Rilindja urbane ka kushtuar 285 milionë euro në një vit

Janë të gjitha projekte fasadash. Asnjë projekt që ndikon në përmirësimin e jetesës së qytetarëve. Fokusimi i investimeve publike në përmirësimin e infrastrukturës dhe imazhit në qendrat e qyteteve duket se ka kushtuar njësoj me ndërtimin e autostradës së re Tiranë–Elbasan. Sipas të dhënave nga Ministria e Çështjeve Vendore, gjatë viteve 2015-2016, janë investuar 39 miliardë lekë (285 milionë euro) në infrastrukturën vendore dhe rajonale, një pjesë e tyre nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve. Sipas të dhënave zyrtare, këto fonde janë përdorur për investime në rrugë dhe rikonstruksione të autostradave, sisteme të ujësjellës-kanalizimeve, parqe publike dhe ndërhyrje të tjera. Pjesë e këtyre investimeve kanë qenë projekti “Lungo mare” në Vlorë. Disa nga objektet e financuara janë: Hyrjet e Tiranës nga Durrësi dhe Elbasani, sistemimi i 2 shesheve në Tiranë, Unaza e Divjakës, rruga Transballkanike në Vlorë, mbushja me rërë e plazhit Vlorë, rruga e Dajtit, Sheshi i Kukësit, Shëtitorja Himarë, etj.; Punimet kanë përfunduar në 37 objekte dhe në fazën e zbatimit janë 2 objekte. Punimet në të gjitha objektet parashikohen të përfundojnë në maj 2017. Disa nga projektet mjedisore kanë të bëjnë me pyllëzimin e Krastës në Krujë, gjelbërimin e aksit rrugor Plepa–Vlorë, gjelbërimin e vijës bregdetare të Vlorës dhe Parkut të Liqenit Artificial në Tiranë; gjelbërimin e aksit Levan–Kakavijë, Lushnjë–Berat, gjelbërimin e aksit IKV-Surrel dhe segmentit Lin–Pogradec, etj. Punimet e mbjelljes së pemëve kanë përfunduar në 8 objekte, nga të cilat 2 janë mbyllur përfundimisht dhe 6 të tjera janë në periudhë mirëmbajtje. Në dy objekte të tjera punimet janë në proces dhe pritet të mbyllen gjatë vitit 2017. Në sektorin e arsimit janë financuar investimet në shkollën e mesme Tunjë, Gramsh; shkolla 9-vjeçare në fshatin Sheq të Frakullës, shkolla 9-vjeçare në Toshkëz, Njësia Administrative Allkaj; shkolla 9-vjeçare Dërsnik, Njësia Administrative Voskop. Punimet kanë përfunduar në të gjitha shkollat. Objektet ndodhen në periudhën e garancisë së defekteve dhe pritet t’u dorëzohen bashkive përfituese gjatë vitit 2017.

Artikulli paraprakTë miturit që largohen drejt BE, Shqipëria, shifra alarmante
Artikulli tjetërTakim blic për Andrea Belotin