Reformat tani, ose sovrani mbush sheshet

Lulzim BASHA

Jemi sot një vend kandidat për një klub paqeje dhe vlerash, i cili me të vërtetë duket se ka marrë një goditje politike me largimin e Britanisë së Madhe, por që mbetet sot e përgjithmonë jo në përmasat e tij gjeografike, as në strukturën e tij institucionale, por në vlerat që e sollën bashkë e do ta mbajnë bashkë, pavarësisht prej të ardhmes që askush nuk e parashikon dot sesi do të jetë, pikërisht në këto vlera respektin e patundur për të drejtat e njeriut, për individin si thelbin e një shoqërie të lirë, të drejtë dhe të mirë, respektin për pronën, shenjtëria e të cilës është përcaktuar si themeli i identitetit europian. Respektin për shtetin ligjor pa të cilin asgjë, as demokracia nuk ka kuptim e madje kthehet në një rrezik siç e pamë 70 vite më parë në këtë kontinent. Dhe padyshim për një demokraci funksionale, ku mazhoranca qeveris në bazë të premtimeve e gjykohet në bazë të mbajtjes së këtyre premtimeve, e ku minoranca është e mandatuar jo vetëm nga votuesit e saj, por nga i gjithë populli të luajë rolin e saj si gardian i shtetit ligjor, i Kushtetutës dhe i demokracisë. A nuk janë këto vlerat që na bashkojnë më shumë se asgjë tjetër, njohjet, simpatitë personale apo betejat e përbashkëta që kemi luftuar, humbur apo fituar së bashku? A nuk janë këto vlerat që na bëjnë të qëndrojmë fort në ditët e para të revanshit rilindas, ku përtej premtimeve të bukura, premtimeve për 300 mijë vende pune e shtet ligjor, Edi Rama çori maskën dhe u shfaq si një oligark revanshist, i lidhur, i marrë peng nga e kaluara e tij e qeverisjes së tij me krimin në Bashkinë e Tiranës. Trashëgimi që mori dhe e përcolli në qeverisjen e vendit, duke i dhuruar shqiptarëve në vitin 2013 në vend të një të nesërmeje të sigurtë dhe të një ekonomie të fortë, të një shteti ligjor që funksiononte akoma më mirë se ç’funksiononte në qeverisjen tonë dhe një demokracie akoma më të përparuar, damkën më të zezë në 25 vite: bashkëqeverisjen me krimin. Ne e pamë, ne e prekëm që në fillim këtë vullnet të mbrapshtë sepse ai i kishte rrënjët tek pakti politik i aleancës së qelbësirave, të vetëpagëzuar kështu nga ata që i bënë thirrje vulgut të vulgut dhe çdo krimineli të bashkohej, jo për një palë zgjedhje normale dhe për një rotacion normal, të cilin e pranojmë dhe e përshëndesim si një fakt të demokracisë, por si një bashkim antivlerash.

2.2 miliard euro të zhvatura në dy vite qeverisjes

Me mendjelehtësi apo me prepotencë, pak rëndësi ka, pakti i bërë me krimin në vitin 2013 filloi të japë rezultatet e saj menjëherë pas këtyre zgjedhjeve. Promovimi i personave me rekorde të tmerrshme kriminale, depërtimi i drejtpërdrejtë i këtyre personave në qeverisje, në Parlament, në bashkitë e vendit, në Policinë e Shtetit, në dogana, në tatime dhe në çdo zyrë të shtetit, është rruga e vetme dhe më e zezë që Edi Rama krijoi në këto tri vite të keqqeverisjes. Ky është themeli i çdo të keqeje tjetër. Në një shtet të kriminalizuar në çdo qelizë nuk ka si të luftohet korrupsioni, por ai merr hov, e arrin nivele të paimagjinueshme, në 2.2 miliard euro të zhvatura, të shpërdoruara, vjedhura, humbura në dy vite të qeverisjes. Në një vend ku krimi bashkëqeveris, ku krimi merr vendimet për çdo emërim, për çdo tender, në dogana e tatimet e shqiptarëve nuk është çudi që doganat dhe tatimet që janë kthyer në makthin e bizneseve të ndershme në mburojën e evazionistëve dhe klientelës së qeverisë t’ja dalin që me sukses vetëm në një vit të tjetërsojnë 400 milionë euro të shqiptarëve. Në një vend ku krimi bashkëqeveris dhe është aleati më i fortë dhe më i sigurtë i Kryeministrit, nuk kemi çfarë të presim tjetër pra, përveçse rënie të përshpejtuar ekonomike, mbyllje të bizneseve, shpunësim masiv dhe bashkë me to dëshpërim, kredhje në depresion, eksod, si asnjëherë më parë, me përjashtim të viteve të para të tranzicionit. Këto janë produktet e drejtpërdrejta të rilindjes së krimit dhe bashkëqeverisjes së saj me rilindjen e Edi Ramës.
Ne i pamë që në fillim, nuk u mjaftuan me denoncimet tona, të cilat nxorën në dritën e diellit, para opinionit publik dhe faktorit ndërkombëtar me emër dhe mbiemër, fytyrat me biografitë e shëmtuara të njerëzve pa asnjë ditë kontribut në politikë, as djathtas, as majtas. Por me dhjetëra javë, muaj e vite në burgjet famëkeqe të Europës, për trafik droge, për shitjen e vajzave dhe grave shqiptare në tregjet e prostitucionit europian, për vrasje dhe krim të organizuar. Dhe nuk u mjaftuam vetëm me denoncimin. Kjo opozitë, PD, PR, ne më të fortët që mbetëm, se pushteti e ka zakon t’i qëmtojë dhe t’i gëlltisë më të dobtët, në këtë mënyrë i bën një shërbim të madh opozitës. Ne imponuam, jo me numra, por me besimin e madh në vlerat tona reformën më esenciale të Shqipërisë në këto 3 vite dhe më të rëndësishmen në këto 25 vite, Ligjin për Dekriminalizimin. Nuk erdhi si një vullnet i përbashkët, erdhi si një imponim, imponim i një shumice që tejkalonte numrat tanë në Parlament, që tejkalonte anëtarësinë tonë e tejkalonte, jam i sigurt edhe votuesit tanë atëherë, sot dhe nesër. Si një vullnet kombëtar që ekspozoi qartë se shumica parlamentare është një pakicë, një bandë e izoluar, jo vetëm nga votuesit opozitarë, por edhe nga votuesit e vet. Gjithmonë e më e izoluar nga realiteti, nga dhembja e madhe që ka shkaktuar në fshat dhe në qytet, nga terrori me të cilin godet të pamundurit, të pambrojturin, njeriun pa akses në pushtet, i djathtë apo i majtë qoftë. Nga mizerja ekonomike që ka shkaktuar duke kredhur 46% të shqiptarëve në një nivel varfërie ku familjet e këtyre 46 në 100 shqiptarë jetojnë me më pak se 5 mijë lekë të vjetra në ditë. Ndërkohë qeveritarët janë kredhur në një luks të paparë, të shfrenuar, konkurrues edhe me Donald Trump e milionerët europianë, amerikanë apo sheikët e Arabisë. Ku i gjetën paratë vallë?! A mos iu lanë baballarët puse nafte?! Apo kompani e korporata të mirëstrukturuara fitimprurëse?! E kanë zbuluar korporatën e tyre të fitimit. Quhet oligarkia shqiptare dhe është ndërtuar mbi shtypjen, mbi vjedhjen, mbi krimin, mbi kurrizin e mijëra e mijëra shqiptarëve e në veçanti të atyre që punojnë, duan të punojnë e dinë të punojnë e që ndjejnë drejtpërdrejtë në vend të dorës mbështetëse të shtetit, kërbaçin dhe haraçin në shpinën e tyre, në xhepat e tyre, në faturat e tyre të fryra, në taksat abuzive, në tavolinat e tyre, në bukën e fëmijëve. Edhe këtu opozita jonë nuk ka ndenjur duarkryq. Nuk jemi mjaftuar vetëm me denoncimin. Kemi formuluar zgjidhjet. Platforma jonë e taksave të ulëta, e thjeshtimit të sistemit të taksave, e uljes së çmimit të energjisë, e kompensimit të energjisë për shtresat në nevojë, platforma jonë e zhvillimit ekonomik përmes prioriteteve të vërteta që janë infrastruktura shqiptare, bujqësia shqiptare, turizmi dhe energjia dhe jo zyrat e shtetit dhe “Xhaguarët” për menderet e qeveritarëve është rruga e daljes nga kriza e gjithanshme ku e ka zhytur Shqipërinë Edi Rama dhe oligarkia e tij e korruptuar dhe kriminale. Pra, jemi bashkuar në vlera, por jemi të bashkuar edhe në zgjidhje. Dhe kjo është detyra jonë.

Plotësim i plotë dhe jo i pjesshëm i rekomandimit 88

Nuk ka shqiptar që nuk e sheh keqqeverisjen sot. Avantazhi është se ndodhem në shtëpinë time këtu në Partinë Republikane, tek aleati ynë historik. Disavantazhi është që ato që z. Mediu i ceku këtu janë as më pak dhe as më shumë mendime dhe qëndrime tona, mendimet dhe qëndrimet e mia, ndaj pa përsëritur asgjë çfarë u tha më parë nga kryetari juaj më lejoni t’u them se detyra jonë sot nuk është thjesht të konstatojmë dhe të denoncojmë, pavarësisht se e bëjmë dhe duhet ta bëjmë deri në fund të mandatit tonë si opozitë, por opozita është edhe alternativa, është edhe zgjidhja, është edhe shpresa. Ndaj dhe kemi formuluar dhe së bashku po konsultojmë me qytetarët, me biznesin, me fermerët, me intelektualët, rrugët tona të daljes nga kriza. Për t’i ofruar Shqipërisë një model me të vërtetë europian të vlerave, me këmbë në tokë, por me vështrimin drejt një destinacioni, të cilin jam i bindur se mund ta arrijmë të gjithë së bashku: të një shteti ligjor, i cili funksionon për të gjithë dhe jo vetëm për të mbrojtur të pasurin, të korruptuarin, kriminelin e për të goditur të pafajshmin. Të një demokracie që nuk guxon të dhunojë votën apo të manipulojë numërimin, të një drejtësie që nuk mbron, por ndërshkon krimin dhe korrupsionin qeveritar. Kemi formuluar zgjidhjet tona ashtu si formuluam reformën e dekriminalizimit dhe e bëmë realitet me fuqinë dhe legjitimitetin e padiskutueshëm të sovranit, ashtu do të përparojmë drejt këtyre zgjidhjeve. Shqipëria do të ketë një sistem zgjedhor të lirë dhe të ndershëm. Pyetja është: a do t’ia dalim bashkë me sovranin t’ia imponojmë sot kësaj oligarkie, e cila bashkë me firmosjen e një sistemi të tillë zgjedhor të pacenueshëm ka firmosur “de facto” edhe largimin e saj nga pushteti? Apo do të na duhet që t’i bëjmë thirrje sovranit për ta larguar këtë qeveri dhe për të imponuar zgjedhje të parakohshme me një qeveri teknike, e cila së paku nuk do të jetë në gjendje të cenojë standardet minimale zgjedhore për shqiptarët? Pyetja është: a do t’i imponojmë kësaj oligarkie, modelit Rama, modelit të Elvis Rroshit në bashkitë e Shqipërisë, modelit të Prengës me shokë në Parlamentin e Shqipërisë, modelit të Arben Ahmetajt të çarterit në ekonominë e Shqipërisë, modelit të Saimir Tahirit dhe një mijë e një gjirizeve të tij të krimit, modelit të Elisa Spiropalëve në dogana e tatime, një drejtësi të pavarur, hetues, prokurorë dhe gjyqtarë të pavarur dhe të pakapur, as nga duart e dukshme as nga duart e padukshme të kësaj qeverie duke zbatuar të vetmin kusht të opozitës, plotësimin e rekomandimit 88 të plotë e jo të pjesshëm si rruga që u ofron shqiptarëve një drejtësi të pavarur, të pakapur e të pandikuar nga mazhoranca aktuale dhe aksionet e saj të jashtëzakonshme për mos t’iu nënshtruar hetimit dhe gjykimit të pavarur?

Asnjë gjyqtar mbi Komisionin e Venecias

A do ta bëjmë dot?! Kjo nuk varet nga ne. Ne e kemi thënë fjalën tonë. Nuk kërkojmë asgjë më shumë se zbatimi i plotë rekomandimit 88 të arbitrit të arbitrave, Komisionit të Venecias që është zotuar ky Kryeministër në Tiranë, Bruksel dhe Uashington që e pranon të plotë dhe pacensurë. Nuk pranojmë dhe nuk do të pranojmë asgjë më pak dhe asnjë gjyqtar mbi Komisionin e Venecias. Zgjidhja është aty.
Ne kemi formuluar në ditët e fundit mënyrat, format, metodat europiane të implementimit të parimeve të rekomandimit 88. Asnjë argument nuk është paraqitur nga ana tjetër dhe asnjë argument nuk mund të paraqitet përveçse dëshirës të shpallur tashmë para shqiptarëve dhe të lidhur me ankthin të kësaj qeverie e në veçanti të këtij Kryeministri për të qenë subjekti i një drejtësie të pavarur.
Nëse nuk ia dalim dot, nëse kjo oligarki është e vendosur me çdo kusht të sabotojë Reformën në Drejtësi apo ta shtyjë vendin drejt destabilizimit politik përmes deligjitimimit të Parlamentit, atëherë le t’i garantojmë sot shqiptarët se opozita, alternativa e tyre i ka zgjidhjet dhe se në fushatën e ardhshme elektorale votën do ta kërkojmë edhe për një Reformë në Drejtësi larg duarve të Edi Ramës, larg duarve të korrupsionit dhe larg duarve të krimit të lidhur me të për një Reformë në Drejtësi sipas standardit të Komisionit të Venecias që sot i garantoj shqiptarët do të bëhet, me ose pa Edi Ramën.
Zgjidhjet dhe formulimet tona nuk kanë vlerë përsa kohë që ne nuk jemi pranë me qytetarët që ndjejnë ditë për ditë lakun që u shtrëngohet në fyt. Porositë për këtë parti sigurisht që i jep kryetari juaj dhe ne edhe pse jemi aleatë kemi respektuar dhe respektojmë fuqishëm sovranitetin e forcave politike të çdo force politike në aleancën tonë. Por më lejoni t’i jap forcë argumentit dhe porosisë që është dhe mbetet sot porosia për çdo opozitar: për të trokitur në çdo derë; për të dëgjuar nga afër dhe për të prekur e parë problemet dhe dhembjen e madhe të shqiptarëve nga jugu në veri, nga lindja në perëndim, nga lagjet qendrore të Tiranës deri në fshatrat më të thella të Shqipërisë e për t’i formuluar zgjidhjet tona jo në aula si këto, por aty pranë tyre, jo thjesht me bindjen tonë se janë zgjidhjet që mund dhe do të funksionojnë për ta nxjerrë Shqipërinë nga kriza dhe mjerimi ekonomik, por po kështu me dëshirën, vullnetin dhe domosdoshmërinë për t’i kthyer këto përmes një bashkëbisedimi të tillë të vërtetë e jo tribunash në zgjidhje të përbashkëta të shumicës absolute të shqiptarëve që kërkon një orë e më parë largimin e Edi Ramës nga qeverisja e vendit.

Plani i Bashës

Në një takim të republikanëve, Kryetari i opozitës ka parashtruar planin e tij politik për javët dhe muajt e afërt të ngarkuar me problematika të forta që kërkojnë zgjidhje. Ndonëse zyrtarisht vendi nuk është në një krizë të mirëfilltë politike, ditët e ardshme të korrikut pritet që të rrisin akoma më shumë temperaturat.
Negociatat për gjetjen e një formule të pranuar për reformë në drejëtsi sipas Rekomandimit 88 të Komsionit të Venecias gjatë këtyre ditëve nuk kanë prodhuar asnjë zgjidhje. Rama nuk tërhiqet nga zgjedhja që ka bërë; ose një drejtësi në duart e tij ose kurrë mos u bëftë tha ai në konferencë shtypi dy javë më parë. Opozita dhe zërat që po shtohen edhe nga brenda mazhorancës nuk janë për një reformë që e dorëzon drjetësinë në duart e Ramës. Kjo pritet që të prodhojë një krizë politike të fortë në javët e ardhshme për të cilën Basha duket mëse i përgatitiur për të hedhur edhe kartat e zgjidhjes së saj.
Po cila është prognoza e negociatave për Reformën në Drejtësi? “Ne kemi formuluar në ditët e fundit mënyrat, format, metodat europiane të implementimit të parimeve të rekomandimit 88. Asnjë argument nuk është paraqitur nga ana tjetër dhe asnjë argument nuk mund të paraqitet përveçse dëshirës së shpallur tashmë para shqiptarëve dhe të lidhur me ankthin të kësaj qeverie e në veçanti të këtij Kryeministri për të qenë subjekti i një drejtësie të “pavarur”, duket se zgjidhja është gjithnjë dhe më e largët. Negociata deri tani kanë qenë të pasuksesshme, ndërsa Rama ka vendosur që ta djegë çdo mundësi për një reformë në Drejtësi duke e vendosur në Kalendarin e punimeve të Parlamentit për diksutim reformën gjatë javëve të ardhshme.
“Pyetja është: a do t’i imponojmë kësaj oligarkie, modelit Rama, modelit të Elvis Rroshit në bashkitë e Shqipërisë, modelit të Prengës me shokë në Parlamentin e Shqipërisë, modelit të Arben Ahmetajt të çarterit në ekonominë e Shqipërisë, modelit të Saimir Tahirit dhe një mijë e një gjirizeve të tij të krimit, modelit të Elisa Spiropalëve në dogana e tatime, një drejtësi të pavarur, hetues, prokurorë dhe gjyqtarë të pavarur dhe të pakapur, as nga duart e dukshme as nga duart e padukshme të kësaj qeverie duke zbatuar të vetmin kusht të opozitës, plotësimin e rekomandimit 88 të plotë e jo të pjesshëm si rruga që u ofron shqiptarëve një drejtësi të pavarur, të pakapur e të pandikuar nga mazhoranca aktuale dhe aksionet e saj të jashtëzakonshme për mos t’iu nënshtruar hetimit dhe gjykimit të pavarur?
A do ta bëjmë dot?! Kjo nuk varet nga ne. Ne e kemi thënë fjalën tonë. Nuk kërkojmë asgjë më shumë se zbatimi i plotë rekomandimit 88 të arbitrit të arbitrave, Komisionit të Venecias që është zotuar ky Kryeministër në Tiranë, Bruksel dhe Uashington që e pranon të plotë dhe pacensurë. Nuk pranojmë dhe nuk do të pranojmë asgjë më pak dhe asnjë gjyqtar mbi Komisionin e Venecias. Zgjidhja është aty”, tha Basha dje.
Ndërsa Rama nuk lë asnjë mundësi për miratimin e reformës sipas rekomandimit të qeverisjes së drejtësisë që është Venecia, pyetjet që shtrohen janë se çfarë do të ndodhë më pas?
Rama dhe njerëzit e afërt të tij kanë paralajmëruar planin e kalimit në zgjedhje të parakoshme. Po si do të bëhen këto zgjedhje ka disa skenare. Skenari i Ramës do të rrëzohet, pasi ai parashikon zhvillimin e zgjedhjeve pa standarde dhe me synim të qartë blerjen e votave nga paratë e kanabisit që është mbjellë në të gjithë vendin dhe të krimit të organizuar. Plani i opozitës është i ndryshëm nga ai i Ramës. Basha foli dje për zgjedhje të parakohshme, por në kushte krejt të tjera nga ato të Ramës.
“Pyetja është: a do t’ia dalim bashkë me sovranin t’ia imponojmë sot kësaj oligarkie, e cila bashkë me firmosjen e një sistemi të tillë zgjedhor të pacenueshëm ka firmosur “de facto” edhe largimin e saj nga pushteti? Apo do të na duhet që t’i bëjmë thirrje sovranit për ta larguar këtë qeveri dhe për të imponuar zgjedhje të parakohshme me një qeveri teknike, e cila së paku nuk do të jetë në gjendje të cenojë standardet minimale zgjedhore për shqiptarët?”, tha Basha dje. Korriku, gushti dhe Shtatori pritet që të jenë muaj edhe më të nxehtë politik.
Edhe vetë Rama e kupton tani se largimi i tij ëhstë një vështje kohe, por pozita dhe opoziuat ndahen për mënyrën se si ai do të largohet. Basha dhe opzouta nuk mund të shkojnë në zgjehdje me një qeveri të drejtuar nhag rama, jo vetëm për shkak të kosbeismit, por për shak të kostos së larë të destabolizmit të vednit që do të sillte platforma e Ramës për blerjen me cdo cmim të votavfe. Një qeveri teknike ishte edhe dje propozimi i Bashës. Se si ajo do të implemnetohet , kjo i mbette ditëve të radhshme.
Ndaj dhe Bahs ae kishte një proosri dje edhe për republikanët. “Bëhuni gati dhe trokinsi në cdo familje për të dëgjuar nga afër dhe për të prekur e parë problemet dhe dhembjen e madhe të shqiptarëve nga jugu në veri, nga lindja në perëndim, nga lagjet qendrore të Tiranës deri në fshatrat më të thella të Shqipërisë e për t’i formuluar zgjidhjet tona”, tha ai.

Artikulli paraprakMasakrohet qytetari në policinë e Korçës
Artikulli tjetërFaqja e parë