Konfindustria kundër amnistisë fiskale: Godet rëndë biznesin e rregullt

Konfederata e Industrive të Shqipërisë shprehet kundër nismës së qeverisë për falje të detyrimeve tatimore dhe doganore. Sipas saj, ligji i jep një goditje me pasoja të rënda konkurrencës së biznesit të rregullt. Konfederata argumenton se ligji duhet shoqëruar edhe me politika të uljes së ngarkesës tatimore, sepse rikrijimi i borxheve nga subjektet vjen për shkak të pamundësisë së tyre për të paguar dhe kur numri i bizneseve pa aktivitet ka arritur në 90 mijë. Pas Dhomës amerikane të Tregtisë është Konfederata e Industrive të Shqipërisë që renditet kundër ligjit të faljeve të detyrimeve tatimore dhe doganore. Përmes një reagimi zyrtar, Konfindustria vlerëson, se faljet e përsëritura fiskale nuk mund të prodhojnë përfitime të qëndrueshme për bizneset dhe ekonominë kombëtare, nëse ato nuk do të shoqërohen edhe me përmirësim rrënjësor të politikave të uljes së ngarkesës tatimore. Rrjedhimisht kjo nismë, argumenton Konfederata, godet me pasoja të rënda konkurrencën për biznesin e rregullt. “Ndërsa ligji i faljeve i vendosur në kohë zgjedhore, prodhon pasoja edhe më të rënda psikologjike mbi biznesin dhe qytetarët”, thotë Konfindustria. Konfindustria thotë se ndër arsyet kryesore të rikrijimit të njëpasnjëshëm të stokut të madh të detyrimeve fiskale edhe pas kryerjes në mënyrë të përsëritur të faljeve fiskale, është pamundësia objektive për të paguar nga bizneset dhe individët. Drafti i faljes së detyrimeve fiskale i qeverisë mbërriti në Kuvend për diskutim dhe pritet të marrë miratimin e ligjvënësve. Parashikohet që këto detyrime që fshihen me këtë ligj i përkasin periudhave tatimore përpara 6 vjetëve, dhe përveç faktit se një pjesë e tyre duhej të fshiheshin si rezultat i ligjeve të mëparshme të faljeve, për këto detyrime, në zbatim të nenit 100 të Ligjit nr. 9920/2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, e drejta për fillimin e procedurave për zbatimin e masave shtrënguese parashkruhet brenda 5 viteve nga data kur detyrimi tatimor i papaguar duhej të paguhej. Pra, këto detyrime rezultojnë si të pambledhshme, duke qenë se është tejkaluar afati ligjor i mësipërm. Projektligji “Për pagesën dhe fshirjen e pjesshme të detyrimeve tatimore dhe detyrimeve të pagueshme në doganë, si dhe procedura e heqjes nga qarkullimi të mjeteve të transportit pas fshirjes se detyrimeve tatimore”, propozohet në mbështjetje të neneve 78, 83 pika 1 dhe 155, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe institucioni propozues është Ministria e Financave. Sipas Konfederatës ekonomia shqiptare vazhdon të ndjejë thellë pasojat e krizës globale dhe procesi në vazhdim i ristrukturimit të saj, duhet të shoqërohet me politika me kah drejt zbutjes të barrës fiskale. Arsyetimin e mësipërm, Konfindustria e bazon në të dhënat më të fundit ku numri i bizneseve pa aktivitet në disa vite të njëpasnjëshme ka arritur mbi 90 mijë duke përbërë mbi 50% të të gjithë numrit të përgjithshëm të bizneseve të regjistruara në shkallë vendi. Ndërsa falja e 90 mld lekëve sipas Konfindustrisë është 8% e PPB të vendit.

Artikulli paraprakMesazhi nga CDU e Merkel: Merrni në dorë fatet e vendit
Artikulli tjetërRekordi i zi i investimeve publike, vitin e kaluar ishin më të ulëta se më 2007-ën