Rekordi i zi i investimeve publike, vitin e kaluar ishin më të ulëta se më 2007-ën

Investimet publike regjistruan një rekord negativ të paprecedentë vitin e kaluar, ku për herë të parë në historinë e financave të shtetit shpenzimet e qeverisë për investime ishin më të ulëta se dhjetë vjet më parë. Sipas shifrave, gjatë vitit që lamë pas, investimet totale të qeverisë ishin vetëm 57 miliardë lekë, duke shënuar nivelin më të ulët që nga 2007-a, edhe pse vetëm si pasojë e rritjes ekonomike dhe inflacionit duhet të ishin gati dy herë më të larta.
Të dhënat tregojnë se ky është një rekord i paprecedent në historinë e financave të shtetit. Investimet publike janë zëri i vetëm produktiv i shpenzimeve të buxhetit, pasi mbështesin rritjen ekonomike dhe krijojnë punësim. Por aktualisht qeveria shqiptare është duke shpenzuar për investime më pak se 3.7 për qind të prodhimit kombëtar. Kjo do të thotë se paratë e qytetarëve janë shpenzuar për zëra të tjerë më pak produktivë, përfshirë mbajtjen në këmbë të administratës.
Pas tre vjetësh rritje të fortë, qeveria pretendon se vitin e kaluar arriti të ulë borxhin publik. Por siç tregojnë dhe shifrat e vetë Ministrisë së Financave, e gjithë ulja e borxhit nuk po vjen për shkak të rritjes së të ardhurave apo performancës më të mirë të ekonomisë, por po bëhet në kurriz të investimeve publike.

Artikulli paraprakKonfindustria kundër amnistisë fiskale: Godet rëndë biznesin e rregullt
Artikulli tjetërNjë intervistë në vendin e duhur dhe kohën e duhur