nëpërmjet partnerëve të ngushtë tregtarë. Por ai beson se materializimi indirekt do të jetë i ulët dhe nga ana tjetër ekonomia dhe sistemi bankar shqiptar ndjehet edhe më i përgatitur, nisur nga precedenti Grexit i vitit të kaluar.
Banka e Shqipërisë apelon qeverinë që të rrisë investimet publike për të stimuluar ekonominë, pasi politika e fortë e konsolidimit fiskal po ndikon negativisht te rritja reale. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ka deklaruar se bizneset dhe qytetarët kanë rritur konsumin dhe investimet duke ndikuar pozitivisht te ekonomia në pjesën e parë të vitit, por ata kanë ende pasiguri. Ndërkaq problem mbetet ende kreditimi anemik, edhe pse bankat kanë ulur interesat e kredive, duke reflektuar politikën lehtësuese të Bankës së Shqipërisë.
Konsolidimi i fortë fiskal që po bën qeveria nëpërmjet shkurtimit të shpenzimeve po jep efekte negative te ekonomia reale. Banka e Shqipërisë argumenton se rritja në pjesën e parë të këtij viti është mundësuar nga investimet private të biznesit dhe qytetarëve që po japin shenja gjallërimi, ndërsa investimet publike dhe eksportet po bëjnë efektin e kundërt. “Ekonomia shqiptare ka shënuar rritje në gjysmën e parë të vitit 2016. Kjo rritje duket të jetë mbështetur nga zgjerimi i konsumit dhe i investimeve private, ndërkohë që përkeqësimi i bilancit tregtar me jashtë dhe suficiti buxhetor i krijuar gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit, kanë vepruar në kahun e kundërt”, tha Sejko.
Kreu i Bankës së Shqipërisë i kërkon qeverisë që të rrisë investimet në pjesën e mbetur të vitit për t’i dhënë stimul ekonomisë. “Në përputhje me projeksionet buxhetore, ne presim rritjen e tempit të shpenzimeve publike dhe ngadalësimin e tempit të konsolidimit fiskal gjatë gjysmës së dytë të vitit. Megjithatë, Banka e Shqipërisë gjen me vend të ritheksojë se një shpërndarje më e njëtrajtshme e shpenzimeve buxhetore do të ndihmonte në uljen e luhatjeve të aktivitetit ekonomik dhe të tregjeve financiare”, tha ai.

Artikulli paraprakRritet kërkesa për faliment, në 6 muaj 32 çështje në Shkallën e Parë
Artikulli tjetërGjobat e padrejta, rritet numri i apelimeve tatimore