Reforma e Trump në sytë e kryeekonomistit të Regan

Eugenio Occorsio

Me 12 dhjetor 1974 Arthur Laffer, Profesor i ri i Chicago University, ishte në restorantin “Two Continents” të Washington Hotel në kryeqytet bashkë më republikanët Dick Cheney, Donald Rumsfeld (Shef i Stafit të Shtëpisë së Bardhë Gerald Ford) dhe të Jude Wanniski, kronist i “Wall Street Journal”.
Në një moment të caktuar vizatoi një kurbë në një picetë. “Qenë tarifa dhe të ardhura fiskale”, na shpjegon 77-vjeçari Laffer, sot në krye të një kompanie konsulence në Nashville të shtetit Tennessee pas një karriere të gjatë akademike. “Demonstronte se pas një niveli të caktuar rritjes së tarifave nuk i korrespondon një e ardhur më e madhe, por një rënie. E rëndësishme është ta identifikosh sipas momentit historik pikën e kthesës. Atëhere ishte në masën 30%, tani që është rritur konkurrenca globale ka zbritur në 20”.
Piceta origjinale ndodhet e ekspozuar në Museum of National Heritage në Washington, Laffer u bë në vitin 1981 kryeekonomist i Ronald Reagan dhe miratoi një reformë fiskale shumë kontradiktore nga e cila është frymëzuar ajo e Donald Trump. Atëhere ashtu si tani u fol për dhuratë ndaj kompanive dhe ndaj pasanikëve.

-Ku është e mira për ekonominë?
“Po ju përgjigjem me të dhënat: Reforma hyri në fuqi në dhjetorin e vitit 1982 dhe qysh atëhere në të njëjtin muaj e një viti më pas ekonomia u rrit me 9%. Në vitin 1984 rritja qe me 7%, në 8 vitet e dy mandateve qe mesatarish në 3.2%”.

-Ama kujtohet katastrofa për financat publike.
“Nëse ka pasur ndonjë katastrofë, kjo i detyrohet mungesës së kontrolleve të mëpasme lidhur me shpenzimet – qe në vitet e build-up ushtarak të Luftës së Ftohtë dhe të luftërave pasuese – dhe pafundësisë së deduksioneve dhe të privilegjeve që i kanë çuar të pasurit, njerëz si Bill Gates apo Warren Buffett, që të paguajnë tarifa qesharake, një shifrore. Faji qe i administratave të mëpasme, jo edhe aq i Bill Clinton, për të cilin votova, sesa i George W.Bush. Ajo administratë po që qe një katastrofë, kriza e 2008 është faji i tij”.

-Lidhur me presidentët, juve ju pëlqen Trump?
“Sigurisht, koinçidenca me Russiagate është shqetësuese, por unë jam këtu në Tennessee, dal e shëtis me qentë në fundjavë, nuk është se kam shumë të përbashkët si stil jetese… Ua lë gjykimin politikanëve, unë jam ekonomist”.

-Jeni gjithmonë i bindur pët teorinë e trickle down economy, diçka “do të pikojë” drejt klasave të ulëta nëse pasanikët fitojnë më shumë?
“Le të mos ngecim në përkufizime që e kanë mbaruar kohën e tyre. Ndërkohë, kjo reformë shikon nga kompanitë e mëdha, regjimi fiskal për individët ndryshon pak. Ajo që theksoj dhe që u kam shpjeguar anëtarëve të administratës, që i njoh të gjithë mjaft mirë (Zëvendëspresidenti aktual Mike Pence ishte shoku i tij i kursit në Yale University; Sekretari i Thesarit Steve Mnuchin ka qenë nxënësi i tij në Chicago University, shënimi im.), është se funksioni i stimuluesit të ekonomisë do të jetë i konsiderueshëm, kompanitë do të investojnë, do të punësojnë, do t’i paguajnë më mirë punonjësit. Dhe ato që kanë shkuar jashtë vendit do të rikthehen. Për pasojë, gjallërimi do të përshpejtohet”.

-Por ekonomia amerikanë është tashmë në vitin e 8-të të rritjes.
“Po, ama është një rritje anemike, në 2%. Tani do të ngrihet në 3% dhe për shumë vite. Është matematike”.

-Matematikë për momentin është vetëm fakti se shtresa e mesme as nuk do të ceket nga benefitet që do t’u shkojnë të pasurve, apo jo?
“Më fal, në avantazhin e kujt do të shkojnë mundësitë më të mira për punë, rritjet e rrogave, gjallërimi komplesiv? Përveç se ka shkurtime të ndryshme, për shembull kush fiton 70000 dollarë do të zbresë nga 25% në 12%, mos shiko nga tabela e tarifave me qëndrimin e ftohtë të llogaritarit, por përdor syzet e ekonomistit. Vetëm kush do që të gjithë të bëhen të pasur prej ndonjë shtytjeje të keqkuptuar ideologjike nuk e pëlqen këtë reformë. Në fakt do të sjellë më shumë pasuri të përgjithshme, në përfitim të të gjithë popullsisë”.

(La Repubblica)

Përgatiti
ARMIN TIRANA

Artikulli paraprakFatos Lubonja: Kambanat e alarmit po bien për Ramën
Artikulli tjetërPlanet e Trump për njohjen sot të Jeruzalemit si Kryeqytet të Izraelit