Reforma në Drejtësi, Rama kërkoi amnisti për trafikantët e prostitutave në Parlament

Drafti për Reformën në Drejtësi u miratua edhe nen për nen nga Komisioni i posaçëm për Reformën në Drejtësi.
Konfirmimi erdhi nga nënkryetari i këtij komisioni, deputeti demokrat Eduard Halimi.
Sipas tij, vetëm për një nen pati një debat të fortë. Halimi tha se neni në fjalë bënte nul atë nen që ishte miratuar pak muaj më parë për ndalimin të atyre personave që kanë kryer krimet e rënda. Neni është hedhur në votim ndërsa 5 deputete të mazhorancës  kane votuar pro dhe 5 të opozitës  kunder dhe në këtë  moment ka ndërhyrë  me lëvizjen e tij të votës së dyfishtë  kryetari i komisionit Fatmir Xhafaj, duke sjellë miratimin e dispozitës së debatueshme.
Për të shmangur një ngërç që mund të vinte nga qëndrimi  i opozitës, për këtë çështje ndërhynë ekpertët që tërhoqën propozimin fillestar  për nenin 3 duke lënë të pandryshuar kushtetutën aktuale pra përjshatimin  përjetësisht të  funksionarëve publik me të shkuar kriminale. Ky nen u tërhoq nga ekspertët.
Halimi, akuzoi mazhorancën se  përdori një truk kushtetues për të goditur ligjin e dekriminalzimit.
“Pati debat të fortë për nenin që ka të bëjë me amendamentet për dekriminalizimin”, konfirmoi Eduard Halimi. Ai tha se qëllimi i opozitës është ndëshkimi i kriminelëve që kanë hyrë në politikë, ndërsa ky nen i ndëshkonte ata vetëm për pak kohë dhe synonte përjashtimin e tyre nga jeta politike të trafikantëve të drogës dhe të prostitutave vetëm për pak. “Futja e këtij neni ishte një provokim, një atentat ndaj Reformës në Drejtësi”, tha Halimi, i cili shtoi se sipas këtij neni ndalimi i kriminelëve bëhet për një kohë të caktuar dhe jo përjetë. Halimi tha se pas debateve të ashpra, ekspertët e tërhoqën këtë nen.
“Në qoftë se do të sillet sërish me ndonjë formë tjetër qëndrimi do jetë sërish i njëjti i opozitës: I papranueshëm. Kush nuk është dakort me ligjin e dekriminalizimit, me ndryshimet për ligjin për dekriminalizmin, siç ka deklaruar edhe Rama në parlament ti drejtohet Gjykatës Kushtetuese, të bëjë një shoqatë me të gjithë personat me rekorde të tmerrshme kriminale që pretendojnë se i janë prekur të drejtat dhe të shkojnë deri në hënë” vijoi Halimi.
“Nenet e tjera u miratuan me redaktime të vogla”, tha Halimi. PS ka ndryshuar mendim në lidhje me këtë amnistim të trafikantëve dhe kriminelëve nga Parlamenti dhe institucionet vetëm pas një debati dhe kundërshtimi të fortë të opozitës. Kur kanë parë këmbënguljen e deputetëve të opozitës, Xhafa është detyruar që të përdorë dopiovotën e tij dhe të anojë nga qëndrimi i mbajtur nga deputetët e opozitës, e gjitha kjo pasi i është bërë e qartë për pasojat që do të kishin diskutimet e mëtejme të Reformës në Drejtësi.

Votimi elektronik, kusht i opozitës për zgjedhjet

PD ka vendosur si një kusht për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm votimin elektronik. Bashkëkryetari demokrat Oerd Bylykbashi tha se pa plotësimin e tij nuk ka zgjedhje me standarde. Po ashtu, demokratët paralajmërojnë se nuk do të ketë Reformë në Drejtësi pa atë zgjedhore.
Si për dekriminalizimin, shenjat e gishtërinjve janë për demokratët pika gravitacionale për reformë të suksesshme zgjedhore dhe për zgjedhje të lira.
Oerd Bylykbashi, autor i platformës së opozitës dhe bashkëkryetar i Komisionit të posaçëm për Reformën Zgjedhore pohon se votimi elektronik është kusht për realizimin e saj.
“Vërtet është kusht. Abosultisht pa të është e pamundur që të kemi ndryshim thelbësor të procesit zgjedhor… voton dhe del rezultati menjëherë”.
Dhe kjo, jo për ta bërë më interesant apo thjesht për një rezultat në kohë reale. Janë një sërë problemesh që do të merrnin zgjidhje sipas tij.
Por gjuha e kushteve, e përdorur dy ditë më parë edhe nga Lulzim Basha, shkon deri tek Reforma në Drejtësi. Demokratët shpresojnë se do të jetë, jo ky, por Parlamenti i ri, produkt i zgjedhjeve me standarde, ai që do të bëjë emërimet në institucionet e reja të drejtësisë. Ndaj të dy reformat Bylykbashi i cilëson të pandara me njëra-tjetrën.
“Votimi elektronik është thelbësor për suksesin e reformës zgjedhore, reforma zgjedhore është e lidhur ngushtësisht me Reformën në Drejtësi. Sa më shpejt të ecim në dy krahët aq më shpejt i mbyllim të gjitha dhe i japim mundësi edhe KQZ-së që në kohën e duhur të realizojë një proces të vështirë, por absolutisht të mundshëm siç është votimi elektronik”.
Ai pohon se mazhoranca ka interes për votimin elektronik, por vetëm si projekt pilot, por për demokratët ky nuk është zgjidhje.
Në platformën e demokratëve ngrihen edhe disa çështje me të cilat ka punë qeveria, jo komisioni parlamentar, siç është sistemi i saktë i adresave. Kërkohet edhe ashpërsim i politikës penale nga Prokuroria për të goditur krimin zgjedhor, të cilin ligji për dekriminalizimin e kategorizon tek veprat e rënda për ndalimin e ushtrimit të funksioneve publike. PD kërkon gjithashtu që reforma zgjedhore të shmangë paranë kriminale në zgjedhje dhe të garantojë një mbulim të balancuar mediatik të fushatës.

Artikulli paraprakEurodeputeti: Reforma për të luftuar krimin e korrupsionin
Artikulli tjetërHyka në formacionin e javës në Zvicër