Rikuperon euro në tregun vendas; E nis javën pranë 131 lekë

Monedha e përbashkët europiane është forcuar ndjeshëm në këtë fillim jave, duke u këmbyer me 130.95 lekë sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë. Krahasuar me fundin e javës që lamë pas, euro u çmua sot me 1.1 lekë. Euro është forcuar me gati 2 lekë, pasi fitoi pikë përkundrejt monedhës vendase edhe të premten. Monedha e përbashkët për tre javë me radhë u nënçmua më shumë se 3 lekë në tregun vendas deri sa preku nivele të ulëta historike të enjten, kur u këmbye me 129.05 lekë. Edhe monedha e gjelbër ka fitur pikë ndaj lekut, ku sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë sot është këmbyer në kuotën e 105.64 lekëve. Monedhat kryesore të shportës prej kohësh po këmbehet në nivele të ulëta përkundrejt lekut vendas. Sipas ekspertëve të kursit të këmbimit monedha vendase, ky forcim i lekut po vjen si rezultat i qarkullimit të dobët të tij në ekonomi dhe ofertës së lartë të valutës në tregun vendas. Zhvlerësimi i monedhës së përbashkët u ndje më së shumti në datat e fundit të pagesës së TVSH-së dhe sigurimeve nga bizneset. Argumenti i ekspertëve është se në këto data bizneset nxitojnë të thyejnë rezervat e tyre valutore për të mbyllur detyrimet. Gjithashtu rëniet e vazhdueshme të euros në tregun vendas nxitën individët për të konvertuar kursimet në valutë në monedhën vendase.

Artikulli paraprakRruga e “Kombit”, Rama vendosi tarifat më të larta në Europë
Artikulli tjetërPastrimi i Parave: 9 milionë euro të sekuestruara gjatë 2017-ës