Rinia ikën, 80% e të larguarve nga Shqipëria drejt BE nën 35 vjeç

Shqipëria ndodhet përballë një emergjence ku të rinjtë po largohen masivisht nga vendi, duke sinjalizuar një situatë alarmi në të ardhmen e afërt për forcën e punës, shtesën natyrore të popullsisë dhe të ardhurat për arkën e pensioneve.
Sipas “Pew Research Center”, që ka përpunuar të dhënat e Eurostat për emigracionin në vendet e BE në vitin 2015, shihet një tendencë e lartë e të rinjve për të emigruar. Qendra kërkimore tregon se 80% e azilkërkuesve shqiptarë ishin nën 35 vjeç.
Sipas të dhënave, 31% e azilkërkuesve shqiptarë në vitin 2015 ishin femra të moshës 0-34 vjeç, ndërsa 49% ishin meshkuj të kësaj grupmoshe. Shifrat tregojnë për një emigracion në masë të familjeve të reja.
Shqipëria e ka shumë të lartë dhe përqindjen e fëmijëve që ikin me prindërit e tyre, teksa grupmosha 0-17 vjeç zinte 34% të totalit të azilkërkuesve. Në vlerë absolute rezulton se rreth 23 mijë fëmijë e adoleshentë (nga zero deri në 17 vjeç) kanë kërkuar azil në Evropë gjatë vitit të kaluar.
Studimi tregon se nga vendet aziatike emigrojnë kryesisht meshkujt vetëm, ndërsa nga vendet në zhvillim të Europës, ku përfshihet edhe Shqipëria, emigrojnë përgjithësisht familjet. Të dhënat sugjerojnë se, azilkërkuesit nga vende si Rusia, Serbia, Ukraina dhe Shqipëria kanë tendencë për t’u zhvendosur si familje. Përqindja e të miturve të pashoqëruar në mesin e të gjithë azilkërkuesve në Europë arriti afërsisht 7% të të gjithë azilkërkuesve më 2015.
Në projeksionet afatgjata të popullsisë shqiptare, INSTAT parashikonte sipas të gjithë skenarëve që emigracioni të ishte 100-300 mijë persona deri më 2030. Mirëpo ky fenomen u përkeqësua në vitin e fundit, duke kaluar edhe parashikimet më pesimiste.
Sipas të dhënave të Eurostat, numri i azilkërkuesve nga Shqipëria është rritur me 439%, duke arritur në rreth 67 mijë në vitin 2015, nga 12.2 mijë që ishin një vit më parë.
Këtu janë të përfshirë vetëm individët që janë regjistruar si azilkërkues në vendet e BE-së, ndërsa numri total i të larguarve (jo vetëm në BE, por dhe në SHBA) është vështirë të matet, por gjithsesi ai është më i lartë se 67 mijë.
Rritja e numrit të të ikurve më 2015-ën pritet të japë ndikim të ndjeshëm në ekonomi, duke u bërë jo vetëm një element për uljen e potencialit të rritjes ekonomike të vendit dhe konsumit, por dhe një mungesë direkte në ofertën e krahut të punës në Shqipëri.

Shqipëria në krye të listës

Shqipëria dhe Kosova janë dy shtetet e Evropës Lindore që kanë kryesuar në kërkesat e tyre për azil në vitin 2015, sipas një raporti të fundit të “Pew Research Center”, që ka analizuar të dhënat nga Eurostat, agjencia statistikore e Bashkimit Evropian. Sot, thotë raporti, vendet e Evropës Lindore, si Kosova dhe Shqipëria ende kontribuojnë në rrjedhën e përgjithshme të azilkërkuesve në BE, Norvegji dhe Zvicër, por rreth gjysma e refugjatëve më 2015 kishin origjinë nga vetëm tri vende: Siria, Afganistani dhe Iraku. Disa prej azilkërkuesve të Evropës në vitin 2015 ishin nga rajone që kanë pasur dhe valë të kaluara të emigrantëve.
Gati një në pesë azilkërkues në vitin 2015 (17%) kanë ardhur nga vendet evropiane jashtë BE-së, Norvegjia dhe Zvicra, duke përfshirë azilkërkuesit nga Kosova (68.000 në vitin 2015, nga 35.000 më 2014), Shqipëria (67,000 në vitin 2015, nga 16,000 në vitin 2014) dhe Ukraina (21.000 në vitin 2015, nga 14,000 në vitin 2014). Kosova dhe Shqipëria janë përkatësisht në vendin e katërt dhe të pestë për kërkesat për azil (duke përbërë secila nga 5% të totalit) për vitin 2015, pas tri shteteve që i ikin luftës: Siria, Afganistani dhe Iraku. Madje raporti vë në dukje se Evropa mori pothuajse të njëjtin numër të aplikimeve për azil nga Shqipëria dhe Kosova së bashku, sa mori dhe nga Iraku. Nga Shqipëria në Gjermani kishte 54 mijë azilkërkues.
Në total, një rekord prej 1.3 milionë emigrantësh kanë aplikuar për azil në 28 shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, Norvegji dhe Zvicër më 2015 – pothuajse dyfishi i rekordit të mëparshëm prej 700,000 vetësh, që ishte vendosur në vitin 1992 pas rënies së Perdes së Hekurt dhe rënies së Bashkimit Sovjetik. Që nga viti 2012, Gjermania ka qenë vend kryesor destinacioni për azilkërkuesit në Evropë, duke marrë 442,000 kërkesa për azil vetëm në vitin 2015. Pas Gjermanisë vjen Hungaria (174,000 aplikacione) dhe Suedia (156,000). Ndërkohë, Franca (71.000) dhe Mbretëria e Bashkuar (39,000) kanë marrë afërsisht numrin e njëjtë të aplikacioneve në vitin 2015, si në vitet kur vala e emigracionit nuk ishte kaq masive.

Artikulli paraprakHysaj: Synojmë Botërorin!
Artikulli tjetërAvokati i Popullit: Qeveria po keqtrajton komunitetin rom