Rrëfimi i nënës: Djali përqafoi edukatoren që e trajtonte mirë

Nëna e 3-vjeçarit të dhunuar nga Anjeza Shabani ka shkruar një letër prekëse në adresën e Revistës “Anabel” në Facebook, në të cilën shpreh brengën e saj, si dhe ferrin që ka përjetuar vogëlushi pas ngjarjes dramatike. Ajo thekson se i biri nuk është autik, siç u raportua në media, ndërsa shton se të gjithë fëmijët në kopshtin “Diren” janë dhunuar.
“Anabel… Po reflektoj dhe pse në gjendje psikologjike të rëndë, e imja dhe e tim bir… Jam mami i atij vogëlushi që është rrahur barbarisht, është mbyllur brenda një dhome me errësirë. Çdo ditë i shkuleshin flokët, saqë kur e laja, vëreja pika të kuqe në kokë dhe i binin flokët dhe më thoshte vetëm: ‘Mami, mami’.
Mjalti me arrat që i çoja shtesë, nuk i hante im bir, por kjo kriminele dhe i shijonte. Bebelinat, letrat e lagura që dërgonin fëmijët, i përdorte për vajzën dhe mbesën e saj. Kur rrihte fëmijët ishte siguruar me një solucion ‘Sprait’ që largonte shenjat. Aty janë dhunuar të gjithë fëmijët, të cilët flasin dhe do të dëshmojnë. Djali im sa nisi duke folur në prill, por ndaloi kur e çova në kopsht. I thoja asaj çdo ditë që diçka nuk shkon me djalin tim. Ajo më thoshte: ‘Pasha Allahun e mbaj si djalin tim’.
Femër shumë mashtruese. Nuk mund ta besoja. Çdo ditë si nënë kisha mbytje në vetvete. Djali im ka zhvillim pak të vonuar, por nuk është autik. Dhe kjo ka qenë në dijeni që djali nuk flet. Thotë vetëm ca fjalë, sa kishte filluar të shpërthente. Është i urtë, i dashur. Është jeta ime. Fëmija reagon ndaj dhunës. Kishte instinktet dhe u mbrojt, iu dridhën duart, (në video) shkoi e përqafoi edukatoren që e trajtonte mirë.
Ajo që më shqetëson është gjendja e djalit tim. Unë jam nëna e tij dhe vetëm dashuria ime do ta bëjë të kalojë gjithë këtë traumë prej 8 muajsh. Tani ndodhemi në spital dhe unë dhe im bir që është në gjendje të rëndë dhe i duhej të bënte anestezi për një rezonancë magnetike. Faleminderit të gjithë shqiptarëve”, mbyll shkrimin e saj Jonida, mamaja e djalit të dhunuar.

Monstra pranon dhunën ndaj fëmijës
Administratorja e kopshtit pa licencë që dhunoi fëmijën 3 vjeç e ka pranuar krimin. Me lot në sy, ajo ka pranuar se e kishte dhunuar fëmijën 3 vjeç, por sipas saj, ka qenë rasti i vetëm. Mësohet se Shabani ka shfajësuar veten, me argumentin se goditja e fëmijës ka qenë në një moment nervozizmi, por që asnjëherë tjetër nuk ka dhunuar ndonjë fëmijë. Ajo ka pretenduar se në pamjet filmike bruto ka edhe momente kur fëmija përqafohet dhe i dhurohet dashuri dhe nuk është ajo sjellja e përditshme. Por pavarësisht këtyre pretendimeve, policia dhe Prokuroria ka ngritur dyshime se pamjet e shfaqura nuk janë të vetmet në këtë kopsht. Pasi edhe prindër të tjerë kanë pretenduar se fëmijët iu dhunoheshin herë pas here.
Nga ana tjetër, janë marrë në pyetje edhe edukatorët e këtij kopshti, të cilët kanë pranuar dhunën e administratores. Sipas këtyre pamjeve, të transmetuara në emisionin e mbrëmjes së të hënës, shfaqet administratorja e kopshtit Shabani duke dhunuar fëmijën 3 vjeç. Mbi Shabanin rëndojnë dy akuza për momentin, ajo e “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Keqtrajtimit të të miturve” që rrezikon një dënim deri në 7 vjet burg. Ndërkohë në ditët në vazhdim, pritet edhe ngritja e akuzave të tjera, pasi kopshti funksiononte pa dokumentacionin përkatës.

E dhunoi për dy orë 3-vjeçarin, edukatoret e “fundosin” monstrën

Dalin në dritë detaje të tjera lidhur me skandalin e dhunimit të fëmijës 3-vjeçar në kopshtin privat “Diren”, nga ana e administratores Anjeza Shabani. Bëhet e ditur se edukatorja¬ pronare e kopshtit, Anjeza Shabani e ka dhunuar për dy orë rresht fëmijën 3-vjeçar. Nuk bëhet fjalë vetëm për dhunë fizike, por edhe psikologjike. Kamera e fshehtë ka xhiruar për më shumë se gjashtë orë në kopshtin në fjalë, ndërsa nga këto 6 orë regjistrime dy orë ishin të mbushura me dhunë verbale, psikologjike dhe fizike.
Edukatoret e kopshtit ku mbrëmjen e së hënës u denoncua nga emisioni “STOP” dhuna ndaj një fëmije 3-vjeçar, kanë pranuar dhunën e ushtruar nga administratorja. Të pyetur për këtë fakt, ata janë shprehur se kishin frikë të denonconin, pasi do të largoheshin nga puna. Ende nuk është vendosur, se çfarë qëndrimi do të mbahet për edukatoret e këtij kopshti, të cilët kanë parë dhunën e shefes së tyre dhe nuk e kanë denoncuar.
Veç administratores dhe edukatoreve të kopshtit, policia ka marrë në pyetje edhe prindërit e fëmijës 3 vjeç, të cilët kanë treguar dhunën fizike që administratorja ushtronte ndaj fëmijës së tyre. Për këtë dhunë, mësohet se policia i ka vënë në dispozicion një vendim ekspertimi prindërve të fëmijës 3 vjeç, duke i kërkuar ta dërgonin pranë Mjekësisë Ligjore për të kryer ekzaminimin e dëmtimeve në trupin e fëmijës së vogël. Përgjigjja e këtij ekspertimi mësohet se do të përdoret nga prokurorët për t’i kërkuar gjykatës caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” për administratoren e kopshtit, Anjeza Shabani.
Për llogari të këtij hetimi, mësohet se prokurorët kanë urdhëruar sekuestrimin e pamjeve bruto të filmuara nga kamerat e emisionit investigativ “STOP” në “TV Klan”, pamje të cilat do të administrohen me cilësinë e provës materiale. Shabani është arrestuar menjëherë pas publikimit të videos në televizion dhe pritet të marrë dënimin.

Si u zbulua dhuna që ushtronte drejtoresha nga babai i tij

Videoja shokuese e publikuar nga emisioni investigativ “STOP” i transmetuar në “TV Klan” për dhunën ndaj një fëmije të moshës trevjeçare i sëmurë, në një kopsht privat në Sauk, ka tronditur mbarë opinionin publik. Denoncimi i këtij rasti është bërë nga babai i vogëlushit, i cili i është drejtuar emisionit, për të investiguar dhe për të vërtetuar dyshimet që ai kishte lidhur me dhunën e ushtruar ndaj djalit të tij, dyshime të cilat kishin lindur pas shenjave të dhunës të konstatuara në trupin e vogëlushit.
Por si nisi ky denoncim dhe si u zbulua dhuna nga babai i fëmijës?
Pak kohë më parë, babai i fëmijës së dhunuar, kishte nuhatur se me fëmijën e tij të vogël diçka nuk po shkonte ashtu siç duhet në kopshtin privat ku e kishte çuar.
Ai tha se fëmija e ka të vështirë të flasë, kjo për shkak se 3-vjeçari është me zhvillim të vonuar sipas nënës së tij, çka e ka bërë më të vështirë zbulimin e dhunës së tmerrshme që administratorja ushtronte ndaj këtij fëmije. Sipas dëshmisë së babait ai ka vënë re se, diçka nuk shkonte me fëmijën e tij dhe se kishte mavijosje në trupin e tij, që nga hamendësimet e para, të menjëhershme, të lënë të kuptosh se aty ka diçka që flet qartë për dhunë tek ai.
I ati i fëmijës tha se ata ishin të bindur që ndaj vogëlushit të tyre ushtrohej dhunë: “por për të qenë më të sigurtë për atë se çfarë po ndodhte aty, menduam të thërrasim në ndihmë gazetarët e emisionit investigativ ‘STOP’ në ‘TV Klan’”, tha babai. Dhe kështu pasi foli me gazetarët ai duhet të çonte një provë që ata të mund të nisnin investigimin. I ati i fëmijës ka dërguar në redaksi dy foto ku trupi i fëmijës ishtë i mbushur me shenja dhune, që sipas tij vinin nga “pickimi” dhe kapja fort që i bëhej në trup.
Kjo u desh që stafi i emisionit investigativ “STOP” të shkojë në ambientet e brendshme të këtij kopshti dhe të montojë një kamer të fshehtë, e cila zbuloi të vërtetën e hidhur jo vetëm për familjen e vogëlushit, por nga ajo u tronditën të gjithë. “Djali na ka ardhur me shenja në shtëpi, kemi konstatuar dhunë dhe jemi të bindur që aty ka dhunë, prandaj dhe kërkojmë edhe ndihmën tuaj. Djali është tek kopshti ‘Diren’ me administratore ose drejtoreshë Anjeza Shabani. Fëmija është i moshës trevjeçare, por në çastin kur ai vjen në shtëpi gjendja e tij është shumë e rëndë, ai nuk flet, ka shumë vështirësi në të folur, por me anë të shpjegimeve verbale dhe jo verbale kemi arritur të kuptojmë se aty po ndodh diçka. Ne jemi të bindur se aty ka dhunë. Unë dyshoj, por më tepër jam i bindur se djali im aty dhunohet, prandaj jam drejtuar këtu tek ju me besimin për ta faktuar këtë gjë”, është shprehur babai i fëmijës.

Ministrja e gllabërimit të fondeve lan duart si pilati!

Ish-Kryeministri Berisha ka reaguar ndaj deklaratës së ministres së Arsimit, Lindita Nikolla, e cila iu vërsul gazetares që i bëri pyetjen për dhunën e ushtruar ndaj fëmijës në kopsht. Në një postim në Facebook, Berisha shkruan se, për hajdutët e shtetit fajin e ka ose Saliu ose mediat! Ministrja e gllabërimit të fondeve lan duart si pilati!
“Të dashur miq, ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, që është bërë e famshme për shpërdorim dhe abuzime të miliarda lekëve me sekretarin e saj të Përgjithshëm deri dhe badiguardin e vet, pasi përfundon prononcimin për skandalin me kopshtin ‘Diren’, i vërsulet me egërsi të papërmbajtur gazetares së ‘ABC News’, se pse ajo e kishte pyetur mbi bazat dhe kriteret e licencimit të kopshteve.
‘Sa ka që hiqen si gazetarë, kush e di nëse ata kanë diplomë apo jo’, thotë ministrja Nikolla, e cila tregon për mungesën e plotë të ndjeshmërisë së saj ndaj skandaleve të panumërta në shkolla e kopshte, prandaj dhe agreson gazetaren për pyetjen e saj sikur e pyeti për kriteret e licencimit të serrave të domateve dhe jo kopshteve për fëmijët tanë.
Kjo ndodh kur pasurohesh me fondet që taksapaguesit japin për infrastrukturën e arsimit tonë! Shiheni. sb”, shkruan Berisha.
Ministria e Arsimit dhe Sportit ka reaguar përmes një deklarate lidhur me skandalin e bërë publik të hënën në mbrëmje, ku administratorja e kopshit “Diren” dhunonte një fëmijë 3-vjeçar. MAS pranon se kopshti ishte i palicencuar nga ky institucion, ndërsa fton prindërit që kanë fëmijët në kopshte private të bëjnë verifikimet përkatëse nëse kopshti është apo jo i licencuar.
Ministria e Arsimit dhe Sportit nuk ka ushtruar asnjë inspektim dhe kontroll në kopshtin “Diren”, duke i krijuar mundësi drejtoreshës monstër që të ushtrojë dhunë tek fëmijët. Të gjithë fëmijët e kopshtit janë dhunuar sistematikisht prej saj dhe kërcënoheshin që të mos tregonin tek prindërit. Përgjegjësi për këtë dhunë mban edhe Ministria e Arsimit dhe Sportit.

Artikulli paraprakSondazhi: Shqiptarët më pesimistë në Ballkan, shkak papunësia dhe korrupsioni
Artikulli tjetërDule: Kërkesa e opozitës për Reformën në Drejtësi, legjitime