Ronaldo ndez motorët për Sitin

“Do të jem i gatshëm për ndeshjen e kthimit. Për këtë ju siguroj”. Kjo ka qenë deklarata e Kristiano Ronaldos pas ndeshjes së parë gjysmëfinale me Mançester Sitin dhe duket se portugezi po e mban premtimin. Me shumë mundësi, ai do të jetë titullar për sfidën e nesërme, ku Reali luan shanset për të siguruar finalen e Ligës së Kampionëve.
Ditën e djeshme, ylli portugez kreu stërvitje të plotë, duke treguar se nuk ndien më dhimbje në kofshë dhe ky fakt duket se e ka gëzuar së tepërmi trajnerin Zidan, i cili ishte duke pritur me padurim rikuperimin e portugezit. Ronaldo ka marrë ngarkesë të plotë fizike në stërvitjen e djeshme dhe ka qenë në formë shumë të mirë.
Ai është parë, duke buzëqeshur dhe në humor pozitiv, duke lënë të kuptohet se nesër do të jetë në fushën e lojës për të ndihmuar skuadrën e tij të shkojë në finalen e Milanos. Portugezi është nga ata lojtarë që mund të zgjidhë i vetëm një ndeshje dhe diçka të tillë e vërtetoi ndaj Volfsburgut, ku arriti të shënonte 3 herë dhe e kualifikoi Realin për në gjysmëfinale.
Nëse Ronaldo e ka fituar betejën me dhimbjen dhe me kohën e rikuperimit, i vetmi shqetësim për shtëpinë e “galaktikëve” mbetet Karim Benzema. Sulmuesi francez nuk është stërvitur me skuadrën, por ka bërë ushtrime i vetëm, duke shqetësuar stafin teknik të Realit. Nëse ai do të jetë gati për sfidën e nesërme, do të kuptohet ditën e sotme, pasi të kryejë analizat. Megjithatë, Zidan e ka “asin nën mëngë” dhe zëvendësuesi i tij pritet të jetë Lukas Vaskez.
Ky i fundit është duke kaluar një moment shumë pozitiv dhe mund ta bëjë më së miri detyrën e Benzemasë. Në fakt, mungesa apo prezenca e numrit nëntë të madrilenëve është çështje dytësore në ekip, pasi e gjithë vëmendja për momentin është përqendruar te Kristiano Ronaldo, i cili i ka qetësuar të gjithë, pasi do të zbresë në fushën e lojës për të marrë mbi shpatulla fatet e skuadrës së tij.

Artikulli paraprakProfesionistët e lirë ankimojnë në Kushtetuese ligjin e pagave të reja
Artikulli tjetërKESH dhe qeveria shtyjnë afatet e shlyerjes së 30 miliardë lekë borxhe në banka