Rei Manaj ka kurajë luani

Luixhi (Xhixhi) Simoni nuk është një personazh dosido. Ish-trajneri në karrierën e tij ka drejtuar disa nga lojtarët më të njohur të futbollit botëror dhe në sezonin 1997-1998 ishte ai në krye të Interit, i cili në radhët e tij kishte lojtarë si Ronaldo, Simeone, Zaneti, Zamorano apo Rekoba, të cilët jepnin spektakël në fushën e lojës.
Ndaj kur ish-trajneri i Interit flet për Rei Manajn, duhet dëgjuar me shumë kujdes, pasi ka parë nga afër shumë yje dhe sigurisht që e kupton menjëherë nëse një lojtar i ri ka apo jo brumin e duhur për t’u bërë i tillë. Ai e ka pasur në mbikëqyrje talentin shqiptar te Kremoneze, ku Simoni është drejtues dhe ishte ndër ata që e shtynë të pranonte ofertën e zikaltërve.
“A është lojtar i denjë për Interin? Është ende herët, ai është i datëlindjes 1997”, tregon Simoni për “fcinter1908”. “Fizikisht është një ‘kafshë’, shumë i fortë dhe ka cilësi individuale të ndjeshme. E them këtë pasi është një lojtar fizik, pasi gjuan mirë me këmbë dhe pasi është shumë i fortë. Ka një goditje me kokë të një cilësie të mirë. Por është ende një djalosh”, shpjegon Simoni, i cili është i bindur se futbollistit shqiptar i duhet dhënë kohë të rritet.
“Ai ka një kurajë prej luani, pasi nuk e ndjen veten inferior përballë askujt. Duhet të normalizohet. Nëse do të normalizohet mirë, do të kthehet në një profesionist serioz dhe të përkushtuar. Ai ka mundësinë që të bëjë një karrierë të madhe.
Ne e kishim në radhët tona, në moshën 19 vjeç ka bërë rreth 20 ndeshje. Deshëm ta mbanim këtë vit, por Interi na e mori. Me pak fjalë e shitëm dhe fituam ekonomikisht. Ai ka bërë dy gola që tani në Serinë A. Ka një mësues të mirë, një trajner të mirë”, tha Simoni, i bindur se Manaj ka gjithçka në rregull për t’u bërë një lojtar i madh, ndoshta si ata që ai ka parë nga afër në drejtimin e zikaltërve.

Artikulli paraprakFlorida në pritje të uraganit “Matthew”
Artikulli tjetërInteri në kërkim të një mbrojtësi në janar