Rënia e depozitave dhe tërheqja e kursimeve nga qytetarët

Nëse do të kursesh para dhe i fut ato në bankë për një afat 12-mujor, kthimi nga investimi është më pak se 1% për gjithë vitin. Duke pasur parasysh që duhet paguar dhe 15% mbi interesat e fituara, shuma që mbetet, sidomos për depozitat e vogla është minimale. Interesi mesatar vjetor i depozitave të reja në lekë në muajin maj ishte 0.84%, nga 0.93% në muajin e mëparshëm, sipas statistikave të fundit të Bankës së Shqipërisë. Ky është niveli më i ulët historik i depozitave në lekë. Vetëm një vit më parë, kthyeshmëria nga depozitat 12-mujore ishte 1.6%. Edhe norma mesatare e interesit të depozitave me afat ishte 0.84% në maj, nga 0.89% muajin e mëparshëm. Kjo rënie e fitimeve nga depozitat ka ardhur si rrjedhojë e politikës lehtësuese monetare të ndjekur nga Banka e Shqipërisë, që ka ulur 15 herë normën bazë (që shërben si refencë në treg) nga shtatori 2011, duke e zbritur nga 5.25% në 1.25% aktualisht. Individët kanë reaguar duke zhvendosur kursimet në depozita më afatgjata (mbi 2-vjeçare), duke iu drejtuar fondeve të investimeve, apo dhe alternativave më pak të kontrolluara si bursat online, apo dhënien e parave me fajde. Rënia e interesave ka bërë që individët që kanë depozita me afat në lekë të dekurajohen dhe të heqin kursimet e tyre në banka, apo të mos i rinovojnë më ato. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se kjo tendencë ka vijuar edhe në maj, teksa depozitat me afat të individëve kanë zbritur në 312.6 miliardë lekë, me një rënie prej 10% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në total, depozitat në maj arritën në 975 miliardë lekë, duke u reduktuar me 2.4 miliardë lekë në krahasim me muajin e mëparshëm. Ndërsa me bazë vjetore (krahasim me majin 2015), depozitat në total kanë rënë lehtë me rreth 0.1%.

Artikulli paraprakKosovë, plani për zgjidhjen e demarkacionit me Malin e Zi
Artikulli tjetërAlban Meha firmos zyrtarisht për Al Nasr