Revolta, në shesh deri në largimin e Ramës

Armand MAHO

Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” rrallë herë ka parë aq shumë njerëz sa mesditën e 18 shkurtit 2017. Qindra e mijëra, udhëtuan nga të gjitha qytetet e Shqipërisë, për t’i thënë pushtetit që “jemi këtu”. Si atëherë, 26 vite më parë kur dolën ashtu masivisht për të rrëzuar shtatoren e dikatorit më të egër në Evropë edhe dje ata dolën për t’i thënë ndal, këtë herë një prej njerëzve më të korruptuar në Evropë, Edi Ramës. Protesta vërtet ishte thirrur nga Partia Demokratike, por ajo shumë shpejt që në thirrjen e parë u shndërrua në protestën e të gjithë shqiptarëve. Kishte aty të majtë e djathtë, punonjës administrate, bujq, njerëz që ndoshta prej 26 vjetësh nuk kishin dalë kurrë në protestë, por dje e vendosën të dalin. Eshtë nevoja për të jetuar në vendin e tyre që i shtyu shqiptarët të tejmbushnin bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Eshtë revolta e të shtypurit që i nxorri në atë shesh, është tërbimi i të mashtruarit, apo i të lodhurit nga propaganda bajate. Eshtë protesta e një populli! Nga parullat që mbanin në duar, do kuptoje se proteston e gjithë Shqipëria. Berati, Shkodra, Vlora, Korça, Durrësi e Kavaja, Spitalla e Zharrëza, kudo çdo pëllëmbë tokë e këtij vendi ishte dje pjesë e protestës.

Fillimi protestës

Megjithëse tubimi ishte lajmëruar në orën 12:00 të mesditës, shumë njerëz kishin filluar të mblidheshin dhe më herët. Kudo dominonin ngjyrat kombëtare, madje dhe në foltoren ku e morën fjalën disa prej protestuesve dhe kryetari Basha, ishte inskenuar një flamur gjigant. Rreth orës 11:00, pra një orë më përpara filluan të viheshin re grupe njerëzish që i drejtoheshin vendit ku do të mbahej dhe protesta kryesore. Me pankarta në duar, flamuj kuq e zi, shiritë të lidhur. Dukej sikur në sytë e tyre ishte ringjallur një lloj shprese, sikur kishin kohë që e prisnin një protestë të tillë. Fundja çfarë ka në dorë një popull tjetër veç protestës? Në orën 11:30 u shfaq koka e turmës, në fillim të bulevardit nga ana e monumentit të heroit kombëtar Skëndërbej. Të grumbulluar kryesisht tek Muzeu Kombëtar, mbrapa Pallatit të Kulturës, dhe Stacionit të Trenit, ata po marshonin drejt bulevardit. Nga bulevardi, ku gazetarët raportonin për redaksitë, nuk mund të merrej me mend numri i pazakontë i njerëzve që shtrihej pambarimisht, pas kurrizit të atyre që ishin përpara. Rreth orës 11:45, protestuesit që vinin nga Sheshi “Skënderbej”, do të kryqëzoheshin me të tjerë që vinin nga ana e Partisë Demokratike, e cila udhëhiqej nga Kryetari Lulzim Basha dhe aleatët…. Prezenca e ish- kryeministrit dhe liderit historik të PD do entuziazmonte dhe më shumë pjesëmarrësit. U krijuar një përshtypje se askush s’mund ta mbante më tërë atë uragan njerëzish, që ishte emocionues dhe i frikshëm njëkohësisht. Protestuesit që vinin nga ana e Partisë Demokratike, kishin improvizuar dhe tre dordolecë të zinj … Edi Rama, Sajmir Tahiri dhe Ilir Beqja, si tre simbolet e korrupsionit dhe trafikut të drogës në këtë vend.

Njerëz të thjeshtë

I pari, do e merrte fjalën aktori Besmir Haliti, i cili ndër të tjera do thoshte: “Protestoj sot këtu në zërin e qytetarëve të Krujës dhe të Fushë-Krujës me krenarinë për traditat shekullore për këtë vend, që sot është shndërruar në vendin e bandave dhe hashashit, të të paaftëve dhe të skllevërve të hashashit. Jam sot këtu i lidhur me zemrën, gojën dhe vullnetin tuaj për t’i thënë ndal së keqes që fshihet prapa atyre mureve, atij kanceri që po e sëmur Shqipërinë tonë me një shpejtësi të frikshme. Jam këtu për të thënë se, unë nuk e meritoj këtë njollë turpi dhe ky “kryeministër” nuk i meriton shqiptarët”. Pas tij, në foltore do të pasonte një Brunilda, e dy fëmijët e saj. Rilindja siç do thoshte ajo u bë shkak, që të mbyllte dhe atë dyqan të vogël, me të cilin ushqente familjen e saj. “Unë jam viktima e parë e Rilindjes! Tre muaj pas ardhjes në pushtet, m’u desh ta mbyllja dyqanin, se më mbytën me taksat e larta”, dhe me këto fjalë, Brunilda e emocionuar mori mbështetjen e mijëra protestuesve për të vazhduar më tej.

Deklarata e Bashës

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, do fliste i fundit. Në fjalën e tij, Basha tha se ashtu si 27 vite më parë kur shqiptarët kishin nevojë për një lëvizje demokratike, për një revolucion, edhe shqiptarët sot janë në të njëjtën situatë, “Sot, ne prapë kemi nevojë për një lëvizje të madhe kombëtare dhe demokratike. Kjo qeveri palaçosh ka dështuar! Ju e dini këtë! Kjo mazhorancë është një dështim total! Ju e vuani këtë! Ky kryeministër është turpi i vendit! Ju e shihni këtë! Sot, ne nisim kthimin e Shqipërisë, sot ne nisim kthimin e vendit tonë në rrugën e sigurtë drejt të ardhmes”, tha Basha, të cilit jo pak herë iu desh të ndërpriste fjalën nga brohorimat. Më tej, ai do jepte dhe lajmin, se protesta nuk do të përfundojë, deri sa shqiptarët të sigurohen një herë e mirë për zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Ne do të qëndrojmë këtu në këtë shesh, derisa të sigurojmë njëherë e mirë zgjedhje të lira e të ndershme. Ne do të qëndrojmë në këtë shesh, dhe nuk do të lejojmë zgjedhje fasadë me këtë qeveri të kapur nga droga dhe krimi. Unë do të qëndroj këtu në shesh. Ju ftoj të gjithëve të qëndrojmë së bashku!”, tha Basha.

Djegia e dordolecëve

Menjëherë pas fjalës, së kryetarit të PD-së, protestuesit në shenjë simbolike dogjën dhe tre dordolecët, duke i kujtuar kështu simbolikisht, fundin e kryemashtruesve, kryetrafikantëve dhe kryehajdutëve. U ulën në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për t’i treguar kësaj qeverie se tashmë llogaritë i kanë me ata. U ulën për t’i treguar se qytetaria di të protestojë, me mjete demokratike, dhe jo si bandat e 21 janarit. Se demokratët dhe pjesa e shëndoshë e këtij vendi, di si të rezistojë, se llogaritë ata nuk ia kërkojnë as policisë, as mermerit apo xhamave të ndërtesave. Ai që duhet të japë llogari i pari, është Edi Rama, dhe pas tij të gjithë ata që lehin natë e ditë propagandën e tij bajate. U ulën aty si për t’i treguar se kupa është mbushur me kohë dhe po aq kohë kaq që derdhet. Se shumë i kanë duruar zullumet e tij, dhe megjithë mllefin e revoltën që kanë, sërish ata e duan vendin e tyre. Ata janë qytetarët e këtij vendi, nuk janë bandat me të cilat ai mori pushtetin, nuk janë bandat që me tërbim sulmuan shtetin. Këtu ndan filzofia e rezistencës qytetare me filozofinë e bandave. E para, e do shtetin për qytetarët dhe kombin e saj, e dyta, e do për “Hakmarrjen për Drejtësi”, Shullazin, e të tjerë me të cilët ai qeveris. Por, uragani që filloi dje nuk do të ndalë dhe krimi s’mund të fitojë kurrë mbi qytetarinë.

Rama fshihet në malet e Sharrit

Nuk ndodhej as dje në zyrë. Kryeministri më i paaftë dhe i korruptuar i historisë së shtetformimit shqiptar, iu fsheh dhe një herë llogaridhënies ndaj qytetarëve të tij. Grilat e dritareve ishin mbyllur, dhe për provokim prej ditësh përpara hyrjes së Kryeministrisë ishte vendosur një skelë e mbuluar me një copë të zezë, si për të na kujtuar se ashtu ishin dhe këto vite të qeverisjes së tij. Ai që mashtroi shqiptarët me hapjen e 300 mijë vendeve të punës, me shëndetësi e legalizim falas, luajti sërish me kartën e nacionalizmit. Ai që u shtrua në dreka e darka me Vuçiç, kërkoi “azil” tek shqiptarët e Kosovës. Kish urdhëruar dhe Peleshin, veglën e tij të nisej drejt Korçës, duke lënë vetëm një tufë policësh që të ruanin ndërtesën e tij. Ndoshta me ëndje ka pritur, që demokratët dhe qytetarët e ndershëm të këtij vendi të bënin atë që bëri ai gjashtë vjet më parë. Ndoshta mendja e tij dhe e minjve të tjerë mavi që shikonin të sikletosur ekranet e TV-së, ku tregohej uragani revoltës, mezi ç’prisnin të ngrinin gishtin e akuzës. Por harrojnë se ata demokratë e socialistë që ishin atje në atë protestë, e duan këtë vend. Janë ajo pjesa e shëndoshë, që nuk duan tja lënë vendin kësaj rrace hajnash. Janë ata që i rezistuan dëbimit, dhe zgjodhën të mbrojnë demokracinë e vendit të tyre. U fsheh në malet e Sharrit, siç do thoshte kryeministri. Epo le të rrijë atje dhe në rast se kthehet aty do i gjejë përsëri protestuesit. Sepse mund t’i fshihesh ligjit me vettingjet dhe mbështetjet që merr nga sorositë të paguar, por s’mund t’i fshihesh revoltës së njerëzve të ndershëm që me të padrejtë i ke hyrë në hak. S’mund të shpëtojnë nga kjo revoltë as spërdredhjet me Reformën në Drejtësi, dhe as deklaratat e spurdhjakëve të t’u që nën presionin popullor dridhen si ngjalat e 1 prillit. Kryeministri mund të rrijë sa të dojë në malet e Sharrit, apo në fund të botës po të dojë. Sa më pak të jetë në këtë vend, aq më mirë është për të gjithë ne.

Qindramijëra në protestën historike

“Rezistencë deri në largimin e Ramës”, kanë paralajmëruar protestuesit, ndërsa kanë deklaruar se do të qëndrojnë në shesh deri në krijimin e qeverisë teknike. Revolta dje ndihej në sytë e çdo protestuesi. Të rinj, burra, gra e të moshuar mes dëshpërimit dhe shpresës për ndryshim protestuan, duke kërkuar me çdo kusht largimin e Ramës si të vetmen rrugë për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Çdo protestues dje, kishte kauzën e tij për të protestuar.
Protestuesit e ardhur nga të gjitha rrethet janë të gatshëm të qëndrojnë në protestë deri në largimin e Ramës. Ata kanë treguar se, skamja dhe pamundësia për të punuar i ka detyruar që të dalin në rrugë. Qytetarët e ardhur nga të gjitha qytetet për t’iu bashkuar protestës së opozitës për të rrëzuar qeverinë Rama kanë një sërë arsyesh përse protestojnë. Ata pohojnë se, kryesisht varfëria i ka shtyrë të jenë pjesë e marshimit të zemëratës. “Papunësia na detyron të ikim jashtë, të punojmë. Papunësi gjithandej”, është shprehur një i ri gjatë protestës. “Për energjinë elektrike, na gënjeu poshtërsisht për çmimin. Ka qenë 95 lekë të vjetra shkoi 114 lekë”, tha një i moshuar për mediat. “Hajdeni në fshatin Gostimë dhe shikoni se çfarë bëhet. E ka katandisur këtë popull si mos më keq”, tha një tjetër i moshuar. Të pyetur se sa do të qëndrojnë në protestë, ata shprehen: “Sa të jetë e nevojshme. I riu: Nuk do të shkulemi nga ky shesh deri në rrëzimin e qeverisë Rama”. “Unë kam ardhur nga Lezha dhe nuk do të lëviz nga këtu derisa të na japë përgjigje, ai të iki nga kjo lloj qeverisje”, thanë protestuesit.

Protestuesit: Ky kryeministër që kemi është një turp

Protestuesi nga Kruja: “Jemi këtu për të kundërshtuar padrejtësinë, arrogancën që ka mbjellë me mafien që nuk mund të bëjë pis emrin e lavdishëm të rilindjes tonë. Jam këtu për t’i dhënë ndal të keqes që fshihet pas këtij muri. Jam këtu për të thënë që ne nuk jemi vetëm. Nuk e meritojmë këtë turp dhe ky “kryeministër” nuk i meriton qytetarët”. Qytetarja proteston me fëmijë në krah: “Jam një shqiptare e thjeshtë, nënë e dy fëmijëve të mitur. Unë jam viktima e parë e rilindjes. Tre muaj pasi erdhën në pushtet mua më detyruan të mbyll biznesin tim të robaqepsisë. Tani jam pa punë”.
Protestuesi nga Patosi: “Unë vij nga zona e Patosit. Vij këtu për të ndarë një tragjedi që po ndodh aty dhe është fshehur nga kjo qeveri dhe po censurohet nga mediat që janë blerë nga kjo qeveri. Kjo censurë ka bërë që shumë pak prej jush ta dijë që sot është dita e 16 e 9 protestuesve. Shumë pak e dinë, që kompanitë e naftës kanë vite që nuk paguajnë asnjë taksë, ndërkohë që helmojnë territorin”.
Protestues: “Vij këtu për të ngritur zërin për rrugën ku po shkon Shqipëria. 5 miqtë e mi, ekspertë të mirë kanë ikur nga Shqipëria. Unë nuk i bashkohem atyre, ata u larguan, sepse ndoshta kishin frikë nga elita që drejton Shqipërinë. Unë vendosa të rri këtu dhe të jem një prej jush. Zëri jonë do japë shpresë”.
Anëtari i Shoqatës së të Verbërve: “Kjo qeveri është më e ashpër sesa regjimi komunist për personat me aftësi të kufizuar. Këta po na hedhin në rrugë. Kur ishte në opozitë, ky kryeministër na premtoi diellin dhe hënën, por kur erdhi në pushtet na braktisi”.
Ish-studente e Drejtësisë:  “Me 5 mln euro investim nga taksat tona ti dëshiron ta kthesh Shqipërinë në biznes. Ne jemi sërish të burgosur sot, edhe pse pa pranga jemi të prangosur me prangat e të pabarabartëve”.
Anëtar i një shoqate të Shoqërisë Civile: 20 vjet nga jeta ime ja kam kushtuar studimit dhe punës për integrimin europian. Krimi, korrupsioni, mjedisi janë këto që Shoqëria Civile ka luftuar. Media e lirë për herë të parë një vend kandida i kërkohet media e lirë, sepse qeveria po i mbyll gojën mediave. Ne nuk do ta shesim lirinë e fjalës. Duhen zgjedhje të lira, sepse qeveria sipas gjasave kërkon të na i marrë votat pa i hedhur në kuti.

Protesta qytetare dhe një krahasim me 21 janarin e Ramës

Megjithëse me një pjesëmarrje të jashtëzakonshme, protesta e djeshme ishte dhe një model qytetarie. Në fakt, kjo tregon dhe për filozofinë që ka krahu politik që e organizoi. Nga strofulla ku është futur,  Rama u mundua ta paraqesë si një sukses të qeverisë, sikur protestuesit nuk u provokuan nga policia e të tjera si këto. Por në fakt Kryeministri gënjen dhe gjithkush i ka ende të qarta skenat e shëmtuara të 21 janarit, kur bandat e tij sulmuan Kryeministrinë. Erion Veliaj, dhe ministri i Rendit sot, ishin në ballë të turmave dhe natyrisht dirigjenti ishte vetë Edi Rama. Kush i dogji makinat, kush i filloi sulmet ndaj policivë, kush kërkonte të merrte pushtetin me dhunë? Janë përgjigje që askush nuk i pret nga njeriu që di vetëm të heqë nga vetja çdo përgjegjësi! Dje nuk u vu re as provokimi më i vogël ndaj policisë, madje mund të themi se nuk ishte fare e nevojshme prezenca e saj. Megjithë gurgulenë që bënë këlyshët e tij mediatikë, sërish u vu re një sjellje qytetare nga ana e protestuesve. Krahasimi me 21 janarin, u bë hit në rrjetet sociale, ku shumë qytetarë brenda dhe jashtë vendit përshëndesnin mënyrën si u organizua dhe u menaxhua protesta.  Fotot kur sulmohej policia, u rikthyen dhe një herë në kujtesë, duke lënë të shushatur  të gjithë përkrahësit mavi që paguhen për të komentuar në rrjetet sociale. Dje, Edi Ramën nuk mund ta mbronte dot asgjë, as ata me adresa falco që ka punësuar dhe që paguhen me taksat tona, për t’i bërë hosana atij, Erit të Bashkisë, apo Sajmirit e gjithë sojit që ai ka mbledhur në pushtet.

Artikulli paraprakAderholt-Bashës: Mbështetje në kauzën për zgjedhje të lira
Artikulli tjetërOse bëjmë zgjedhje të lira ose zgjedhje nuk do të ketë