Rilindja urbane si tablo e Parlamentit rural

Sokol GJONI

E formësuar në formë dhe në përmbajtje si një trupë cirkuistike, qeveria Rama 2, përmes shfaqjeve burleske dhe butaforizmit komunikativ në funksion të zhvendosjes së vëmendjes qytetare nga problematikat e shumta, duket se nuk po heq dorë nga surrogati qeverisës i mandatit të parë. “Rilindja urbane” si projekti zhvillimor më i fuqishëm i vendit, i artikuluar delirantshëm nga kryeministri dhe i nënvizuar fuqishëm gjatë fushatës së zgjedhjeve të 25 qershorit 2017, si galopi i ecjes dhe prosperimit të Shqipërisë në ngjitjen e shkallëve të rritjes së saj ekonomike dhe i proklamuar çjerrazëshëm nga gavolet mediatike proqeveritare, tashmë me plot gojën mund të cilësohet i dështuar dhe i pakuptimtë për rëndësinë dhe tërësinë e nevojave imediate në fusha të tjera investimesh. E shpërfaqur si një telajo e shpëlarë ngjyrash dhe me deviacione të shumta funksionaliteti, “rilindja urbane” ky projekt “alla Rama”, është më shumë përmbushje kapriçiosh dhe shpërblim klientele për pagatorët e partisë, se sa një realitet i ri investimesh strategjike. Për të kuptuar më së miri thelbin dhe rëndësinë e këtij projekti, efikasitetin dhe perspektivën e tij, mjafton të hedhësh një sy në cilësinë e realizimit të këtyre investimeve. Për të mos folur pastaj, për “rastësinë” e faktit që të gjithë fituesit e tenderimeve të zhvilluara në kuadër të këtyre projekteve dhe të shpallura në faqen e Agjensisë së Prokurimeve Publike janë firma klienteliste apo individë me afera dhe raporte të njohura publikisht me pushtetin. Përtej kërshërisë së ngjyrave dhe ngacmimit viziv të shqisave, “rilindja urbane” është tipikisht dështimi i qeverisjes së vendit dhe metaforikisht degradimi në zullumnajë i një grushti oligarkësh që grabisin dhe zhvatin të ardhmen e këtij vendi. Nuk mund të ishte ndryshe, veçse të shpërblehej kështu shpura e klientëve të Ramës, ndaj të cilëve përmes këtij palo investimi, u krijohet mundësia për të marrë haraçin e tyre. Në vijimësinë e shfaqjeve burleske dhe kllonuadës qeverisëse, kundërthëniet dhe metaforat antonimike janë sensi i shterpësisë dhe mungesës së vizionit që ka Rama për qeverisjen e vendit. Sikur të mos mjaftonte grotesku i “rilindjes urbane”, Rama nxori nga sënduku i tij artificin e “Parlamentit rural” si mekanizmin e duhur në funksion të rropatjes së tij për të ikur sa të jetë e mundur nga dara e “halleve” që pritet ta ngërthejnë. Llogaritë për të marrë i vetëm timonin qeverisës, përkundrejt mekanizmave kriminal të përdorur, duket sikur ia kanë prishur rehatinë dhe nuk po i vlejnë më Ramës në përmbushjen e qëllimeve të tij. Fshikullima e ambasadorit amerikan Donald Lu, përveçse e damkos kryeministrin tonë në arenën ndërkombëtare si të lidhur me klanet mafioze, është dhe sinjali më i qartë i rrëshkitjes së vendit tonë në spiralen e interesave okulte të grupeve dhe klaneve të fuqishme, të cilat tashmë janë potente dhe dominante në hierarkinë e politikëbërjes dhe të institucioneve më të rëndësishme kushtetuese, duke paralajmëruar zhvillime aspak pozitive për ecurinë e demokracisë dhe të rendit kushtetues në Shqipëri. Parlamenti rural, i cili erdhi përmes zhurmnajës dhe pompozitetit të mediave çibane, prodhoi një dukuri tipike neokomuniste, duke risjellë protagonizmin e shoqeve të partisë, të cilat vijnë direkt nga fronti i punës dhe lëshojnë mesazhe të forta për masat revolucionare. Përtej këtyre artificeve, që burojnë nga vlugu psikologjik i klasës së neobllokmenëve, sërishmi Rama nuk do të mundet të shmang konfrontimin me qytetarët shqiptarë, të cilët presin shpjegime dhe veprime konkrete për zhytjen e Shqipërisë në dinamikën e interesave klanore të grupeve mafioze që uzurpojnë interesat e vendit. Sa më shumë vonohet kryeministri në dhënien e shpjegimeve të tilla, aq më shumë e kompromenton veten dhe qeverisjen e tij. Prej kohësh, Shqipëria ka marrë sinjale të forta nga vendet partnere, si dhe nga aleatë strategjikë për rrezikun evident të rrëshkitjes së saj nga proceset integruese. Fenomeni i kultivimit masiv të kanabisit, me bekimin e strukturave të qeverisë, të cilat ishin pjesë, jo vetëm e dijenisë, por edhe të përfshira, e sigloi Shqipërinë në hartën e vendeve prodhuese dhe transportuese të kanabisit, duke shembur të gjithë rezultatet e arritura nga qeverisja e mëparshme në drejtim të plotësimit të kushteve për përafrimin me BE-në. Me silurin që lëshoi ambasadori Lu, duke përcjellë jo thjeshtë shqetësimin e tij, se Shqipëria ndodhet praktikisht e sunduar nga klane dhe familje me veprimtari mafioze, atëherë shpëtimi i Ramës, mbetet dorëheqja e tij, dhe nëse nuk ndodh shpejt, atëherë shqiptarët duhet të shpëtojnë vendin e tyre me largimin sa më parë të këtij kryeministri dhe të lidhjeve të tij me klanet mafioze.

Artikulli paraprakPas hekurave përdoruesit, trafikantët lihen të lirë
Artikulli tjetërPse Shqipëria u përjashtua nga Samiti i Varnës?!