Revolucion te Chelsi

Roman Abramovich nuk është i kënaqur me situatën aktuale të Chelsit. Për këtë arsye manjati rus po mendon që të bëjë një revolucion te “Blutë” duke e kthyer vëmendjen tek ekipet zinxhir të klubit londinez. Lajmi bëhet i ditur nga tabloidi britanik “Daily Mail” që ka publikuar edhe planin e padronit të Chelsit në lidhje me këtë çështje. Sipas “Daily Mail”, Abramovich kërkon që të fuqizojë akademinë e Chelsit duke qenë se numri i futbollistëve të dalë prej saj në ekipin e parë është shumë i ulët. Aktualisht Chelsi ka dhënë me huazim 38 futbollistë të ekipeve zinxhir, të cilët kanë në dispozicion edhe një psikolog që i ndihmon për të administruar situatën ku ndodhen.
“Daily Mail” thekson se plani i Abramovich do të nisë me kthimin në skuadër të Tammy Abraham, i cili është dhënë te Bristol City në Championship dhe që këtë sezon po shfaqet në një formë të shkëlqyer. Sipas këtij tabloidi, Chelsi po mendon që në fund të këtij sezoni ta kthejë atë në Londër për ta bashkuar me skuadrën e parë ku do të rivalizojë me Diego Costa-n dhe Batshuayi.
Pjesë e planit të Abramovich është edhe trajneri Conte te i cili manjati rus ka besimin se ai do të dijë të triumfojë në “Stamford Bridge”. Tjetër pikë e planit të Abramovich për të rikthyer shkëlqimin e Chelsit është edhe ana financiare. Padroni i “Bluve” të Londrës po mendon që të rrisë kapacitetin e “Stamford Bridge”, i cili aktualisht është 41 837 mijë vendesh, shifër kjo shumë e ulët në krahasim me “Old Trafford” që ka një kapacitet prej 75 765 vendesh.
Chelsi nuk dorëzohet dhe është gati të bëjë një çmenduri financiare për të marrë nga Juventusi shërbimet e Leonardo Bonucci-t. Pas jo-së së marrë nga Napoli gjatë verës për senegalezin Koulibaly me të “Kaltërit” që refuzuan plot 58 milionë euro nga “Blutë” e Londrës, Antonio Conte ka vendosur në qendër të dëshirave të tij futbollistin e kombëtares italiane. Nëse u referohemi atyre që shkruajnë mediat angleze, presidenti i Chelsit, Roman Abramovich po përgatit një ofertë që kap shifrën e 68 milionë eurove, rreth 60 milionë paund për të bindur Juventusin të lejojë kalimin e 29-vjeçarit në “Stamford Bridge”.
Kampionët e Italisë nuk dëshirojnë të privohen kurrsesi nga një mbrojtës si Leonard Bonucci, por për të tilla shifra edhe bardhezinjtë mund të tundohen. Në verën e ardhshme do të jetë një betejë e ashpër mes Manchester City-t të Pep Guardiolës dhe Chelsit të Antonio Contes për ish-mbrojtësin e Barit. Në verën e kaluar, Beppe Marotta, drejtori i Përgjithshëm i Juventusit refuzoi një ofertë prej 60 milionë eurosh të Citiziens për Bonucci-n, megjithatë duke parë që tashmë edhe vitet po fillojnë të rëndojnë mbi shpatullat e mbrojtësit, Zonja e Vjetër mund të vendosë ta shesë lojtarin. Conte ka besim se me sforcimin ekonomik të Roman Abramovich dhe me dëshirën e Bonucci-t, ky operacion merkatoje mund të realizohet me sukses. Verën e ardhshme 29-vjeçari italian mund të shndërrohet në mbrojtësin më të shtrenjtë të historisë së futbollit.

Artikulli paraprakGolden Foot 2016, fituesi është Bufon
Artikulli tjetërReal Madridi “blindon” Toni Kroos