Renditja ekipore dhe e futbollistëve

Futbollistët e kombëtares shqiptare vlejnë 40.88 milionë euro në merkaton e transferimeve. Portali “Transfermarkt” ka përpiluar një listë për vlerën e 552 futbollistëve të skuadrave pjesëmarrëse të Europianit të Francës, ku Shqipëria ndodhet në vendin e 22-të në këtë klasifikim, duke lënë pas Irlandën e Veriut dhe Hungarinë, respektivisht me një vlerë 35.7 dhe 27 milionë euro.
Gjermania është skuadra që ka në përbërje futbollistët me vlerën më të madhe në merkato, plot 562 milionë euro, ndërkohë që në total, vlera e të gjithë lojtarëve arrin në 4.9 miliardë euro, duke bërë që ky Europian të jetë kompeticioni i tretë më i shtrenjtë pas Champions League dhe Europa League, por në këto dy të fundit marrin pjesë edhe futbollistë të tjerë që nuk janë pjesë e këtij aktiviteti.
Pas Gjermanisë, në vendin e dytë si përfaqësuesja më e shtrenjtë është Spanja, me 557.5 milionë euro, më pas klasifikohen Belgjika, Franca, Anglia dhe Portugalia. Përsa i përket futbollistëve, te kombëtarja shqiptare futbollisti më i shtrenjtë është Elseid Hysaj. Sipas “Transfermarkt”, mbrojtësi 22-vjeçar që aktivizohet me Napolin në Serinë A ka një vlerë prej 9 milionë eurosh.
Ndërsa futbollisti më i shtrenjtë është padyshim Cristiano Ronaldo, me një vlerë prej 110 milionë eurosh, i ndjekur nga uellsiani Gareth Bale me 80 milionë, ndërsa në vendin e tretë është sulmuesi i Gjermanisë, Thomas Muller me 75 milionë euro. Më pas vijnë Robert Lewandowski dhe Eden Hazard, të dy me një vlerë prej 70 milionë eurosh secili.
Një ditë më parë, trajneri De Biasi dorëzoi listën përfundimtare me 23 futbollistët që do të marrin pjesë në Kampionatin Europian, i cili do të nisë më 10 qershor, ndërsa ditën e sotme UEFA ka zyrtarizuar numrat që do të mbajnë futbollistët kuqezi. Sigurisht që futbollisti me numrin 1 te Shqipëria në Francë do të jetë portieri Etrit Berisha. Lorik Cana do të vazhdojë edhe në Kampionatin Europian të mbajë numrin 5, Hysaj numrin 4. Ndërsa, Armando Sadiku do të jetë 10-ta e Shqipërisë në këtë Europian.

Artikulli paraprakStërvitja e fundit
Artikulli tjetërGundogan, lojtari më i ri i Cityt